Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 169-të të Qeverisë, ka njoftuar se pas shqyrtimeve dhe analizave që kanë bërë me ministritë përkatëse, si qeveri kanë ardhur deri te propozimi për shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ku në këtë propozim përfshihen gjithsej 7 kategori të pozitave në Policinë e Kosovës, të cilat janë subjekt i shtesave të rrezikshmërisë.
Shtesat për njësitë elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt), janë nga 150 euro shtesë pagës bazë. 120 euro shtesë për Njësitë Speciale Operative, K-9 dhe njësia për eksplozivët dhe deminim. Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që njëherazi përbëjnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj. Kurse, policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë. Kjo zgjidhje merr parasysh në veçanti situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Kurti ka thënë se në të kaluarën, shtesat jo gjithmonë reflektonin nevojën dhe meritën, ato rëndom kishin shkaktuar pabarazi në mesin e policëve, ndërkaq, ky propozimi ynë për kategorizim është bërë në mënyrë të kujdesshme që mos të shtresohen dallimet dhe të mos përsëriten defektet e mëhershme ku dallimi në mes të shtesës më të lartë dhe asaj më të ulët, është përafërsisht 1 me 3, përkatësisht 3 me 1.
Shtesat për rrezikshmëri do të fillojë së aplikuari nga paga e muajit nëntor. Kurse për muajt e deritanishme nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Paga, shtesat e rrezikshmërisë, siç edhe kemi thënë më herët, do të ndahen në mënyrë retroaktive.
Kryeministri Kurti tha se sot me delegacionin qeveritar, janë kthyer nga Brukseli ku gjatë ditës kanë takuar krerët e Bashkimit Evropian, Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Ftesa për këtë takim erdhi pas vizitës në Prishtinë të 5 emisarëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 21 tetor.
Iu përgjigjem pozitivisht sepse e konsideruam atë si mundësi të mirë për të kërkuar nga krerët e Bashkimit Evropian më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë, i cili është 381 kilometra i gjatë, më i gjatë se sa kufiri me tri shtete tjera marrë së bashku, pra Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Kryeministri Kurti tha se në Bruksel kanë diskutuar mbi propozimin e tyre për një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, pjesës integrale të kësaj marrëveshje që është Aneksi i Zbatimit dhe bashkërisht edhe me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7 Marrëveshjes Bazike, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.