Policia njofton se si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë, nga fshati Muhovc (afër pikës së karburantit “Euromiti”), e deri në afërsi të fshatit Babush të Ferizajt, drejtimi i Prishtinës është vështirësuar për qarkullim të automjeteve, ndërsa në disa vende është bërë e pakalueshme.
Lusim qytetarët / shoferët e automjeteve që të përdorin rrugët alternative, autostradën “Arbën Xhaferi”, apo rrugët tjera, përmes qytetit të Lipjanit dhe Shtimës, në mënyrë që ti shmangen ndonjë bllokimi të tyre, deri në lirimin e plotë të rrugës.
Ndryshe, policia rajonale e Ferizajt është në të dy anët e rrugës magjistrale Ferizaj-Prishtinë dhe po orienton komunikacionin.
Për gjendjen e krijuar në këtë relacion janë njoftuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes kompania për mirëmbajtjen e rrugëve dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës të komunës së Ferizajt, ndërsa është njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Për informata tjera, deri në lirimin e rrugës për qarkullim të automjeteve do të njoftoheni me kohë, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.