Me ftesë të Presidentes së vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Fjalën e tij kryeministri Kurti falënderoi presidenten Osmani për mundësinë që t’i drejtohej për të arriturat dhe sfidat, në fushat e sundimit të ligjit dhe parandalimit të dhunës mbi baza gjinore. Ai tha se Qeveria jonë i sheh këto dy fusha si të ndërlidhura, madje të pandashme.
“Një ndër definicionet më të thjeshta, po edhe të mira besoj të demokracisë është ligji mbi politikën, dhe kjo do të duhej të jetë gjithandej tërë kohën’’, u shpreh ai.
Duke folur për vështirësitë, sfidat e hasura gjatë këtij mandati por dhe progresin e arritur e sukseset që kanë ndodhur e që pritet të ndodhin në të ardhmen gjatë qeverisjes, kryeministri Kurti shtoi se është obligimi ynë, kushtetues, ligjor dhe moral, që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt një shoqërie ku të gjithë qytetarët dhe qytetaret, gratë e burrat, vajzat e djemtë, trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga seksi apo gjinia e tyre.
Në këtë drejtim, ai kujtoi fjalët e pavdekshme të një luftëtari për barazinë para ligjit, Martin Luther King, Jr.: “Harku i gjithësisë së moralit është i gjatë por përkulet drejt drejtësisë” (Në anglisht: “The arc of the moral universe is long, but it bends toward justice”), thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Ju faleminderit, znj. Presidente, për ftesën që të marr pjesë në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Faleminderit edhe për mundësinë që t’ju drejtohem për të arriturat dhe sfidat, në fushat e sundimit të ligjit dhe parandalimit të dhunës mbi baza gjinore. Në fakt, Qeveria jonë i sheh këto dy fusha si të ndërlidhura, madje të pandashme. Një ndër definicionet më të thjeshta, po edhe të mira besoj janë të demokracisë është ligji mbi politikën, dhe kjo do të duhej të jetë gjithandej tërë kohën.
Por, le të fillojmë pra me sundimin e ligjit, i cili në njërën anë është i lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut e në anën tjetër me vet nocionin e demokracisë. Të arriturat e Qeverisë në forcimin e shtetit të sundimit të së drejtës janë tashmë të njohura, si në Kosovë, ashtu edhe ndërkombëtarisht. Posaçërisht në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, të dhënat zyrtare flasin qartë për suksese, në çdo cep të Republikës. Gjatë mandatit aktual, 34 rrugë ilegale janë mbyllur, prej tyre 26 në veri të vendit. 16 laboratorë të drogës janë shkatërruar, 9 prej tyre po ashtu në veri. Mbi 2.2 tonë substanca narkotike janë konfiskuar dhe mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimit të shpërlarjes së parave. 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës. Progresi ynë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit është konfirmuar edhe ndërkombëtarisht, si për shembull, nga Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i organizatës Transparency International, ku Kosova është përmirësuar për 20 vende në vetëm dy vjet.
Ne kemi pasur sfidë të madhe sa i përket sundimit të ligjit në veri të vendit, ku grupe të organizuara të orkestruara nga Beogradi janë përpjekur që t’i vënë një mbështjellje politike krimit të tyre të organizuar, njerëz të cilët ne i njohim mirë nga kontrabanda dhe krimet e ndryshme gjatë këtyre viteve të pasluftës, përnjëherë janë përpjekur që të shfaqen si agjentë me kauza politike. Mirëpo, është e qartë se më këtë rast edhe vet popullsia atje nuk i ka mbështetur ata dhe është element i optimizmit tonë si Qeveri, që për dallim prej le të themi tri dekadave, nuk ekziston më nacionalizmi i masave si lëndë djegëse për makineritë luftarake të diktatorëve. Ka vetëm grupe të organizuara kriminale të cilat imitojnë “Wagneret e Ujqit e natës”, mirëpo ata nuk kanë mbështetje në popull dhe ata shteti ynë i ka përballur me forcën e ligjit.
Ajo çfarë më duhet megjithatë të theksoj është se ka shumë informata për krimet vjet dhe sivjet. Vjet kur kishim barrikada paramilitare, sivjet kur kishim sulme paramilitare, por këto informata të shumta ndonëse janë shndërruar në hetime të shumta, nuk janë reflektuar në aktakuza të shumta. Kemi shumë pak aktakuza për krimet e panumërta të kryera ndaj qytetarëve, rendit tonë kushtetues e juridik, integritetit territorial dhe ligjit në Kosovë, si në vitin 2022 ashtu në vitin 2023.
Edhe atëherë kur ka pasur arrestime edhe akuza, ka pasur lirime në arreste shtëpiake, ka pasur trajtim i cili nuk ka dekurajuar kriminelët.
Në anën tjetër një sfidë si Qeveri që e kemi pasur është fakti që reformat tona kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nga 16 nëntori i vitit të kaluar deri më 2 nëntor të këtij viti, pra një vit minus dy javë i kemi dhjetë ligje super të rëndësishme të reformës sonë me të cilën kemi marrë besimin e qytetarëve në shkurt të vitit 2021, nën sloganin “Drejtësi dhe Punësim’, të cilët ose ngelen të ngujuara në Gjykatën Kushtetuese ose janë rrëzuar apo deformuar aty.
Dhe, ne të gjithë e dimë Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka Komisionin Parlamentar për legjislacion, dhe të gjitha çështjet e ligjeve të cilat sponsorohen nga Qeveria dhe më pastaj votohen nga Kuvendi trajtohen aty. Mirëpo, kemi një lloj aktivizmi të çuditshëm i cili na i vonon neve reformat dhe e humbet kohën e çmuar të popullit të Kosovës dhe të republikës sonë si shtet. Pra, dhjetë ligje për më pak se një vjet të ngujuara për muaj e muaj të tërë në Gjykatën Kushtetuese.
Sundimi i ligjit, në kuptimin e mirëfilltë të konceptit, shkon përtej zbatimit të ligjeve aktuale. Përveç kësaj, sundimi i ligjit ngërthen në vete parimin që çdo individ duhet të konsiderohet dhe trajtohet si i barabartë para ligjit. Ky është kuptimi thelbësor i thënies “sundimi i ligjit dhe jo i njerëzve”. Ligjet tona aktuale, pra, nuk duhet të merren si të mirëqena. Përkundrazi, ato duhet të reformohen vazhdimisht për të parandaluar sundimin e disa individëve apo grupeve mbi të tjerat apo kundër shtetit. Zbatimi i këtij parimi është një ndër sfidat më të vështira me të cilat përballemi, sidomos në rastin e grave dhe vajzave, karshi burrave dhe djemve.
Përballë kësaj sfide, kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm. Mes tyre ka qenë përmirësimi i legjislacionit penal për trajtimin e rasteve të dhunës mbi baza gjinore. Në këto raste, sistemi ynë gjyqësor shpeshherë iu është përgjigjur krimeve të rënda me dënime të lehta. Shumë prej këtyre rasteve, po ashtu, nuk janë hetuar apo shqyrtuar me urgjencën e duhur.
Këtë vit, kemi shënuar progres të dukshëm në adresimin e këtyre dy problemeve.
Me propozim të Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendi ka miratuar Ligjin Nr. 08/L-188 për plotësim/ndryshim të Kodit Penal. Ky ligj parasheh ashpërsimin e dënimeve për veprat penale të dhunimit dhe të dhunës në familje, duke përfshirë, për shembull, ndalimin e drejtimit të automjetit dhe ndalimin e kandidimit për pozita publike, për një periudhë të caktuar kohore. Me këtë reformë, dhunuesit nuk do të lejohen më që të vazhdojnë jetën e tyre sikurse nuk ka ndodhur asgjë.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe Ligjin Nr. 08/L-187 për plotësim/ndryshim të Kodit të Procedurës Penale, duke paraparë që, për veprat e dhunimit dhe dhunës në familje, hetimi duhet të kryhet brenda afatit prej një viti. Ndërsa, shqyrtimi gjyqësor i këtyre rasteve duhet të përfundojë brenda 60 apo 90 ditësh kur shqyrtimi mbahet nga një gjyqtar i vetëm, dhe 90 ditësh kur mbahet para një trupi gjykues. Kjo do të sigurojë që më shumë raste të trajtohen me urgjencën e duhur.
Vlen të theksohet se këto reforma kanë qenë të domosdoshme jo vetëm moralisht, por edhe juridikisht. Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje apo “Konventa e Stambollit”, siç njihet ndryshe, është tashmë pjesë e Kushtetutës tonë. Aty përcaktohet shprehimisht, se po citoj: “Palët marrin masat e nevojshme legjislative … për të mbrojtur të gjitha viktimat nga akte të mëtejshme të dhunës”. Ndryshimet legjislative të miratuara sivjet, tek ne, pra, kanë qenë disa ndër këto “masa të nevojshme legjislative”, që i parasheh “Konventa e Stambollit”.
Këto reforma të legjislacionit penal, ndonëse të domosdoshme, akoma nuk janë të mjaftueshme. Sepse nuk mund të luftojmë në mënyrë efikase dhunën mbi baza gjinore, nëse nuk i adresojmë njëkohësisht rrënjët e kësaj dukurie në mentalitetin dhe praktikat patriarkale, shfrytëzuese, diskriminuese. Ky mentalitet dhe këto praktika janë të pranishme e madje edhe mbizotërojnë ende në qarqe të ndryshme të shoqërisë sonë. Sipas Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, po ashtu pjesë e Kushtetutës sonë, shtetet anëtare obligohen që po citoj: “për të ndryshuar karakteristikat dhe modelet shoqërore e kulturore të sjelljes së burrit dhe të gruas, në mënyrë që të arrijnë të zhdukin paragjykimet dhe praktikat zakonore, dhe të gjitha praktikat e tjera, që mbështeten në idenë e inferioritetit apo të superioritetit të njërit apo të tjetrit seks, ose në rolet stereotipe të burrit dhe të gruas”, mbaron citati. Pa i ndryshuar këto paragjykime dhe praktika, suksesi i luftës sonë ndaj dhunës mbi baza gjinore do të ngelet i kufizuar.
Kjo është një prej arsyeve pse Qeveria ka ndjekur atë që quhet në anglisht, “whole-of-government approach”, pra një qasje holistike ku shfrytëzohet e tërë Qeveria, jo vetëm një dikaster, për të avancuar ndonjë prioritet të caktuar.
Sigurisht, reformimi i legjislacionit penal luan një rol edhe në ndryshimin gradual të stereotipeve të dëmshme. Në këtë drejtim, si pjesë e plotësimit/ndryshimit të Kodit Penal, kemi shtuar një vepër të re penale, përkatësisht, vepra e obligimit të personit tjetër për të kryer ekzaminim me qëllim të testimit të virgjërisë.
Përveç kësaj, kemi shfrytëzuar edhe mjete të tjera në dispozicionin e Qeverisë, siç janë, për shembull, bursat për vajza në STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë. Në më pak se tre vjet qeverisje, kemi shpërndarë 4,630 bursa të tilla, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e vajzave në këto fusha, ku për shkak të paragjykimeve seksiste, ato nuk kanë qenë të përfshira sa duhet. Qeveria gjithashtu ka ndërmarrë masa për të përforcuar pavarësinë financiare të grave. Këtë e kemi bërë me programin tonë për shtesat për fëmijë dhe lehona. Deri më tani, rreth 90 mijë gra kanë hapur për herë të parë llogari bankare si rezultat i këtij programi për fëmijë dhe lehona. Do të thotë kemi arritur që gjithashtu ta kemi pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në veprimtarinë ekonomike jashtë familjes, shumë më të madhe se sa përpara. E këtu padyshim që masa “Mbështetja për punësim të grave”, e cila është rihapur në dhjetor të vitit të kaluar, me përfituese 522 gra, ka ndikuar ndërkaq përmes Superpunës, janë punësuar 8,496 të rinj, shumica prej tyre vajza: 4,311 gjithsej. Ideja që gruaja e ka vendin në shtëpi, nuk ka vend në shoqërinë tonë. Për të gjithë të rinjtë nën moshën 25 vjeçare krahasuar me vitin 2021, sot që po flasim është dyfishuar numri i të punësuarve dhe në këtë dyfishim gratë janë mbi 50 për qind. Pra, te rinia po ndodhë diçka e madhe. Dhe pikërisht kjo do të jetë ndryshimi i madh socio-politik i yni në disa vite në vijim po gjithsesi brenda kësaj dekade.
Sigurisht, nuk mundemi, as nuk duhet të ndalemi me kaq. Luftimi i mendësisë patriarkale dhe praktikave diskriminuese nuk është i lehtë, as i shpejtë. Dhe ndikimi i kësaj lufte në uljen e rasteve të dhunës, është akoma më indirekt dhe afatgjatë. Jetojmë në një kohë kur, çdo disa muaj, përballemi me raste tronditëse të dhunës ndaj grave dhe vajzave, me efekte fatale, secili rast më i tmerrshëm se tjetri. Përballë këtyre rasteve, do të ishte e kuptueshme nëse një pjesë e qytetarëve humbin shpresë që kjo situatë makabër do të përmirësohet me kalimin e kohës. Por megjithëkëtë, e kemi për detyrë që të mos dorëzohemi e të punojmë edhe më shumë. Është obligimi ynë, kushtetues, ligjor dhe moral, që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt një shoqërie ku të gjithë qytetarët dhe qytetaret, gratë e burrat, vajzat e djemtë, trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga seksi apo nga gjinia e tyre. Në këtë drejtim, më lejoni të përfundoj me fjalët e pavdekshme të një luftëtari për barazinë para ligjit, Martin Luther King, Jr. i cili thotë që: “The arc of the moral universe is long, but it bends toward justice”, në një përkthim të improvizuar këtu për këtu nga ana ime “Harku i gjithësisë së moralit është i gjatë por përkulet drejt drejtësisë”.