Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ditën e sotme në Prizren fabrikën “Koshi Group – LLC”.
Bashkëbisedoi me pronarin e kësaj kompanie, Shkamb Koshi, i cili ka jetuar 25 vite në Itali, e tash jeton e prodhon në Kosovë dhe eksporton në 15 vende të ndryshme të botës.
Kompania e tij merret me pjesë të prodhuara nga fibrat e karbonit që janë të lehtë në peshë dhe të qëndrueshëm mekanikisht e posaçërisht të përdorshme për automjetet dhe barkat e shpejta.
“Janë rreth 70 punëtorë dhe i gjithë ky proces mund të shpjegohet prej pronarit dhe ideatorit të kësaj teknologjike moderne, prej Shkamb Koshit, i cili më tregoi se si edhe pjesët për automjete të shpejta si Alfa Romeo e për barka në gjatësi deri në 10 metra e me shpejtësi 150 kilometra në orë, prodhohen nga fibrat e karbonit dhe kjo është një teknologji e cila gjithnjë e më shumë po ka treg në botë, sidomos kur bëhet fjalë për gjësendet të cilët kanë shumë peshë, të cilët zhvillojnë shpejtësi të mëdha apo të cilat janë të shtrenjta”, tha kryeministri Kurti.
Ai e falënderoi për punën e kontributin, duke e vlerësuar për kompaninë e tij, punën në inxhinieri të teknologjisë e njohjen me zbulimet më të reja shkencore sa i përket fibrave të karbonit.
Kjo ishte vizita e radhës e kryeministrit Kurti në biznese, fabrika e kompani anembanë vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës vijon të mbetet e përkushtuar në përkrahjen e bizneseve vendore, në vazhdimësi dhe përmes pakove të ndryshme të mbështetjes financiare.
Në këtë vizitë, kryeministri Kurti shoqërohej nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbër Rexhaj dhe Artan Abrashi, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Ishte kënaqësi që ta vizitoj fabrikën e “Koshi Group” dhe të shoh procesin e prodhimit. Janë rreth 70 punëtorë dhe i gjithë ky proces mund të shpjegohet prej pronarit dhe ideatorit të kësaj teknologjike moderne prej Shkamb Koshit, i cili më tregoi se si edhe pjesët për automjete të shpejta si Alfa Romeo e për barka në gjatësi deri në 10 metra e me shpejtësi 150 kilometra në orë, prodhohen nga fibrat e karbonit dhe kjo është një teknologji e cila gjithnjë e më shumë po ka treg në botë, sidomos kur bëhet fjalë për gjësendet të cilët kanë shumë peshë, të cilët zhvillojnë shpejtësi të mëdha apo të cilat janë të shtrenjta.
Në këtë mënyrë, kjo e rrit edhe qëndrueshmërinë, por në të njëjtën kohë e zvogëlon edhe peshën. Andaj faleminderit shumë Shkamb për këtë punën që po bën dhe për këto ide të cilat kanë edhe patentime në ShBA. Pra, nuk është thjesht një pronar i cili e posedon biznesin, por është një pronar i cili punon aty edhe duke bërë inxhinieri të teknologjisë e duke lexuar për zbulimet më të reja shkencore sa i përket fibrave të karbonit.