Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, ftuan sot për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.
Me shkas takimin e datës së 26 tetorit në Bruksel me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi i njoftuan diplomatët e pranishëm mbi mbarëvajtjen e takimit, kërkesat e ndërsjella dhe qëndrimet e Republikës së Kosovës.
Sikurse në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars, ai nënvizoi se edhe të enjten e javës së kaluar ishte i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike, duke përfshirë këtu edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të asaj Marrëveshjeje. Përkundër kësaj, sikurse me 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, Serbia edhe me 26 tetor, kësaj radhe para liderëve evropianë, përsëri refuzoi të nënshkruajë dhe në vend të saj paraqiti kërkesën që t’i pranohet një letër anësore në të cilën ndër të tjera thuhet se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, nuk pranon anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës.
Kryeministri Kurti ritheksoni qëndrimin e tij mbi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Zbatimit, sepse pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin.
Duke numëruar shkeljet e njëpasnjëshme të Marrëveshjes Bazike nga ana e Serbisë, shpërfilljes së saj të vazhdueshme dhe refuzimit të nënshkrimit, si dhe duke marrë parasysh agresionin ndaj Kosovës me rastin e sulmit terrorist me 24 shtator dhe rrëmbimit të tre policëve të Kosovës me 14 qershor, Kryeministri bëri thirrje për sanksione ndaj Serbisë, si mënyra e vetme për t’u siguruar që veprime e akte të tilla të mos përsëriten më.
Ai shtoi se Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë dhe meqë nuk ka gatishmëri dhe vullnet nga ana e Serbisë për nënshkrim dhe zbatim të Marrëveshjes Bazike, ne duhet që të ecim përpara, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.