Në shumë reagime të mëhershme, KMDLNj ka kërkuar që Policia e Kosovës të trajtohet në përputhje me mandatin si njëra ndër shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes së rendit kushtetues gjithnjë duke marrë parasysh përvojat e mira të vendeve tjera.
Për KMDLNj është kundër çdo logjike që policët e Kosovës të mos kenë sigurime shëndetësore dhe jetësore sikur edhe të privohen nga shtesat për rrezikshmëri. Edhe sindikata e Policisë ka pasur kërkesa të ngjashme me KMDLNj- në, si mekanizëm që përfaqëson dhe mbronë interesat e policëve të Kosovës por se këto adresime të drejta dhe të arsyeshme deri më tani janë shpërfillur kryesisht nga të gjitha qeveritë apo janë realizuar vetëm pjesërisht.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK propozuan një pikë të rendit të ditës ku do të diskutohej për përmirësimin e gjendjes dhe kushteve për policët duke përfshirë realizimin e pikave të adresuara nga Sindikata e Policisë me afërsisht 6000 nënshkrime. Për habi, shumica absolute parlamentare përkatësisht LV, nuk pranuan të diskutohet për këtë çështje duke ofruar abstenimin si zgjidhje të problemit. Ka qenë e pritshme që pikërisht pozita të dalë me një propozim të tillë e që do të përkrahej nga opozita, pa asnjë kushtëzim.
Pas ngjarjeve të fundit në veriun e Kosovës përkatësisht sulmit terrorist nga Manastiri i Banjskës ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku sikur që u vranë tre sulmues të armatosur, polcia e Kosovës shkaku i profesionalizmit të lartë dhe gatishmërisë për sakrificë në mbrojtje të rendit kushtetues u vlerësua jashtëzakonisht lartë nga opinioni. Partitë opozitare si dhe nga pozita aktuale. Vlerësimi i opinionit ishte real por se pa kapacitet për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes dhe kushteve të punës ndërsa reagimi i politikës ishte reagim interesi.
Opozita, edhe nëse sinqerisht ka menduar ate që e ka propozuar, futet në prizmin e mandatit që e ka opozita për të përfituar nga situata por mbetet e paqartë pse pozita ka vepruar në këtë mënyrë. Duket se pozita nuk ka dashur të lejojë që përmbushja e kërkesës së policëve të faturohet në adresë të opozitës nga e cila do të përfitonte politikisht andaj edhe ka abstenuar.
KMDLNj thërret pozitën dhe opozitën që të angazhohen për përmbushjen e kërkesave të Policisë së Kosovës sepse ky është interes dhe detyrim mbipartiak, në të kundërtën askush nuk do të lirohet nga përgjegjësia që i takon.
KMDLNj përkrahë kërkesat e arsyeshme të Policisë së Kosovë pa përmbushjen e të cilave do të jetë e vështirësuar përmbushja e mandatit efektiv që e ka Policia sikur që as shteti nuk do të ketë qëndrueshmëri në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.




