Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka nënshkruar sot dy aneks marrëveshje për vazhdimin e punimeve të objekteve për çerdhe. Aneks marrëveshjet u nënshkruan me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Qëllimi i nënshkrimit të këtyre aneks marrëveshjeve është realizimi i projektit “Ndërtimi i objektit të institucionit në nivelin parashkollor”, si dhe përcaktimi i obligimeve të MAShTI-it dhe komunave respektive, për realizimin e këtij projekti.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, mirëpret gatishmërinë e komunave për bashkëpunim në rregullimin e infrastrukturës fizike, për përfshirje sa më të gjerë të fëmijëve në arsimin parashkollor.
Ministrja Nagavci po ashtu foli për avancimin e politikave arsimore, për çka ftoi kryetarët e komunave që të japin kontributin e tyre, në përputhje me kompetencat që kanë komunat në arsimin publik në nivelin parauniversitar.
Kryetari Muhaxheri dhe kryetari Aliu diskutuan për gjendjen e përgjithshme në arsim në komunat të cilat ata i drejtojnë, me theks krijimin e kushteve moderne për mësim, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.