Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike. Këtë vit, përbrenda thirrjes kemi kënaqësinë të prezentojmë edhe dy kategori të reja, të zhvillimit të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar si dhe kategorinë për film të shkurtër studentor.
Poashtu, risi e kësaj thirrjeje është edhe zgjerimi i mbështetjes në bashkëprodhimin minor ku këtë vit përfshihet edhe filmi dokumentar. E njëjta vlen edhe për kategorinë post-produksion për film të metrazhit të gjatë, të cilit i shtohet edhe filmi dokumentar. Ndërkaq, tash e tutje, skenaristët kanë mundësinë të aplikojnë për mbështetje si skenaristë të pavarur në kategorinë Zhvillim i Skenarit.
Përmes subvencionimit, projektet filmike do të mbështetën në këto kategori:
– FILM I METRAZHIT TË SHKURTËR ARTISTIK
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – PËR REGJISORËT DEBUTANTË
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – DOKUMENTAR
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK
– ZHVILLIM I SKENARIT PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK DHE I ANIMUAR
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – I ANIMUAR
– POST-PRODUKSION PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK DHE DOKUMENTAR
– BASHKËPRODHIM MINOR PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË
– ZHVILLIM I PROJEKTIT PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK, DOKUMENTAR DHE TË ANIMUAR
– FILM I METRAZHIT TË SHKURTËR – DOKUMENTAR
Aplikimi bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK.
Për më shumë informata rreth kategorive përkatëse, klikoni në kutinë KONKURSI në uebsajtin tonë.
Afati i aplikimit për mbështetje të projekteve filmike: 20.12.2023 – 24.01.2024, thuhet në faqen zyrtare të QKK-së.