Ministri i Mbrojtjes, Ejup maqedonci në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë e ka përmbyll me takimin me kryesuesen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
Maqedonci në postimin e tij në Facebook ka thënë se Kearns e ka falenderuar për angazhimin e pakursyer për të prezantuar të vërtetën për Kosovën dhe kërcënimet që i vijnë vendit tonë nga strukturat e organizuara terroriste dhe para-ushtarake të mbështetura nga institucionet shtetërore të Serbisë. Më pas e ka njoftuar për situatën aktuale dhe rrezikun që paraqet militarizimi i vijës kufitare nga ana e Serbisë si dhe mbështetja e aktiviteteve të grupeve terroriste nga ana e institucioneve të sigurisë të Republikës së Serbisë.
Në fund diskutimet tona u fokusuan në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.
Kearns u zotua se do të rris maksimalisht angazhimin dhe do të shfrytëzojë ndikimin e saj për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.