Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtoren epPërgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Kathryne Bomberger.
Bomberger e uroi kryeministrin Kurti për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në ICMP dhe theksoi përkushtimin e përbashkët për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Duke ritheksuar angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, Kurti falënderoi përfaqësuesit e ICMP për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë.
Përmes angazhimit si anëtare në ICMP, kapacitetet institucionale e profesionale të Republikës së Kosovës do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo, tha Kryeministri.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet ICMP dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë.
Gjatë takimit u bisedua për mundësitë për të forcuar më tej bashkëpunimin, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Më 19 korrik të këtij viti, në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e ICMP-së në Hagë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.