Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).
Kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë, ndërkaq i përgëzoi për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se beson se të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit. Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut, shtoi më tej.
Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje që të vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve dhe analizave të këtyre organizatave për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Ishim në mbledhje të qeverisë lidhur me një masë të re të cilën e kemi ndërmarrë bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, në takim me Qendrat për Punë Sociale ku merrnin pjesë udhëheqësit e këtyre qendrave anë e mbanë komunave të Kosovës e që ka të bëjë me sigurimin e lëndëve djegëse për të kaluar këtë dimër që qartazi do të jetë më i ftohtë se sa ai i kaluari për familjet me asistencë sociale. Pra 21 mijë familje me mbi 80 mijë anëtarë gjithsejtë në Republikën e Kosovës pa dallim do të përfitojnë nga kjo masë me ç’rast secila familje i merr 120 euro dhe më pastaj për secilin anëtar nga 30 euro. Është e rëndësishme për neve meqenëse nga përvoja jonë e dimë për lidhjen e ngushtë ndërmjet sëmundjes dhe varfërisë. Kur je i varfër kollaj sëmuresh e kur sëmuresh kollaj varfërohesh. Prandaj tek kjo kategori ne duhet të intervenojmë sa më parë dhe sidomos tani.
Në anën tjetër jam ende në mbresat e filmit të mjuzikëllit të mbrëmshëm që e pamë të shfaqur nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier që e kemi edhe sot këtu. Shfaqja, mjuzikëlli “Hamilton: nga Broadway e ku në disa skena ekspresive i keni bashkë Hamiltonin dhe Lafayette janë këto dy personalitete historike të fundit të shekullit XVIII që janë figura të dy revolucioneve, të revolucionit amerikan dhe të revolucionit francez. E pikërisht revolucioni amerikan e revolucioni francez i kanë rrënjët te të drejtat e njeriut. Nga këto dy revolucione në fund të shekullit XVIII buron ideja humane e shndërruar në projekt politik e tash nga ne si dëshmitar e proces historik i barazisë së individëve, i të gjithë njerëzve pavarësisht prej përgatitjes së tyre apo prejardhjes së tyre.
Për bindjen, besimin tim, të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit.
Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut, dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut.
Të drejtat e Njeriut e bëjnë bashkë barazinë dhe universalitetin, por nganjëherë keqkuptohet sepse besohet që të drejtat e njeriut na shquajnë si individ, të drejtat e individit.
Në një rrafsh kjo është e vërtetë, por ka edhe një rrafsh tjetër, të pashkëputshëm, që barazia na bën bashkë. Individët duke qenë të barabartë janë bashkë, pabarazia i ndanë njerëzit.
Andaj, të drejtat e njeriut njëmend na e garantojnë dinjitetin në ato 30 nenet e famshme të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, që po e ritheksoj rrënjët i ka në Revolucionin Amerikan dhe Francez. Pra, në atë deklaratë, njëmend individi është në qendër, mirëpo në anën tjetër jo individi si person i veçantë, por individi si cili do prej nesh dhe këtu është aspekti universal ajo që e kemi të përbashkët. Pra, individë nuk jeni thjeshtë ju cila do, e cili do prej jush dhe unë, individë jemi secili prej neve.
Kjo qasje e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nëpërmjet barazisë, individit që është secili prej nesh dhe barazia është ajo që na bashkon bashkë me shoqërinë.
Andaj, të drejtat e njeriut do të duhej sa më shumë të shfrytëzohen edhe për të spikatur që secili prej neve është qenie njerëzore i pandashëm sepse individë, individuo- i pandashëm, nuk është dividuo është individuo, i pandashëm. Pra, secili prej neve është i pandashëm por të gjithë jemi bashkë në shoqëri.
Kjo pikënisje është themeli edhe thelbi i qytetërimit. Kur të jeni të bindur për këtë, kur të besojmë në këtë, shumëçka për të mos thënë gjithçka bëhet shumë lehtë.
Andaj është kënaqësi të jem për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë. Përgëzime për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.
Të drejtat e njeriut gjithashtu janë të ndërvarura dhe të ndërlidhura. Sikurse vet ne, njerëzit. Të gjithë njerëzit, mbarë njerëzimi është i ndërlidhur dhe asisoj janë edhe 30 nenet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Edhe kjo konferencë është shenjë e solidaritetit, por edhe e përgjegjësisë së përbashkët për respektimin e të drejtave të njeriut, si institucione dhe si shoqëri, për çfarë kemi detyrë që të angazhohemi në betejën për barazi në të drejta.
