Ministria e Punëve të Brendshme njofton se bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të Republikës së Kosovës të gjithë ju që jeni të pajisur me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga data 10 qershor 1999 deri me 21 prill 2022, mund të bëni regjistrimin me targa RKS nga data 1 nëntor.
Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS deri me datë 1 dhjetor 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.
Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që keni.
Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces, thuhet në komunikatën për media e MPB-së.