Në përmbyllje të vizitës zyrtare në Republikën e Senegalit, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pritur në një takim dypalësh nga ministri i Jashtëm i Senegalit, Ismaïla Madior Fall.
Ministrja Gërvalla falënderoi homologun e saj për mikpritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e ofruar nga Republika e Senegalit për Republikën e Kosovës.
Të dy Ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, përderisa shprehën përkushtimin dhe vullnetin e dyanshëm për zgjerimin e këtij bashkëpunimi ndër-shtetëror në fushat e interesit reciprok.
Me qëllimin e konkretizimit të këtij bashkëpunimi në fusha specifike dhe programe të veçanta, ministrja Gërvalla dhe ministri Madior FALL u dakorduan për caktimin e datës për konsultimet politike në mes dy vendeve.
Në fund të takimit, ministrja Gërvalla ftoi ministrin Madior Fall për vizitë në Republikën e Kosovës, propozim ky që u mirëprit nga homologu i saj, thuhet në komunikatën për media e MPJD-së.