Me ftesë nga Selia e Shenjtë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mori pjesë në meshën e Krishtlindjes, që u mbajt të dielën mbrëma në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe në kremten ku Papa Françesku dha mesazhin e tij vjetor të Krishtlindjes “Urbi et Orbi”, që u mbajt sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Nga Selia e Shenjtë në Vatikan, Ministrja Gërvalla ka uruar të gjithë besimtarët katolik, duke i dëshiruar paqe dhe dashuri.
“Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet nga Basilika e Shën Pjetrit në Vatikan, ku me ftesë të Selisë së Shenjtë morëm pjesë në meshën në vigjilje të Festës së Krishtlindjes. Paqja dhe dashuria mbretërofshin në vendin tonë dhe të gjitha vatrat tona”, tha ministrja Gërvalla, duke theksuar se ndihet e nderuar, e prekur dhe krenare që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në kremtimet e Krishtlindjes në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Në mesazhin e tij tradicional të Krishtlindjes në bekimin e mesditës “Urbi et Orbi” në Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku, bëri thirrje që Krishtlindja të sjellë paqe në gjithë botën dhe ta kthejë pikëllimin në gëzim dhe gjithashtu të ndalet dhuna dhe të ndihmohen të gjithë ata që vuajnë, thuhet në komunikatën për media e MPJD-së.