Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi dje Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare. Si Koalicion, jemi krenarë që kemi udhëhequr pozicionin dhe aspiratat e organizatave jo qeveritare anëtare në këtë proces, me mbështetjen e madhe të Bashkimit Europian, Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Zyrës së UNICEF në Kosovë. Bashkërisht kemi arritur të përfshijmë në këtë ligj, vizionin e organizatave anëtare për të ardhmen e shërbimeve sociale.
Miratimi i këtij ligji, hap zyrtarisht rrugën drejt reformës së shërbimeve sociale në vend. Hartimi i projektligjit ishte proces i gjatë, intensiv dhe shumë sfidues, por që për KOMF dhe organizatat anëtare ishte i domosdoshëm. Në këtë rrugëtim si shoqëri civilie ishim me një zë të përbashkët me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale Kosovë. Nga ligji i ri pritet që fëmijët, familjet dhe qytetarët në nevojë të marrin shërbime sociale dhe familjare më cilësore dhe të qëndrueshme.
Shprehim vlerësimin për Ministren e Drejtësisë Haxhiu me Kabinetin e saj dhe grupin punues për finalizimin, procedimin efikas si dhe përfshirjen dhe integrimin kuptimplotë të shoqërisë civile përgjatë gjithë procesit të hartimit.
Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare sjell risitë si më poshtë:
- Rritjen e gamës së shërbimeve, themelimin e shërbimeve të reja duke përcaktuar shërbimet e parandalimit, mbrojtjes, rehabilitimit dhe re integrimit, duke garantuar kështu të drejtën në shërbime sociale për të gjithë fëmijët dhe personat në nevojë për shërbime sociale, pa marrë parasysh nivelin e urgjencës apo rrezikshmërisë.
- Krijimin e një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve sociale në mes të sektorit publik, jo qeveritar dhe atij privat. Skema e hapur dhe e qëndrueshme e ofrimit të shërbimeve sociale në mes të institucioneve publike, sektorit jo qeveritar dhe privat, ofron mundësi për gamë më të gjerë të ofrimit të shërbimeve sociale, shërbime të specializuara dhe më cilësore.
- Zhvillimin dhe fuqizimin e shërbimeve në familje dhe shërbimeve me bazë në komunitet, zgjerimin e formave të mbrojtjes, konkretisht zhvillimin e strehimit familjar pas arritjes së moshës 18 vjeçare zhvillimin e formës së re të mbrojtjes “Jetesa e pavarur e mbikëqyrur”.
- Ndarjen e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit.
- Fuqizimin e inspektimit përmes dhënies së kompetencave ekzekutive.
- Rregullimin e kontraktimin dhe financimin e shërbimeve sociale dhe familjare.
- Rregullimin e licensimit dhe edukimin e vazhdueshëm.
KOMF bën thirrje për ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, hartimin dhe miratimin e udhëzimeve administrative, informimin e të gjithë akterëve përgjegjës për risitë dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe ndarjen e buxhetit të nevojshëm për zbatimin e tij.
KOMF bashkë me organizatat anëtare është i gatshëm të mbështes proceset për zbatimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, thuhet në komunikatën për media e KOMF-it.