Unë besoj, që solidariteti është solidaritet në vepër, është solidaritet në betejë dhe pikërisht duke qenë në betejë në vepër, e ka brenda edhe simpatinë edhe empatinë; simpatinë si keqardhje për tjetrin që ngelet tjetri, por edhe empatinë, ku ti e paramendon veten në vendin e tjetrit.
Një shoqëri, në të cilën ka vetëm simpati pa empati, ku ti mund të ndjesh keqardhje për tjetrin, por ai ngelet fundamentalisht tjetër, pa empatinë, në të cilën ti fillon edhe e paramendon veten në këpucët e tjetrit, është shoqëri, e cila rrezikon që kritikën ta degradojë në dyshim. E unë këtu, e shoh një element të rëndësishëm të progresit të nevojshëm socio-politik e do të thosha kulturor të shoqërisë sonë. Të mos lejojmë, që kritika të degradojë në dyshim. Për ta mirëmbajtur kritikën të mos rrëzohet në dyshim, ku kemi të drejtë ta kritikojmë njëri-tjetrin, por jo apriori të dyshojmë për njëri-tjetrin, e arrin duke e shoqëruar simpatinë, që është më e kollajshme, me empatinë, që është më e vështirë, e që përfundimisht do të thotë solidaritet në betejën e përbashkët.
Nga barazia te gjithpërfshirja, nga përfaqësimi e pjesëmarrja te fuqizimi, nga drejtësia për qytetarët te transparenca dhe përgjegjshmëria e zyrtarëve, nga antikorrupsioni te antidiskriminimi, nga demokracia te siguria, na duhet të kemi bashkë angazhim me qasje hollistike dhe veprime konkrete.
Në këtë rrugëtim për të siguruar dinjitet dhe barazi për çdo individ, nuk mund ta neglizhojmë fuqinë e fjalëve dhe domosdoshmërinë e një mjedisi të lirë nga urrejtja dhe diskriminimi çfarë e shpjegoi gjerë e gjatë, kryetarja, drejtorja Shabiu e për çfarë unë pajtohem plotësisht. Andaj, edhe e kemi krijuar platformën “raportodiskriminimin.org”, të lansuar nga zyra ime vitin e kaluar. Ftoj qytetarët që të raportojnë për diskriminimin kudo që e hasin atë.
Qeverisja është shërbim demokratik, mbi të gjitha për ata të cilët i kanë të drejtat e shkelura, e sidomos së pari të drejtat më të shkelura, grupet e margjinalizuara, ata të cilët janë të diskriminuar, të stigmatizuar, të frikësuar.
Andaj, edhe po i avancojmë politikat, po forcojmë mekanizmat institucionalë dhe po rrisim buxhetimin e nevojshëm për zbatimin e ligjeve, dhe promovimin, respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut.
Sa i përket raporteve tona brenda Qeverisë dhe me Kuvendin e Republikës, për çfarë foli drejtorja Shabiu, kodi civil në mbledhjen ku jemi 19 veta është votuar. 19 veta janë 15 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe unë. Por duhet të votohet edhe në atë dhomën tjetër më të madhe ku janë 120. Dhe insistimi im është që ta bëjmë këtë. Po edhe ne kemi nevojë për ndihmë.
Kemi nevojë për më shumë vetëdijesim të të gjithëve, përfshirë deputetët, sidomos deputetët dhe për rritje të ndjeshmërisë. Pra, jo vetëm vetëdijesim por edhe ndjeshmëri, të dyja nevojiten. Dhe për këtë unë jam jo vetëm i gatshëm, po edhe i interesuar të bashkëpunojmë.
Dhe do të mund të bashkëpunojmë maksimalisht për aq sa më lejon funksioni, ligjshmëria e kushtetutshmëria që do të thotë të mos mund të merrem edhe me atë se kush është kryetar i një komisioni të caktuar parlamentar, ose kryetare pavarësisht se mund të kenë mendimet e mia.
Andaj në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve tuaja për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, për ata që ndjehen ekstra siç thuhet, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme. Pra, me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri.