Në Mbledhjen e 170-të të Qeverisë, është votuar Projektligji i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2024. Buxheti kap vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro nga të cilat 860 milionë euro në kategorinë shpenzime kapitale. Vlen të theksohet se të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar – shtator 2023 janë rritur për 14.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Përmes mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe rritjes së punësimit, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të ruajë trendin e rritjes së të hyrave ku në vitin 2024 të hyrat pritet të jenë 3 miliardë e 28 milionë euro.
Buxheti i miratuar sot për vitin 2024 parasheh rritje në sektorë të ndryshëm përfshirë sigurinë, shëndetësinë, sportin, infrastrukturën dhe arsimin përkitazi me prioritetet që rrjedhin nga Programi ynë Qeverisës. Pas aprovimit të sotëm të Buxhetit për vitin 2024 nga ana e Qeverisë, i njëjti do të procedohet për miratim nga Kuvendi, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.