Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka përfaqësuar Kosovën në Tryezën Ministrore, në ditën e parë të Forumit Ndërkombëtar për Shkencë dhe Teknologji, në Kyoto të Japonisë.
Tryeza Ministrore 2023 shtjellon konceptin e shkencës dhe teknologjisë si shtyllat më të forta rreth të cilave ndërtohet dhe zhvillohet sistemi arsimor i vendit.
Nagavci në postimin e saj në Facebook ka thënë se në këtë platformë të nivelit të lartë, 23 vende të botës sot shpalosën përvojat e tyre në krijimin e kushteve për zhvillimin profesional cilësor të të rinjve e të rejave. Ndarja e këtyre praktikave ka vlerë të madhe për Republikën tonë të re dhe për avancimin e sistemit arsimor, duke ndjekur praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara.
Në fjalën time në këtë tryezë theksova rëndësinë që i japim në Kosovë krijimit të mundësive të hapura për hulumtime shkencore dhe mobilitet të kapaciteteve kërkimore, politikat tona qeveritare që përkrahin të rinjtë e të rejat me fokus në fushat STEM.
Po ashtu, u kujtova Ministrave të pranishëm se Kosova ka një rini të talentuar dhe të motivuar, me shkathtësi teknologjike e dixhitale të përputhshme me nevojat e kohës, një rini që meriton t’i ketë rrugët e hapura për të shpalosur e zhvilluar talentin e vet, krahas bashkëmoshatarëve të tyre kudo në botë.