Me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, mori pjesë në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues institucionalë të vendit dhe ata nga shoqëria civile.
Në fjalën e saj para pjesëmarrësve, Ministrja Gërvalla fillimisht prezantoi sukseset që janë arritur gjatë këtij viti sa i përket forcimit të shtetit të së drejtës, por edhe sfidat e jashtëzakonshme me të cilat është përballur Republika e Kosovës.
Ministrja vuri theksin tek nevoja për forcim të strukturave të sigurisë dhe drejtësisë, pasi që siç tha ajo dhuna ndaj grave dhe vajzave në Republikën e Kosovës është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me defektet në sistemin e drejtësisë, me kulturën patriarkale dhe informimin jo të mjaftueshëm të të rinjve dhe viktimave të kësaj dhune.
Duke folur për sukseset në etapat e para gjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Ministrja Gërvalla vuri në pah faktin se anëtarësimi i vendit në këtë organizatë do t’i shërbej jo vetëm forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, por edhe realizimit të të drejtave individuale të grave dhe vajzave, të cilat do të kenë edhe një derë të hapur për t’iu drejtuar institucioneve ndërkombëtare.
Gjatë adresimit të saj para krerëve institucionalë të vendit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, Ministrja Gërvalla shtroi nevojën e krijimit të një koalicioni mbarëshoqërorë në nivel vendi për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Nuk mjaftojnë ligjet, nuk mjaftojnë reformat, por koalicioni duhet të jetë mbarëshoqërorë, ku përfshinë edukimin, mediat, institucionet e sigurisë, besimin ndaj tyre, institucionet e drejtësisë dhe reformën e domosdoshme të këtij sistemi sepse mungesa e aktakuzave vërtetë inkurajon kriminelet dhe nuk i shërben uljes së dhunës dhe nuk ka arsyetim për mos ndjekjen penale të atyre të cilët në mënyrë të hapur kryejnë akte të dhunës të çfarëdolloj natyre në Republikën e Kosovës, theksoi Ministrja Gërvalla në përfundimin e fjalimit të saj, thuhet në komunikatën për media e MPJD-së.