Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në prag të Vitit të Ri, ka vizituar Klinikën Emergjente dhe atë të Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Presidentja tha se puna e stafit mjekësor ndaj shëndetit të pacientëve edhe në kohë të ndërrimit të motmoteve, larg familjeve të tyre, tregon përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm.
Gjatë vizitës, presidentja Osmani u informua për punën e tyre përgjatë këtij viti, si dhe për sfidat me të cilat po përballet sektori i shëndetësisë. Presidentja shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin e të gjithë stafit në këto klinika, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.
Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë, për të siguruar kushte më të mira pune për mjekët dhe shërbime më cilësore për pacientët, me ç’rast konfirmoi mbështetjen e plotë dhe përkushtimin për vazhdim të bashkëpunimit edhe me partnerë të shumtë në këtë drejtim.
Presidentja Osmani ju ka uruar të gjithë profesionistëve shëndetësor mbarësi dhe suksese në vitin e ri 2024, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.