Në prag të festës së madhe të flamurit kombëtar, një ditë para 28 Nëntorit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri me temë “Mundësitë e bashkëpunimit rajonal Kosovë-Shqipëri”, një organizim i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që u mbajt në ambientet e Pallatit të Kulturës, në komunën e Gjakovës.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, cilësoi se është shumë domethënës fakti që kjo konferencë po mbahet në Gjakovë, dhe pikërisht një ditë para 28 Nëntorit, datës së kurorëzimit të rrugëtimit kah shtetimi i shqiptarëve.
“I gjithë bashkëpunimi i dy shteteve tona duhet të udhëhiqet nga ideja e lehtësimit të jetës së qytetarëve, deri të ndjesia e të jetuarit në të njëjtin vend, në të njëjtat vlera, nën të njëjtat ligje dhe rregulla, pa pengesa dhe pa ndryshime të cilat vështirësojnë ose ngadalësojnë komunikimin dhe veprimtaritë e përditshme të tyre”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë Forum, prezantoi të arriturat gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive, të dy republikave asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke treguar se janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve, me ritëm gati 4 herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshme, nga 184 marrëveshje sa ishin gjithsej. Po ashtu ai shtoi se marrëveshjet e arritura dhe në realizim e sipër e korrigjojnë të kaluarën izoluese dhe hapin mundësi e shanse të reja për ndërmarrësit, për studentët, për qytetarët si prodhues e si konsumatorë.
Në mesin e marrëveshjeve theksoi atë të për lidhjen hekurudhore Prishtinë-Durrës, të cilën e konsideroi si marrëveshje dhe projekt madhor.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është infrastrukturë për t’ju ndihmuar e nuk ka datë më të mirë sesa festat e nëntorit, sesa 28 Nëntori i nesërm, që të bëjnë bilancet e të arriturave dhe teksa kujtojnë ata që sakrifikuan për vendin e tyre.
Gjatë kësaj ngjarje, ai u shpreh se lehtësimi i tregtisë, heqja e barrierave tregtare dhe promovimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të përbashkët ekonomik. Këtu ai veçoi hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe në Porto – Romano, përmes së cilave Kosova ka arritur të ketë qasje në det.
“Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën duke u ardhur në ndihmë drejtpërdrejt bizneseve që tashmë i kanë kursyer 9 milionë euro. Dhe në bazë të shënimeve të fundit 30 për qind e mallrave të cilat vijnë në Durrës e kanë për destinim Kosovën”, u shpreh kryeministri, para se të shtoj se investimet nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2022 kanë arritur vlerën prej gati 80 milionë nga mbi 15 milionë sa ishin në vitin 2019, deri sa fliste për rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet dy republikave.
Në fund të fjalës së tij, ai i urojë të gjithëve Urime 28 Nëntorin.
Të pranishëm përkrah kryeministrit në këtë Forum, ishin ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, këshilltarja nga ambasada e Shqipërisë, Pranvera Teli si dhe zëvendësministrat Ali Tafarshiku, nga ministria e Zhvillimit Rajonal, dhe Agron Dobruna nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Është domethënës fakti që kjo konferencë po mbahet në Gjakovë, dhe mblidhet një ditë para 28 nëntorit, datës së kurorëzimit të rrugëtimit kah shtetimi i shqiptarëve.
Shtetet duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe popullit me po atë përkushtim, devotshmëri dhe sakrificë që populli e ka lindur shtetin.
I gjithë bashkëpunimi i dy shteteve tona duhet të udhëhiqet nga ideja e lehtësimit të jetës së qytetarëve, deri të ndjesia e të jetuarit në të njëjtin vend, në të njëjtat vlera, nën të njëjtat ligje dhe rregulla, pa pengesa dhe pa ndryshime të cilat vështirësojnë ose ngadalësojnë komunikimin dhe veprimtaritë e përditshme të tyre.
Shumica e qytetarëve duhet të ndjejnë se siç nuk është i nevojshëm përkthimi gjuhësor ashtu nuk duhet të jetë i nevojshëm as ai kuptimor e domethënës i rregullave dhe ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet normale mes qytetarëve të dy vendeve tona.
Kur ekziston vullneti i lirë, garantohet suksesi i mirë. Nga gjithsej 184 marrëveshje, vetëm gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive të dy republikave tona, janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve, me ritëm gati 4 herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshëm.
Suksesi ka vlerë kur në vend të vetëkënaqësisë nxit vetëbesimin për suksese të tjera. Në rrugëtimin tonë kah suksesi nuk jemi as vetëm as në shtigje të pashkelura. Kjo është rruga e shtruar nga Bashkimi Europian i sotëm dhe Tregu i Përbashkët Europian i dikurshëm. Andaj ne duhet të ecim më shpejt kah tregu ynë i përbashkët, kah sistemet dhe mekanizmat e përbashkëta, kah bashkimi doganor, kah çdo përbashkim që na shërben dhe na bë gati për t’u integruar edhe në Bashkimin Europian.
Përgjatë historisë, nga njëra anë, janë krijuar natyrshëm zona ekonomike, sociale dhe etnografike, që i ka këshilluar edhe vetë historia jonë por edhe ambienti ynë në përgjithësi: mes tjerash, e Pejës me Plavën e Gucinë, e Gjakovës me Malësinë e saj, e Prizrenit me Kukësin në njërën anë, e me Tetovën në anën tjetër, e Ohrit me Pogradecin, e Manastirit me Korçën, etj.
Marrëveshjet e arritura dhe në realizim e sipër e korrigjojnë të kaluarën izoluese dhe hapin mundësi e shanse të reja për ndërmarrësit, për studentët, për qytetarët si prodhues e si konsumatorë.
Për gjallërimin e këtyre zonave, për qarkullimin e lirë në rrugët e udhëtuara për shekuj, krahas lehtësimit të kalimit në pikat kufitare, për banorët lokal të këtyre zonave janë hapur 26 vendkalime të tjera që i shërbejnë jetës së përbashkët e të përditshme të tyre. Me këtë në kemi mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mbi 200 mijë qytetarëve në brezin tonë të përbashkët kufitar.
Nga zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara për banorët e zonave kufitare aplikohen lehtësira në pikat doganore për ngarkesat e mallrave, prodhimet të ekonomive familjare e kështu me radhë.
Por nisur edhe nga disa problematika të ndeshura në terren ende mbetet punë për të promovuar më shumë, dhe për të garantuar zbatueshmërinë e plotë të këtyre lehtësimeve. Duke filluar me ndërgjegjësimin e të gjithë akterëve të përfshirë nga institucionet shtetërore e më tej dhe vetë banorët e zonave kufitare, si përfitues të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit të dyanshëm.
Të gjitha marrëveshjet për integrimin tonë të brendshëm kanë pasur parasysh edhe ndërlidhjen tonë me shtetet e tjera në rajon, me Bashkimin Evropian dhe më tej. Marrëveshjet kanë pasur parasysh aktivizimin e asaj që na ka dhuruar tashmë historia dhe gjeografia. Krahas marrëveshjeve për përdorimin e harmonizuar të energjisë mes dy vendeve tona, marrëveshja tjetër madhore është ajo për lidhjen hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit, të Durrësit me Prishtinën. Kështu, bashkohen energjitë edhe trenat, dy simbolet e industrializimit e të zhvillimit të botës moderne. Hekurudhat kanë qenë dhe mbeten sa kërkesë aq dhe kushti i zhvillimit industrial, duke qenë njëherësh, krahasuar me të tjerat, edhe qarkullimi më ekologjik i njerëzve, apo qarkullimi i gjelbër siç thuhet sot, lëndës së pare por edhe i produkteve apo mallrave masive të konsumit. Me degëzimet e veta, kjo linjë hekurudhore, lidh e bashkon jo vetëm dy vendet tona, por gjithashtu mundëson lidhjet me Malin e Zi, me Italinë, Adriatikun, Mesdheun, e më tej. Njësoj, edhe aksi apo rruga Prizren-Tetovë jo vetëm ringjall dhe vë në punë lidhjen e natyrshme mes këtyre dy qyteteve, por gjithashtu e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe sërish më tej.
Ndërkaq, nga rruga Shkodër – Gjakovë ndërlidhen pandalshëm këto dy zona dhe lidhja e Shkodrës me Gjakovën padyshim se paraqet lidhjen më të rëndësishme që e bën edhe një lloj korrigjimi të një padrejtësie të madhe politike e ekonomike, të këtyre dy vendeve, por të zonave përreth, dhe do të thosha mbarë kombit shqiptar.
Nuk ka lidhje më të rëndësishme për kombin shqiptar që është e nevojshme në aspektin infrastrukturor dhe ekonomik se sa në njërën anë thamë hekurudha Prishtinë – Durrës, mirëpo përbrenda kësaj e përtej kësaj ajo Gjakovë – Shkodër.
Lehtësimi i tregtisë me heqjen e barrierave tregtare dhe promovimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të përbashkët ekonomik.
Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe në Porto – Romano, ne fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën duke u ardhur në ndihmë drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer 9 milionë euro. Dhe në bazë të shënimeve të fundit 30 për qind e mallrave të cilat vijnë në Durrës kanë për destinim Kosovën.
Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 në vitin 2022 janë rritur ndjeshëm dhe shprehur në vlera në vitin 2019 ishin në 15.2 milionë euro, ndërkaq në vitin 2022 kanë mbërri shifrën prej 79.7 milionë euro.
Lëvizja pa asnjë kontroll e qytetarëve tanë gjatë sezonit veror qershor – shtator si dhe gjatë fundjavave e ditëve të pushimeve shtetërore është një tjetër sukses i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë.
Ky lehtësim i lëvizjes ka ndihmuar rritjen e turizmit dhe ka sjellë rritje të kalimeve në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë – Vërmicë.
Kësisoj në vitin 2022 vetëm në pikën e përbashkët të kalimit kufitar pra, Morinë – Vërmicë, kanë kaluar rreth 8.2 milionë qytetarë, duke e kthyer në pikën e kalimit më të frekuentuar për Kosovën e për Shqipërinë. Pra, vendkalimin kryesor e kemi atë me njëri-tjetrin. Kjo tregon se sa të rëndësishëm e të vlefshëm jemi për njëri tjetrin.
Krahas dimensionit fizik, jo me më pak rëndësi është edhe dimensioni shpirtëror, që shpesh vjen lehtësisht e pa vetëdije. Praktikisht dhe në rutinat e përditshme qytetarët zgjerojnë vetiu përfytyrimin e gjeografisë ku ndjehen si në shtëpi, e zgjerojnë gjeografinë ku mund të realizojnë projektet e tyre aktuale dhe planet për të ardhmen e tyre, qoftë si nxënës apo studentë, qoftë si prodhues apo tregtarë, qoftë si zanatçi e si mjeshtër, qoftë ngjarje private e familjare, apo aktivitete publike kulturore. Andaj është detyrë e shtetit, e të dy republikave tona, ta lehtësojnë deri në asgjësim të pengesave ndaj forcës së imagjinatës krijuese të qytetarëve tanë, dhe pastaj kjo forcë e bën vetiu punën e saj edhe estetike, përveçse ekonomike, kulturore kombëtare.
Për fund, dua të kujtoj se integrimit në Bashkim Evropian i shërben më mirë duke u integruar tashmë së bashku, pra ne mund të marrim shumë prej praktikave që i bëjnë vendet e Bashkimit Evropian, t’i bëjmë Kosova me Shqipërinë e Shqipëria me Kosovën, si vlerë jonë e brendshme kombëtare e shtetërore, sesa duke pritur që të integrohemi së jashtmi në Bashkimin Evropian, e nëpërmjet Bashkimit Evropian. Janë modele tashmë të dëshmuara të cilët mund të aplikohen direkt prej vet neve këtu. Çdo bashkim i yni është jo vetëm përparim kah integrimi në Bashkimin Evropian por edhe dëshmia se na gjen të gatshëm për të, dëshmia se integrimi nuk është në fillim por tashmë punë e përbashkët e avancuar nga të gjithë dhe secili në të dy anët e kufirit, midis dy republikave të kombit shqiptar.
Ju faleminderit shumë. Ju përgëzoj për organizimin që keni bërë dhe për diskutimet e frytshme. Qeveria e Republikës së Kosovës është infrastrukturë për t’ju ndihmuar e nuk ka datë më të mirë sesa festat e nëntorit, sesa 28 Nëntori i nesërm kur e kemi edhe pushim, edhe festë, që të bëjmë bilancet e të arriturave dhe teksa kujtojmë ata që sakrifikuan, në të njëjtën kohë të zotohemi bashkë se 28 Nëntori na bashkon jo vetëm në të kaluarën e në të tashmen, por si asnjëherë më parë pikërisht në të ardhmen tonë të përbashkët.
Urime 28 Nëntori të gjithëve, e gëzofshim!