E rritur vetë pa përkujdesjen e prindërve biologjik, Minirja nga Drenasi e kupton më së miri se si ndihet një fëmijë kur i mungon kujdesi dhe dashuria e prindërve. Nisur nga kjo, ajo për 18 vite me radhë u ka ofruar strehim familjar 32 fëmijëve në Kosovë.
Me shumë emocione dhe duke iu dridhur zëri, ajo tregon se si kanë vendosur së bashku me burrin e saj, tashmë të ndjerë, Sadikun, që të bëhen familje strehuese.
“Kemi qenë duke shikuar një emision në televizion për fëmijët e braktisur, aty e kanë shfaqur një spot me këta fëmijë, dhe na ka prekur shumë rasti, dhe kemi vendosur që të strehojmë një fëmijë. Unë jam rritur pa asnjërin prind, më ka rritur gjyshja dhe halla, prandaj e di ndjenjën e të qenurit jetim”, rrëfen Minirja.
Fillimisht nuk kanë ditur se në cilat institucione të drejtohen për më shumë informata, por se ishin të vendosur që të strehojnë fëmijë, ndaj u drejtuan organeve përgjegjëse të Repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Interesi më i mirë i fëmijës është që nevojat e tij fizike dhe psikologjike të plotësohen në familjen biologjike. Por kur në familjen biologjike rrezikohet mirëqenia e tij duke u keqtrajtuar ose neglizhuar, Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e thotë qartë se të gjithë fëmijët, përfshirë ata të braktisur, ata me nevoja të veçanta dhe të abuzuar duhet të vendosen për të jetuar në një familje tjetër ku në këtë mënyrë shteti ndërhynë për të ndarë fëmijët nga prindërit e tyre biologjik.
Në Kosovë, në bazë të Ligjit të Familjes dhe Ligjit bazë për Shërbimet Sociale, ekzistojnë disa forma të mbrojtjes së fëmijëve.
Strehimi familjar është formë alternative e mbrojtjes sociale për fëmijët pa përkujdesje prindërore që nënkupton vendosjen e përkohshme të fëmijës në një familje tjetër derisa atij t’i zgjidhet statusi. Zgjidhja e statusit nënkupton vendimin nëse ai fëmijë do t’i kthehet familjes biologjike apo do të shkojë në adoptim.
Ibadete Krasniqi , drejtoresha e Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), e vetmja organizatë e licencuar në Kosovë që merret me strehimin familjar të kësaj kategorie të fëmijëve
, shpjegon procesin e rehabilitimit të një fëmije.
“Nëse një fëmijë është braktisur në Spitalin e Gjinekologjisë, lajmërohet Qendra për Punë Sociale (QPS) në komuën përkatëse se një fëmijë i asaj komune është braktisur, ajo pastaj emëron Organin e Kujdestarisë që përbëhet prej Kujdestarit Ligjor dhe Menaxherit të rastit”, shprehet për KosovaLive, Krasniqi.
Në rastet kur fëmijët janë të keqtrajtuar dhe të neglizhuar nga familja e cila ka probleme mendore ose janë përdorues të narkotikëve, shërbimet sociale tentojnë të bisedojnë me prindërit biologjik, por nëse shohin se fëmijët janë të keqtrajtuar, atëherë janë të obliguar t’i marrin fëmijët dhe t’i strehojnë në një familje tjetër. Fillimisht, Organi i Kujdestarisë, shqyrton mundësinë e vendosjes së fëmijëve tek të afërmit, e nëse nuk ka ndonjë mundësi atëherë vendosen përkohësisht në familje strehuese me të cilat nuk kanë lidhje gjaku.
Sfidat e institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve nga keqtrajtimi i mëtejmë
Si fëmijë të keqtrajtuar paraprakisht nga familja biologjike, është shumë e rëndësishme mirëqenia e tyre në familjen strehuese. Mjeti përmes të cilit, organizata dhe institucionet përkatëse, sigurohen që fëmijët nuk po keqtrajtohen në familjen strehuese, janë vizitat e vazhdueshme me paralajmërim ose pa paralajmërim tek familjet strehuese.
Qendrat për Punë Sociale janë të obliguara që një herë në muaj të vizitojnë fëmijët në familjet strehuese ku janë duke qëndruar, por në disa raste, ata as këto vizita nuk mund t’i realizojnë. E kjo sipas drejtoreshës së OFAP-it, Krasnqi ndodhë si pasojë e asaj që Qendra për Punë Sociale )QPS) ka një numër të madh të kategorive shoqërore në kompetencat e saj, rreth 50 kategori.
Aziz Hamdiu, prind strehues nga fshati Zhegër, komuna e Gjilanit, tregon për KosovaLive se për gjashtë muaj nuk janë vizituar nga QPS e kësaj komune, por as nuk kanë pranuar ndonjë thirrje telefonike nga ta që të interesohen për fëmijën, ose edhe për t’i pyetur nëse janë furnizuar me ushqime.
Por, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në komunën e Gjilanit, Mursel Zymberi, e mohon këtë, duke shtuar se vizitat i kryejnë rregullisht, pikërisht sepse interesohen për mirëqenien e fëmijëve.
Sa i përket dilemës se a ndodhë që fëmijët të keqtrajtohen nga familjet strehuese, Elmi Dobra, drejtor i QPS-së në Drenas, pranon se kohë më parë kanë hasur në raste të tilla gjatë observimit të tyre.
“Kohë më parë ka pasur raste të tilla.. Kanë qenë fëmijë të vendosur tek të afërmit, por kur i kemi identifikuar, i kemi larguar nga ajo familje dhe i kemi vendosur tek një tjetër”, thotë Dobra.
Të mos kenë hasur në raste të keqtrajtimit të fëmijëve nga familjet strehuese thotë edhe koordinatorja për strehimin familjar në Qendrën për Punë Sociale në komunën e Gjakovës, Jozefina Osmani.
Edhe psikologu në kuadër të OFAP-it, Gëzim Shala, thotë të mos ketë hasur në raste të keqtrajtimit të fëmijëve nga familjet strehuese, gjatë punës së tij.
Ai thotë se fëmijët të cilët janë në strehim familjar, janë fëmijë të sjellshëm dhe nuk janë agresiv, ndaj edhe nuk ka arsye që familjet strehuese të mos sillen mirë me fëmijët.
“Ka pasur ankesa prej prindërve strehues që në periudhën e adoleshencës së fëmijëve kanë filluar të shfaqen ato krizat e adoloshencës, por ne me ekipën tonë të përbërë nga psikologu, sociologu dhe pedagogu iu kemi dhënë sugjerimet dhe këshillat tona”, thotë psikologu Gëzim Shala.
Por, si ndikon në zhvillimin psikologjik të fëmijëve, procesi i shkëputjes nga familja biologjike dhe vendosja në familjen strehuese?
Psikologu Shala thotë se për grupmoshën 0-2 vjet, menaxhimi i kësaj situate dhe këtij problemi është më i lehtë ndërsa në rastet e të rriturve është më problem, sepse fëmija mund të pësojë traumë dhe rikthimi është shumë i vështirë.
Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) vlerëson se sfidë shumë e madhe mbetet mbrojtja e fëmijëve duke përfshirë të gjitha grupet e cënueshme.
“KOMF i ka rekomanduar qeverisë që të krijohet granti specifik për shërbime sociale, i cili do të sigurojë një minimum të sigurtë të financimit të shërbimeve sociale”, thotë Klevis Vaqari, menaxher i programit në KOMF.
Kjo nënkupton një shumë të dedikuar për shërbime sociale, të cilën secila komunë do ta përdorte në bazë të nevojave dhe prioriteteve të saj, duke krijuar shërbime të reja apo duke rritur cilësinë e atyre ekzistuese.
Një sfidë tjetër e procesit të strehimit familjar, është edhe kohëzgjatja e qëndrimit të fëmijëve në një familje strehuese. Ka fëmijë të cilët kanë qëndruar në strehim familjar për më shumë se 6 vite, në raste të caktuara, 12 vite, e kjo vlerësohet si një periudhë shumë e gjatë, që shkakton më shumë dhimbje pastaj gjatë shkëputjes së fëmijës nga familja strehuese.
Familjet e shohin më të arsyeshme nëse qëndrimi i fëmijëve në këto familje është në kohëzgjatje më të shkurtër, me arsyetimin se edhe procesi i shkëputjes pastaj do të jetë më pak i dhembshëm.
“Fëmija sa më gjatë që qëndron në familjen strehuese, është më e vështirë edhe për fëmiun por edhe për familjen strehuese, sepse për kaq kohë, vetëm po bëhet ajo lidhje sikur të jetë tamam fëmijë biologjik”, thotë nëna strehuese, Minire.
Të njëjtin mendim e ndan edhe Aziz Hamdiu, prind strehues, nga fshati Zhegër, komuna e Gjilanit, i cili për 12 vite është përkujdesur për 12 fëmijë.
Ndërsa psikologët janë të ndarë në mendime në këtë aspekt. Sipas psikologut Gëzim Shala, nëse shkohet me rotacion, mund të vijë deri tek një ftohje emocionale tek fëmijët, e që kjo mund të jetë e dëmshme për të.
“Në raste të caktuara, është e preferueshme të shkohet me rotacion, por në disa raste më delikate, është mirë që fëmiu të vazhdojë të qëndrojë më gjatë në një familje”, thotë Shala.
Numri i familjeve strehuese i (pa)mjaftueshëm
Sipas të dhënave, gjatë viteve 2013/2019, në strehim familjar alternativ kanë kaluar 398 fëmijë nga e gjithë Kosova. Numri i fëmijëve të braktisur në Kosovë, variron nga viti në vit, mirëpo në pesë vitet e fundit ai ka shënuar një rënie, për të shënuar një ngritje të vogël pastaj në vitin 2019.
Numri më i vogël i fëmijëve të braktisur ka qenë në vitin 2018 – 28 fëmijë të braktisur gjithsej.
Ndërsa në vitin 2019, sipas drejtoreshës së Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadete Krasniqi, 38 fëmijë janë braktisur në Kosovë.
Aktualisht janë 42 familje strehuese, por sipas drejtoreshës së OFAP-it, ky numër i familjeve nuk është i mjaftueshëm pasi nuk ka një shtrirje gjeografike të njejtë në gjithë territorin e Kosovës. Krasniqi tregon se komuna e Podujevës nuk ka pasur asnjëherë familje strehuese, pastaj ajo Vushtrrisë, Skënderajt, Junikut, Deçanit, Klinës, Mitrovicës, aktualisht nuk kanë asnjë familje strehuese, ndërsa disa komuna kanë nga një ose dy familje, si Istogu dhe Drenasi me vetëm një familje.
Drejtori i Departamentit për Politika Sociale dhe të Familjes (DPSF), në kuadër të Ministrisë së Mirëqenies, Mentor Morina, thotë se me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbime Sociale, do të bëhet një profilizim i familjeve dhe kategorizimi i pagesave për familjet në mënyrë që të shtojnë numrin e familjeve aty ku ka pak ose nuk ka fare familje.
Komuna me numrin më të madh të familjeve strehuese, aktualisht me 8 familje gjithsej është Gjakova,. Këto familje përkujdesen për nëntëmbëdhjetë fëmijë, prej të cilëve vetëm nëntë janë nga komuna e Gjakovës.
Sipas Jozefina Osmani, koordinatore për Strehimin Familjar në Qendrën për Punë Sociale në komunën e Gjakovës, pas rivlerësimit që iu bëhet familjeve për të parë nëse i plotësojnë kriteret apo jo, një familje është larguar nga kjo skemë.
E komuna e Gjilanit, vite më parë kishte 9 familje strehuese, por kohën e fundit, katër familje nga kjo komunë janë tërhequr nga ky program.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në komunën e Gjilanit, Mursel Zymberi, mohon “zërat” se familjet janë tërhequr si pasojë e mosinteresimit të QPS-së ndaj këtyre familjeve.
Tërheqja e familjeve nga programi, sipas tij, ka ndodhur për shkak të decentralizimit, ku dy familje strehuese që kanë qenë në kuadër të komuës së Gjilanit, tani kanë mbetur në kompetencë të Novobërdës, ndërsa një familje tjetër nuk i ka përmbushur kriteret, andaj është larguar nga kjo skemë.
E rënie të numrit të familjeve strehuese, pas tërheqjes së familjeve për “arsye personale”, kanë pasur edhe disa komuna, tregojnë drejtorët e këtyre qendrave.
Mosnjohja e stazhit të punës dhe fakti që nuk gëzojnë asnjë privilegj në institucionet publike, konsiderohet të jenë faktorë demotivues për familjet, që çon në tërheqjen e tyre nga programi i strehimit familjar. KOMF kishte rekomanduar që edhe familjet strehuese që nuk janë aktive, të paguhen me gjysmë pagë edhe gjatë kohës që janë në pritje për të strehuar fëmijë.
