Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mosha e shtyer ishte sfidë shtesë e pandemisë

Tet 25, 2020

Kemije Halili, pensioniste nga Hajvalia, është një nga shumë të moshuar në Kosovë të cilët jetojnë të vetëm. Ajo merr pension prej 90 euro në muaj, me të cilin, siç thotë ajo, mezi i siguron disa nga gjërat elementare për jetesë, sidomos gjatë situatave si kjo me virusin Covid-19.

Gjatë kohës së pandemisë, disa qytetarë dhe disa shoqata i kanë dalur në ndihmë, duke i siguruar ushqim ose të holla, mirëpo, përsëri ajo ka pasur mungesë të ushqimit, sepse shumë para i kanë shkuar për barna.

“Është shumë vështirë të jetosh pa fëmijë, e vetme, pa para dhe e sëmurë. E falenderoj z. Enver Avdylin (nga Shoqata Humanitare ‘Diaspora’) dhe disa shoqata të tjera, të cilat më kanë sjellë pako ushqimore gjatë këtij virusi”, rrëfen Halili.

E Enver Avdyli, drejtor i Shoqatës Humanitare “Diaspora” në Hajvali, tregon se znj. Kemije është njëra ndër 27 familjet që janë ndihmuar me gjëra ushqimore dhe barna në Hajvali, gjatë pandemisë.

Kemi hasur në 15-20 familje të cilat nuk kanë pasur aspak ushqim në shtëpi. Ditët që kishte mungesë mielli, kemi pasur kërkesa nga nevojtarët që të paktën të përzihet mielli me krune, që ta ushqejnë familjen me diçka”, thotë Avdyli.

Përveç produkteve ushqimore, edhe barnat kanë qenë ndër produktet më të kërkuara në atë periudhë.E që ka pasur mungesë të miellit e konfirmon edhe shitësja Nexhmie Gashi nga Hajvalia, e cila e ushtron këtë profesion për 17 vjet. Ajo thotë se rreth një muaj ka pasur mungesë të miellit, ndërsa sa i përket çmimit të miellit apo produkteve të tjera ushqimore nuk është se kanë ndryshuar gjatë pandemisë.

Afërdita Sejdiu,  pronare e barnatores “Erythraea-Pharm” në Hajvali, thotë se kryesisht ka pasur mungesë të vitaminës C dhe barnave për sëmundje kronike, sepse fabrikat nuk kanë pasur kapacitet të prodhimit për të furnizuar mjaftueshëm, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur mungesë më shumë se 3-7 ditë.

Që nga dita kur janë shfaqur rastet e para, Qeveria e Kosovës kishte ndërmarrë një varg masash parandaluese. Disa nga masat e ndërmarra ishin: mbyllja e kufinjve tokësor dhe ajror për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, përveç fluturimeve ushtarake dhe emergjencave medicionale, mbyllja e kafeterive, dhe restoranteve, qendrave tregtare duke i përjashtuar farmacitë dhe marketet ushqimore. Përveç këtyre, ishin mbyllur përkohësisht edhe qendrat ku të moshuarit kalojnë kohën e lirë dhe është miratuar një Pako Emergjente.

Me miratimin e  Pakos Emergjente Fiskale, kanë përfituar punëtorët, tatimpaguesit, bizneset dhe familjet në nevojë. Përfitues në vlerë më të vogël prej tridhjetë (30 €) euro në muaj, për muajt prill, maj dhe qershor, kanë qenë pensionistët që marrin pagesë mujore në vlerë më të ulët se njëqind (100 €) euro. E me një pension prej 90 eurosh e që në muajt prill, maj dhe qershor është rritur në 120 euro, të moshuarit mezi i mbulojnë disa nga gjërat elementare për jetesë.

Zymer Gërbeshi, 76 vjeçar, banor i Hajvalisë, rrëfen se që nga fillimi i pandemisë nuk ka lëvizur shumë jashta shtëpisë, vetëm disa ditë që ka qenë për vizitë në fshatin e tij, në Marec, dhe një ditë që është detyruar të lajmërohet që është gjallë, që të mos ia ndalin pensionin.

Ndryshe nga ai, Islam Fetahu, 67 vjeçar nga Hajvalia, pensionist dhe punëtor i sigurimit, ka dalur pothuajse çdo ditë nga shtëpia, sepse është detyruar të punojë edhe gjatë periudhës së pandemisë. Ai thotë se ai e mbanë familjen, sepse anëtarët e tjerë të familjes janë të papunë.

“Punoj si sigurim dhe marr pension 120 euro, por nuk më mjaftojnë të ardhurat për ta mbajtur familjen. Kemi shumë hargjime për barna dhe për ushqim, ndaj maskë nuk kam bartur sespse nuk frikësohem për veten por brengosem për familjen”, shton Fetahu, punonjës sigurimi.

Se brengë të vetme gjatë pandemisë e ka shëndetin e familjes, nuk e thotë vetëm ai por edhe shumë të moshuar të tjerë gjetkë.

Sipas Azbi Shaqirit, psikolog në Qendrën për Punë sociale në Gostivar, të moshuarit thonë kështu, por në fakt janë të frikësuar për vetvetën. Ata e kanë parasysh që nëse një anëtar tjetër i familjes infektohet me virus, e kalon lehtë dhe me pak pasoja, ndërsa nëse bartet virusit tek i moshuari, situata është më problematike.

Duhet të kuptojmë mes rreshtash, që të moshuarve iu dhimbset jeta e tyre. Gjatë gjithë kohës përmendet se të moshuarit janë më të rrezikuar nga pandemia, ndaj për këtë arsye ata krijojnë një lloj mekanizmi mbrojtës, përmes të cilit e mbrojnë veten në mënyrë direkte dhe familjarët në mënyrë indirekte”, potencon psikologu Shaqiri.

Sipas tij, pas mbarimit të pandemisë, do të kemi një situatë postraumatike të përcjellur me stres, ankth, dhe depresion tek disa njerez, sidomos tek personat më të ndjeshëm.

Kjo pandemi, jo vetëm nga ana  psikologjike, por edhe nga ajo financiare e ka goditur rëndë popullin tonë.

Rrobaqepësi Shyqëri Gashi, 72 vjeçar nga Prishtina, thotë se edhe pse nuk ka punuar gjatë kohës së pandemisë, është detyruar të paguajë qiranë e lokalit dhe nuk ka pasur mundësi të përfitonte nga Pakoja Emergjente, sepse ai ka statusin e pensionistit.

Zejtar tjetër, i njohur si këpucëtari Dema, i cili së bashku me familjen e tij mbijetojnë vetëm nga të hollat që i fiton duke rregulluar kepuc, thotë se nuk ka pasur mundësi të blente më shumë ushqim që ta kenë si rezervë.

“Humbja në punë gjatë izolmit ka qenë totale, gjatë punës ndonjëherë kam humbje e lëre më kur nuk punoj”, thotë këpucëtari Demir Q.

Çifti Bedrie dhe Shaban Metolli, nga Hajvalia, dyshojnë se e kanë pasur virusin Covid-19 para se të bëheshin publike rastet e para.

Nuk frikësohem nga virusi se më duket që e kam pasur në muajin janar. Kam qëndruar në spital për 12 ditë dhe i kam pasur të gjitha simptomat që po paraqiten si simptoma të virusit Covid-19”, rrëfen Shaban Metolli, 64 vjeçar.

Bashkëshortja e tij, Bedrija thotë se asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme me mushkëritë.

Dy muaj e gjysmë kam qëndruar nëpër mjek. Atë kohë për herë të parë më kanë thënë se më janë zgjeruar kanalet e mushkërive dhe kisha kollitje te vazhdueshme. Përveç ne të dyve, simptomat e njëjta i ka pasur edhe nipi jonë 2 vjeçar”, rrëfen ajo.

Nga përditshmëria jonë, shohim se ka edhe qytetarë të cilët nuk besojnë që virusi Covid-19 ekziston.

Sipas 79 vjeçar nga Hajvalia, Hisen Berisha pandemia është vetëm një mashtrim që po iu bëhet njerëzve, dhe se përfitues të saj janë farmacitë.

Kam dalur dhe nuk kam pasur kujdes fare, nuk kam vendosur maskë kurrë. Kjo është vetëm një gënjeshtër që po bëhet vetëm për të shitur maska e barna”, thotë Berisha.

Për dallim ai, 62 vjeçari Rasim Demaj, punonjës në KEK, shprehet se i ka respektur të gjitha masat e parapara nga Ministria e Shëndetësisë.

Si në punë ashtu edhe kur të dalim nga shtëpia, kujdesemi që të përdorim maska, doreza dhe alkool. Ushqim dhe barna kemi blerë sepse njerëzit thoshin se nuk po gjinden  për tu blerë shumë produkte”, thotë Demaj.

Sipas një hulumtimi të Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), vetëm 6.2 për qind e popullsisë në Kosovë janë të moshës 65 apo mbi 65-vjeç. Prej tyre, rreth 2.6 për qind e pensionistëve jetojnë vetëm, gjë që e vështirëson edhe më shumë mbijetesën e tyre.

Në Kosovë janë gjithsej 4 Shtëpi për të Moshuarit pa Përkujdesje: në Prishtinë, Skënderaj, Graçanicë dhe Istog. Në këto shtëpi mund të strehohen 172 të moshuar ose 0.14 për qind e popullsisë më të moshuar se 65 vjeç.

Shtëpia e të Moshuarve në Istog ka kapacitet për 20 të moshuar, e aktualisht ka 19 rezidentë, 10 prej tyre janë femra, ndërsa nëntë të tjerë janë meshkuj.

Sipas drejtuesit të këtij institucioni, Shefqet Shatrit, që në fillim të kësaj pandemie kjo qendër ka marrë masa për të parandaluar përhapjen e virusit.

Disa nga masat e ndërmarra janë dezinfektimi i objektit, ndalimin e hyrjeve-daljeve të rezidentëve ose personave të pa autorizuar, përdorimi i maskave, dorëzave dhe dezinfektuesve”, thotë Shatri duke shtuar se të gjithë rezidentët e Shtëpisë janë testuar  dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ.

Nurie Desku, 93 vjeçare, banore e Shtëpisë së Moshuarve në Istog që nga viti 2012, pasi që nuk ka anëtar tjerë të familjes që të kujdeset për të. Ajo tregon se janë informuar rreth prezencës së virusit dhe se gjatë pandemisë kanë qëndruar vetëm brenda objektit ose në kopshtin e kësaj Shtëpie.

“Qëkur ka filluar pandemia nuk afrohemi afër me vizitorët, goxha larg rrimë, për dallim me kohën para pandemisë, ku vizitat janë zhvilluar në dhoma. Të them të drejtën po frikësohem mjaft shumë mga virusi”, shprehet Desku.

Psikologia Blerta Koca shpjegon se kjo situatë do të shkaktojë izolim emocional, frikë, pasiguri dhe ankth tek mosha më e shtyer.

Në komunën e Istogut, sipas drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mujë Osmanaj, deri në muajin korrik kanë qenë 40 të infektuar me Covid-19, e nga ky numër vetëm 3 persona mbi moshën 60 vjeçare.

Rikujtojmë se kategoria më e rrezikuar  e njerëzve nga Covid-19 është ajo e të moshuarve.

Që nga dita kur filloi kjo pandemi e deri me datën 20 gusht, në botë kishin vdekur mbi 782,456 njerëz dhe mbi  95% e të vdekurve kanë qenë mbi moshën 60 vjeçare.

Melisa Selimi

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM