Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun.
Gjatë këtij takimi, ata folën për shqetësimet e nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që i bëhet atyre nga institucionet qendrore e lokale të Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe në lidhje me pasivizimin e adresave.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e të gjithë shqiptarët atje, vijon e palëkundur. Përkrahja financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm po rritet tutje për Luginën e Preshevës, e ku tashmë do të ndahen 3 milionë euro. Fondet për mbështetje financiare në dy vitet e fundit janë vënë në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga Këshilltari Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafi, ndërsa Kryetari Lutfiu, shoqërohej nga nënkryetari i tij, Enkel Rexhepi, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.