Drejtoresha e OFAP-it, Ibadete Krasniqi thotë se është e nevojshme të rritet numri i familjeve strehuese, për t’i siguruar strehë secilit fëmijë. Por ka nga ata që nuk janë dakord me rritjen e këtij numri, pasi vetëm 25 nga 42 familjet strehuese janë aktive (kanë fëmijë), të tjerat janë në pritje të fëmijëve.
Pashkë Lasku, nënë strehuese nga komuna e Gjakovës, mendon se është më mirë t’iu jipen fëmijë atyre familjeve që janë në pritje të tyre, sesa të rrisin numrin e familjeve strehuese, e të mos vendosin fëmijë tek ato familje.
Një çështje e rëndësishme në procesin e strehimit familjar, është edhe çështja e fëmijëve që arrijnë moshën madhore duke qenë në strehim familjar. Më herët, ligji nuk ka lejuar qëndrimin e tyre më gjatë në strehim, pasi kanë mbushur 18 vjet. Por, vitet e fundit, Kosova është duke marrë praktika nga vendet tjera sa i përket fëmijëve që arrijnë moshën madhore derisa janë në strehim familjar, duke i mbajtur ata edhe për disa vite.
Aktualisht është duke vazhduar kujdesi për katër fëmijë me nevoja të veçanta të cilët kanë arritur moshën madhore, por për shkak të gjendjes së tyre nuk kanë kaluar në adoptim as vendor por as atë ndërkombëtar.
Sipas asaj që thotë drejtori i DPSF, Mentor Morina, shteti kujdeset për fëmijët që arrijnë moshën madhore, derisa shkollohen, gjejnë një vend pune dhe krijojnë familjen e tyre. Shumë nga këta fëmijë kanë pasuri të trashëguar, e cila pastaj sipas ligjit iu kalon atyre pasi mbushin 18 vjet.
Në Shtete e Bashkuara të Amerikës, 435 mijë fëmijë janë regjistruar të jenë në strehim familjar këtë vit, prej tyre, rreth 24 mijë do të largohen nga strehimi pa mbështetje financiare e as familjare, sepse arrijnë moshën madhore. Pasi gjasat janë të mëdha që këta të rinjë të përfundojnë si të pastrehë, pjesë e ndonjë bande, të përfundojnë në burg, të dhunohen ose mbesin shtatzënë (në rastin e femrave) në moshë të re, agjenci të ndryshme punojnë në gjetjen e ndonjë familjari për këtaftë rinjë, për t’i siguruar një vendbanim të përhershëm.
Forever Homes for Foster Kids , organizatë kjo e cila punon në gjetjen e ndonjë të afërmi për këta të rinjë, gjatë 25 viteve të veprimtarisë, në 82 për qind të rasteve ka arritur që të gjejë ndonjë anëtarë të familjes të këtyre fëmijëve, duke i siguruar kështu një shtëpi të përhershme.
Në nivelin botëror, janë evidentuar raste të shumta të keqtrajtimeve të fëmijëve nga ana e prindërve strehues.
Aleksandra Hill, ishte vetëm dy vjeçare, kur ishte vrarë në vitin 2017 nga nëna strehuese e cila ishte rekrutuar dhe trajnuar paraprakisht nga kompania më e madhe përfituese në SHBA për përkujdesjen familjare “The Mentor Network”.
Sipas një hetimi nga Komiteti i Financave i Senatit në SHBA, së paku 86 fëmijë në strehim familjar kanë vdekur në një periudhë dhjetëvjeçare.
Ndërsa, Diane (56) dhe Timoti (60) Combs, prindër strehues nga Indiana, në shtator të vitit 2019, ishin dënuar me njëzet vite burg për abuzim ndaj fëmijëve për të cilët ishin duke u përkujdesur.
Shpesh lexojmë në mediat e huaja për raste të ngjashme që ndodhin në vende shumë më të zhvilluara e më të civilizuara se në Kosovë. Duke pasur parasysh që njerëzit në Kosovë kanë nivel më të ulët të vetëdijësimit për rëndësinë e mirëqenies së fëmijëve, duke pasur parasysh kapacitetin e Qendrave për Punë Sociale nëpër komuna për të kryer punën, shtrohet pyetja: a vërtetë nuk keqtrajtohet kjo kategori e fëmijëve jatë qëndrimit në familjet strehuese apo organet kompetente dështojnë t’i identifikojnë këto raste?
Donjeta Haxha – Maliqi