Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ministrja Arbërie Nagavci, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesi i UNDP në Kosovë Nuno Queiros, kanë marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë të programit Global Engineer Girls (GEG), program i cili është themeluar në vitin 2022, në partneritet me Limak Kosova dhe UNDP.
Ministrja Nagavci, me këtë rast, theksoi rëndësinë e diplomimit të gjeneratës së parë të programit GEG, i cili promovon avancimin profesional të vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
“Inovacioni i këtij programi qëndron në faktin se synon të krijojë një ekosistem motivues për më shumë vajza e gra që të zhvillojnë potencialin e tyre. Kjo është e veçanta e programit, dhe njëkohësisht çelësi i suksesit të tij”, tha ministrja, ndërsa theksoi se për t’u arritur një gjë e tillë duhet mund dhe përpjekje.
Ministrja Nagavci, po ashtu, theksoi se Qeveria e Kosovës po përmbush suksesshëm zotimet e saj për krijimin e hapësirave dhe mundësive më të gjera për përfshirjen e grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës.
“Në mënyrë të veçantë, Ministria e Arsimit ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në STEM, duke nisur nga mijëra bursat e dhëna për studentet në dy vitet e para të mandatit, e deri tek organizimi i Konferencës së madhe STEMinists këtë vit, e cila falë suksesit do të jetë traditë për çdo vit”, tha ajo.
Pasi që përmendi pengesat që hasin gratë çdo ditë në jetë, në punë e në shoqëri, ministrja Nagavci foli për një sërë vendimesh që ka marrë në këtë drejtim, e që ndihmojnë, inkurajojnë dhe fuqizojnë vajzat dhe gratë.
Ministrja Nagavci falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e pakursyer në këto procese, në veçanti UNDP-në, e cila vazhdon të ofrojë mbështetje në përmbushjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.