Build Skills with our trainings

Sign up now!

Sveçla paralajmëron ashpërsimin të masave për shkelësit e rregullave në trafikun rrugor

Dhj 20, 2023

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku më drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku kanë folur për sigurinë në trafik, sidomos tashmë pas rasteve të fundit.

Me këtë rast ministri Sveçla ka folur për  ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik, sidomos pas vdekjeve të fundit të tre qytetarëve të Kosovës në aksident me gara ilegale me vetura.

Ndër masat e paralajmëruar që ka paraqitur ministri Sveçla janë:

  • Aktivizimi i të gjithë mekanizmave ndër-institucional për veprim në reagim dhe parandalim;
  • Inicimi I hetimeve disiplinore për përgjegjësi menaxheriale;
  • Lëvizja e dy komandantëve të trafikut;
  • Plan i ri operativ për sigurinë në trafik;
  • Kërkesa për ministrinë e infrastrukturës për radar dhe kamera;
  • Ashpërsimi i masave për kundërvajtje në ligjin për trafikun rrugor;
  • Adresimi ligjor për bartjen e përgjegjësit tek pronari i mjetit.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha tha se Policia e Kosovës për objektiv kryesor ka ngritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve.

Drejtori Hoxha vuri në dukje se me qëllim të përmbushjes së Planit Zhvillimor Strategjik të PK-së 2021-2025 ku një ndër objektivat parasheh modernizimin e pajisjeve për kontroll dhe mbikëqyrje të trafikut rrugor janë furnizuar me vetura me pajisje inteligjente ’smart patroll’, radar mobil që dëshmojnë kundërvajtjet në trafik, e po ashtu në të ardhmen synojmë të pajisemi me radar statik, pajisje për lëshimin e gjobave në mënyrë elektronike si dhe për një transparencë më të madhe të punës policore ndaj publikut kemi filluar përdorimin e kamerave të trupit për zyrtarë policorë të njësive të trafikut, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

 

Në mbrëmjen e së shtunës, të gjithë jemi njoftuar për një aksident të tmerrshëm që ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova” teksa po mbaheshin gara të jashtëligjshme automobilistike, me ç’rast familjet Delija, Syla e Bibaj humbën më të dashurit, fëmijët e tyre. Mbrëmë po ashtu humbëm edhe një qytetar në aksidentin që ndodhi në Podujevë. 

 

Sot jemi bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të diskutuar masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës në raport me organizimet e garave automobilistike të jashtëligjshme, për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik, për masat që ka ndërmarrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policor në trajtimin me prioritet ndaj organizimeve të garave të tilla ilegale dhe për veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarrim si institucione me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik. 

 

Vitin që po e përmbyllim edhe pak ditë, Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike, të cilat përveç që janë të dënueshme me ligjet e Republikës së Kosovës, shkaktojnë edhe rrezik të përgjithshëm për qytetarët në komunikacion si në rastin që veçse ndodhi këtë të dielë. 

 

Në rastin konkret të së shtunës, Policia e Kosovës të njejtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në shumë mediume të ndryshme, të njejtët kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie e rrezikim në komunikacion ndërsa njërit prej tyre këtë vit i ishte konfiskuar patentshoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të atij momenti. 

 

Referuar angazhimit të Policisë së Kosovës për sigurinë në trafik, brenda këtij viti njësitet e komunikacionit kanë realizuar plane të veçanta operative që kanë pasur për qëllim uljen e rrezikut të shkaktimit të aksidenteve. 

 

Për të siguruar efikasitet të zyrtarëve policor dhe mos-kompromis me shkelësit e rregullave në komunikacion, zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore ndërsa janë aktivizuar edhe veturat me pajisje inteligjente (smart-patrol) për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion. Në lokacione kyçe janë vendosur edhe zyrtarët me radar dore ndërsa janë kryer patrullime në komunikacion edhe nga njësia e zyrtarëve me motoçikleta dhe skuterë. 

 

Përkundër të gjitha masave të lartëpërmendura dhe jo vetëm, duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe jetëve të humbura në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të veprimeve tona dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis. 

 

Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni duke përfshirë edhe këmbësorë. Nuk kemi asnjë qytetarë për të humbur, veçanërisht për shkak të pakujdesisë së dikuj apo mosrealizimit të detyrave të zyrtarëve tanë.

 

Bashkë me Drejtorin e Policisë jemi takuar e kemi biseduar gjërësisht për veprimet që duhet të ndërmarrim me urgjencë dhe ditëve në vijim, do të aktivizojmë të gjithë mekanizmat tanë ndër-institucional për veprim në reagim dhe parandalim. Nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj personave që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit e që me veprimet e tyre shkakojnë raste edhe me fatalitet. 

 

Në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Mjedis bashkë me Policinë e Kosovës përmes 60 takimeve, 1 dëgjimi publik dhe 1 punëtorie, kanë finalizuar amandamentet për plotësim ndryshimin e Ligjit për Rregullat e trafikut rrugor dhe me këtë rast parashihet të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve të rregullave në komunikacion ndër të tjera dyfishim të vlerës së gjobave monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentshoferëve dhe dyfishim të pikëve negative. Me plotësim ndryshimin e ligjit parashihet që përgjegjësia e shkeljeve në komunikacion të rëndojë mbi pronarin e veturës. Të gjitha këto ndryshime, do të mundësojnë vazhdimin e investimeve teknologjike për detektimin dhe parandalimin e shkeljeve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion. 

 

Para se të ja kaloj fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shprehë ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjithë familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në komunikacion. 

 

Duke pasur parasysh që këto ditë presim edhe ardhjen e mërgatës sonë dhe rritje të fluksit në komunikacion, apeloj për respektim të rregullave dhe kujdes të shtuar në komunikacion. 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM