Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Myftiun e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, gjatë pasdites së sotme vizitoi Artanën, me rastin e restaurimit të tërësishëm të Xhamisë së Osman Efendisë dhe Tyrbes së Mehmetit të Vjetër.
E njohur ndryshe për banorët e Artanës, si Xhamia/ Mesxhid i Çarshisë, është njëra ndër së paku 5 xhamitë e vetme sa ishin të ndërtuara në periudhën osmane (1455 – shek. XX). Ndërsa, sot kjo është Xhamia e vetme në qytetin e Artanës, dhe si e tillë është renditur në listën e monumenteve në mbrojtje të përkohshme, që ndodhet brenda zonës së veçantë e mbrojtur “Qyteti Mesjetar i Novobërdës”.
Në anën tjetër, Tyrbja e Sheh Mehmetit, i është ndërtuar personit me emrin Mehmeti i Vjetër, dhe ka shërbyer për kryerjen e ceremonive fetare të njërit prej 12 sekteve të dervishëve.
Këto janë dy nga 20 monumentet e trashëgimisë kulturore të cilët janë restauruar në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse për dialog ndër-komunitar dhe kohezion shoqëror”.
Në kuadër të këtij programi dy monumentet e lartpërmendura janë restauruar në tërësi, duke siguruar ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, dhe njëkohësisht duke i kthyer monumentet në shërbim të komunitetit fetar dhe qytetarëve. Ky program është bashkëfinancuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe është zbatuar nga UNDP.
Kryeministri Kurti, ministri Çeku dhe Myftu Tërnava pas vizitës po ashtu zhvilluan një takim të shkurtër, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.