Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjen besimtarëve krishterë dhe banorëve të huaj të krishterë në shtetin tonë.
Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se lindja e Jezu Krishtit është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht, e cila përmbushë vullnetin e Perëndisë sot, tani dhe gjithmonë. Përmbushja e vullnetit të Zotit nuk njeh kalimin e kohës, por mbetet “gjithmonë tani” e përjetësisë. Ata që marrin paqen e Krishtit, vetë bëhen paqebërës dhe pjesëmarrës në lumturinë e Perëndisë. Të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë dhe mundohen për të mirën publike, për mirëqenien e përgjithshme dhe për të ardhmen tonë të përbashkët!
Lindja e Jezu Krishtit para më shumë se dy mijë vitesh, si ardhje e lajmit të mirë mes njerëzish, përçoftë edhe më tutje çdo ditë fjalën e Perëndisë në zemrat e atyre që besuan. Urime Krishtlindja të gjithë katolikëve dhe protestantëve si dhe urime atyre ortodoksëve që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor.
Ndër ne shqiptarët, kjo kohë festash përkon edhe me festën e Buzmit bujar, fillimit të zgjatjes së ditës dhe ditëknelljen, që në besimet popullore shqiptare festohet nën ngrohtësinë e zjarrit të vatrave tona. Andaj shkurt e shqip: urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar!