E.A, 20 vjeçare nga komuna e Kaçanikut, kishte fituar bursë studimi (100 për qind) për studime në universitetin Rochester Institute of Technology Croatia (RIT) në Kroaci, por e kishte humbur atë mundësi sepse nuk kishte arritur të pajiset me vizë nga ana e Ambasadës Kroate.
Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, E.A. dhe shumë të rinjëve tjerë nga Kosova, i ka kushtuar me humbjen e mundësisë për të pasur shkollimin që dëshirojnë.
E.A. tregon për KosovaLive se humbi bursën për studime Bachelor në Kroaci,me arsyetimin nga ambasada se nuk i kishte mbushur 18 vjeç.
“Kam aplikuar për vizë në Kroaci po më është refuzuar viza. Fillimisht më është kërkuar leja e prindërve, të gjitha dokumentet kanë qenë në rregull e në fund vetëm për shkak se unë nuk i kisha 18 vjet, më thanë se nuk kam të drejtë të dal jashtë vendi”, thotë E.A.
Ajo tregon se pasi nuk kishte arritur të pajisej me vizë, e kishte njoftuar Universitetin Rochester Institute of Technology Croatia (RIT) për rastin, ndërsa ata i kishin dhënë edhe një mundësi pas 2 muajsh, duke i thënë që tani ka të drejtë aplikimi të sërishëm për vizë. Por tashmë, E.A., veçse kishte nisur studimet në Universitetin e Prishtinës, dega e Arkitekturës.
Por ajo nuk ka hequr dorë nga synimi për të studiuar jashtë vendit. Ajo ka fituar bursë studimi edhe në “Michigan State University” në Amerikë, por thotë se procedura për t’u pajisur me vizë tek ambasada amerikane është procedurë më e gjatë.
“Në qoftë se ne do të kishim lëvizje të lirë, kurr nuk do të studioja në Kosovë, edhe një prej synimeve të mia është tash që Masterin me vazhdu në Austri. Jam munduar t’i gjej disa lidhje/informata, ta fitoj një bursë, dhe të vazhdoj më tutje”, thotë E.A
E liberalizimin e vizave, ajo thotë se do ta shfytëzonte për të dalë jashtë shtetit dhe për të parë vende e kultura tjera, por në asnjë mënyrë nuk do të migronte për të jetuar përgjithmonë jashtë Kosovës.
Bursë për studime jashtë vendit ka fituar edhe një tjetër i ri nga komuna e Kaçanikut. Arton Jakupi, 18 vjeçar, ka fituar bursë për studime në Chicago të Amerikës, në “Valparaiso University” (VALPO).
Si fitues burse për studim jashtë vendit këtë vit, u shpreh se nëse ishin liberalizuar vizat, do të kishte qenë shumë më lehtë që të udhëtojë më shpeshë.
“Nëse nuk më aprovohet viza, për në Amerikë, e gjithë puna ime do të shkojë dëm, dhe nuk më mbetet tjetër opsion veçse të vazhdoj studimet në një nga universitetet vendore”, u shpreh i brengosur Artoni.
Një kategori të cilën e ka penalizuar më së shumti mosliberalizimi, janë edhe personat të cilët kanë arritur moshën madhore në Kosovë, ndërsa prindërit i kanë në vendet perëndimore.
Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe shumë të rinjë nga Kaçaniku.
Laura Baftiri, psikologe nga komuna e Kaçanikut, është në mesin e të rinjëve që e ka pasur fatin të jetojë pa prindërit pranë. Babai i saj tash e 3 vite jeton në Gjermani, e pas një kohe edhe nëna e saj i është bashkangjitur atij. Laura dhe motra e vëllai i saj nuk kanë mundur t’i bashkohen prindërve për shkak se kanë arritur moshën madhore.
Për shkak të problemit me vizat, Laura nuk ka mundur t’i vizitojë asnjëherë prindërit pasi disa herë iu refuzua viza, e arsyet pse i është refuzuar nuk i di as ajo.
Laura thotë ta ketë pasur shumë të vështirë jetën larg prindërve, pavarësisht faktit që janë të rritur.
“Në fillim çdo gjë ka qenë shumë e vështirë dhe ka qenë një barrë shumë e rëndë për ne por më është dashur t’ia dal në çdo gjë e vetme”, thotë Laura.
Ajo thotë se liberalizimi i vizave do t’i ndihmonte shumë asaj dhe gjithë shoqërisë kosovare pasi rinia, kanë nevojë të dalin dhe të shohin vende e kultura të ndryshme.
Mosliberalizimi i vizave për të rinjtë është një sfidë e cila ende është aktuale për Republikën e Kosovës. Të rinjtë janë ata të cilët po largohen nga vendi i tyre i lindjes për shumë arsye, si papunësia, për një shkollim më efektiv, një perspektivë.
Sipas Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur kriteret për arritjen e liberalizimit, por liberalizimi ende nuk është duke ndodhur.
Edhe në Kaçanik sikur edhe në komunat tjera, të rinjtë janë ata që në pamundësi të udhëtimit pa viza, zgjedhin formën e migrimit nëpër Evropë përmes rrugëve tjera legale ose jolegale.
Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, thotë se nuk kanë ndonjë shifër të saktë të të rinjëve të larguar nga kjo komunë.
“Nga ajo që vërehet, kemi mungesë të fëmijëve në përgjithësi nëpër shkolla dhe kjo pak a shumë nuk kemi të dhëna të sakta, por një pjesë e mirë e rinisë kaçanikase është larguar”, thotë Ilazi.
Ai sqaron se komuna dhe vetë ai e kanë pasur shumë të vështirë të ndikojnë në këtë aspekt pasi nevojitet ndihma nga niveli qendror.
“Komuna e Kaçanikut pa një mbikëqyerje të nivelit qendror e kemi problem për të zgjidhur këtë problem që është shumë aktual”, thotë Besim Ilazi, kryetar i Komunës së Kaçanikut.
Duke pritur për vizë është edhe Ardit Mezini, 23 vjeçar, mësues i Edukatës Muzikore në Komunën e Kaçanikut, aty ku lindi dhe u rrit. Ai, muaj më parë kishte caktuar një termin për të aplikuar për vizë në Ambasadën e Gjermanisë, por lloji i vizës për të cilën do të aplikojë nuk është turistike. Ai, siç kanë vepruar shumë të rinj të tjerë vitet e fundit, do të aplikojë për vizë pune e arsyeja e kësaj nuk ndryshon nga ajo e shumë të rinjëve tjerë kosovarë.
“Për mua personalisht, puna do të ishte një prej benefiteve ndoshta. Po e them këtë për arsye se tash jemi në moshën që pritet prej nesh të punojmë më shumë, të fitojmë më shumë (para), të krijojmë një bazë”, thotë Mezini.
Për të bërë termine në ambasadat në Kosovë apo vetëm për të marrë biletë për vajtje jashtë vendit, njerëzit drejtohen tek agjencitë e udhëtimit.
Shkumbin Retkoceri, menaxher në Agjencinë e Udhëtimit “Exlusive Trade” me zyrë në Ferizaj dhe në Prishtinë, thotë se nuk kanë ndonjë statistikë se sa të rinjë kanë aplikuar për vizë, por se ka një numër të madh.
“Është një fluks tejet i madh i të rinjëve që po largohen nga Kosova për të punuar jashtë vendit”, thotë Retkoceri.
Qytetarët ankohen se procedura e pajisjes me vizë është e gjatë dhe e mundimshme ku kërkohen një grumbull dokumentesh. Të njëjtën e pohon edhe menaxheri i “Exclusive Trade”, i cili thotë se termini për të aplikuar për vizë turistike, zgjat dy deri në tre muaj, kurse për vizë pune, qytetarët presin që të aplikojnë nga një deri në dy vite.
Presidenti i Kosovë Hashim Thaqi kishte kushtëzuar vazhdimin e dialogut me Serbinë edhe me liberalizimin e vizave. Sipas tij, nëse arrihet liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës atëherë do të ndodh dialogu me Serbinë, ndryshe nuk do të ndodh.
Si rezultat i stagnimit të këtij procesi, kosovarët janë penalizuar më së shumti.
Të rinjtë synojnë vendet perëndimore si Zvicra dhe Gjermania- e cila është destinacioni i tyre kryesor. E arsyet për këtë lidhen me perspektivën e punës, e një edukimi efektiv dhe shumë arsye tjera të cilat të rinjtë po i adresojnë tek organizatat apo dhe tek familjet e tyre.
Këshilli Rinor i Kosovës (KYC), është organizatë joqeveritare e cila funskionon që nga vitit 1999, dhe ka një shtrirje në 30 komuna të Kosovës ku mbahen aktivitete, trajnime për nxënësit e vendit, por ata angazhojnë edhe të rinjët e komuniteteve serbe dhe atyre jo shumicë. KYC, duke qenë pjesë e Byros Evropiane të Këshillave të Nxënësve (OSBEU), u krijon mundësi që të ndjekin aktivitete jashtë vendit, nxënësve që janë përfaqësues të Këshillave nga e gjithë Kosova, e nga këto vizita, thuhet se përfitojnë shumë këta të fundit.
“Çdo herë që kthehen nxënësit në Kosovë, e vërejmë që këto aktivitete kanë ndikuar shumë në zhvillimin e tyre në aspektin se si i shohin problemet tani dhe si duan t’i trajtojnë ato,”, thotë Ditjon Fetahu, menaxher i projekteve në KYC.
Aktivitete të shumta me të rinjtë organizohen edhe nga Këshillet Lokale të të Rinjëve që funksionojnë nëpër komunat e Kosovës. Një funksion të tillë e kryen edhe Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Kaçanik.
Ardijana Tusha, kryetare e Këshillit të Veprimit Lokal në Kaçanik u shpreh se kjo qendër ka shpërndarë shumë pozitivitet për të rinjët e kësaj komune.
“Nga takimet me maturantët, kuptojmë se ata janë shumë të interesuar që nëse jo Bachelor-in të paktën studimet master t’i përfundojnë jashtë vendit ose anasjelltas”, thotë Tusha.
Ajo thotë se është në dijeni të rasteve në komunën e Kaçanikut, që kanë fituar bursë studimi jashtë vendit por e kanë humbur atë si pasojë e asaj që nuk kanë arritur të pajisen me vizë.
E njejtë është gjendja e të rinjëve edhe në komunat tjera të Kosovës.
Edhe Komuna e Drenasit ka zhvilluar shumë aktivitete dhe trajnime për të rinjtë e saj, qëllimi i të cilave ishte ngritja e vetëdijes tek të rinjtë që të mos largohen nga vendi i tyre duke synuar kushte më të mira, por ato t’i kërkojnë në vendin e tyre dhe të punojnë shumë për të.
Një pjesë e aktiviteteve janë implementuar nëpërmjet Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Drenas e cila funksionon në kuadër të Këshillit Rinor të Kosovës (KYC). Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, KVRL synon të ngjallë aktivitetin brenda çdo të riu, t’i nxisë që të marrin pjesë më shumë në shoqëri dhe të zhvillojnë një rreth shoqëror më të gjerë.
Donika Zogaj, kryetare e KVRL-së në Drenas, thotë se të rinjtë vetëm duhet të punojnë më shumë sepse mundësitë për tu zhvilluar ekzistojnë edhe këtu.
”Të rinjtë janë dëshpruar pak prej Kosovës, po mendojnë që nuk kanë perspektivë por mundësitë ekzistojnë edhe këtu, por përderisa nuk e din një i ri se çka është duke dashur, është pakëz problem”, u shpreh ajo.
Në vitin 2018, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se Kosova është gati të fitojë lëvizjen e lirë për qytetarët e saj, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende ndërsa populli vazhdon të shpresojë se kjo do të ndodhë së shpejti.
Me liberalizimin e vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në 29 vende të BE-së për 90 ditë në një periudhë kohore prej 180 ditësh.
Ambasadori gjerman Christian Heldt në një video të publikuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë me rastin e kryesimit gjerman të Këshillit të Bashkimit Evropian, drejtuar qytetarëve të Kosovës, u shpreh se gjatë periudhës gjashtëmujorëshe do të punohet më shumë rreth çështjeve aktuale, në mesin e të cilave edhe dialogu me Serbinë si dhe arritja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në fjalimin e ambasadori Kristian Heldt, të publikuar në uebfaqen e Ambasadës Gjermane, thuhet se liberalizimi do të ndodhë shumë shpejtë dhe se kjo do të ndodhë, siç tha ai, për shkak të gjeneratës së re e cila më në fund meriton të zbulojë BE-në pa procedura të gjata dhe pa pengesa.
Ministria e Integrimeve tashmë është shuar, por funksionin e saj pritej ta kryejë Agjencioni për Integrim Evropian në Kosovë, që parashihej të funksionote në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Nga kjo Zyrë pohojnë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e parashtruara si kusht nga Bashkimi Evropian që Kosova të fitojë liberalizim të vizave për popullatën e saj.
Në një email nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në mënyrë që të arrihet liberalizimi i vizave, patjetër duhet të jetë edhe mbështetja nga vendet tjera që marrin pjesë në Bashkimin Evropian.
“Pasiq ë Kosova ka marrë rekomandim pozitiv edhe nga Komisioni dhe nga Parlamenti Evropian mbetet që të sigurohet shumicë e kualifikuar në Këshillin Evropian, pra të sigurohet përkrahja e Ministrave të Brendshëm të Shteteve Anëtare të BE-së”, thuhet në emailin e dërguar nga Agjencioni për Integrim Evropian.
Rajoni e ka tejkaluar që moti këtë “problem”
Shtetet që e rrethojnë Kosovën si Shqipëria, Mali i zi, Serbia dhe Maqedonia, nuk janë duke u përballur me të njëjtin problem sikurse vendi ynë.
Shqipërisë fitoi liberalizim të vizave në fund të vitit 2010, ndërsa që nga viti 2011 shtetasit e saj udhëtojnë lirshëm në secilin shtet të përfshirë në zonën Schengen.
Përveç Shqipërisë, edhe shtetet si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po ashtu gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza. Qytetarët e këtyre vendeve mund të udhëtojnë pa viza që nga dhjetori i vitit 2009.
Duke u bazuar në një raport të bërë nga instituti EPIK, nga Mali i zi gjatë 2008 deri në vitin 2018 janë larguar 36.089 qytetarë.
Sipas një studimi nga kompania analistike Gallup me moshat prej 15 vjeç e më tutje, në shtetet e Bashkimit Europian, Shqipëria zë vendin e parë sa i përket dëshirës së të rinjëve për të migruar, me një shifër prej 62 për qind, ndërsa menjëherë pas saj vendin e dytë e zë fqinja e saj, Maqedonia me një përqindje prej 32 për qind.
Liberalizimin e vizave Maqedonia e Veriut ka që nga viti 2009. Sipas një studimi në vitin 2018 më shumë se 33.000 njerëz lëshuan këtë shtet. Në një raport mbi migrimin në këtë vend thuhet se që nga viti 1998 deri në vitin 2011 rreth 230.000 veta u larguan në mënyrë legale nga Maqedonia e Veriut për të jetuar në vendet Evropian.
Vendet pjesëmarrëse të Bashkimit Evropian si Gjermania, Zvicra, Austria, Spanja, Franca dhe 21 shtete të tjera, posedojnë liberalizimin e vizave shumë kohë më parë. Pasaporta gjermane është një ndër tre pasaportat më të fuqishme me të cilën shtetasit gjerman mund të udhëtojnë në 188 vende.
Në një studim të kryer nga instituti EPIK, thuhet se në vitin 2019 dy shtetet antare të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Zvicra, lëshuan 67,804 viza apo rreth 77 për qind të vizave për popullatën kosovare. Vizat që më së shumti u refuzuan janë vendet si Finlanda, Sllovenia dhe Greqia me një përqindje më të vogël.
Një konferencë e organizuar nga Instituti Chat (ICHAT), me 180 të rinjë nga vendet e Bashkimit Evropian u mbajt në institucionet e Kosovës, ku gjatë ditëve sa qëndruan, ata punuan rreth disa temave të shtruara aty, e një ndër temat ishte edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Të rinjtë shkruan një draft për këtë temë që iu dërgua Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Në këtë Këshill bëjnë pjesë shtetet evropiane, si Gjermania, Çekia, Sllovakia, Lituania, Spanja, Greqia, Anglia, Franca dhe vende të tjera.
Shumë nga vendet u deklaruan se janë “pro” dhënies së liberalizimit të vizave, por kishte që dolën edhe kundër si Spanja, Qipro dhe Greqia të cilat thanë se Kosova duhet të bëjë më shumë, dhe se nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe liberalizimi i vizave nuk i nevojitet Kosovës.
Mosliberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës solli vetëm largim të qytetarëve. Gjatë periudhës së muajit tetor të vitit 2014 deri në muajin mars të vitit 2015, numri i personave që u larguan në kërkim të një jete më të mirë, shkoi deri në 75.000 qytetarë. Shumica e qytetarëve të cilët u larguan kanë qenë të rinj të cilët u larguan me synimin për një perspektivë më të mirë të punës, shkollimit, gjendjes ekonomike, shëndetësisë dhe shumë arsyeve tjera.
Albiona Berisha
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.