Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shtatëzënia dhe lehonia si përcaktues të (mos)punësimit

Mar 15, 2017

Disa kosovare pohojnë se para punësimit, punëdhënësit kishin kërkuar nga to që të bëjnë një test të shtatzënisë.

Nga një hulumtim i Rrjetit të  Grupeve të Grave të Kosovës (RRGGK), në të cilin u përfshinë 400 punëdhënës, 1,301 gra dhe 374 burra, doli konstatimi se rreth 40.8% e grave diskriminohen gjatë procesit të punësimit për arsye se bëhen dallime në mes të një gruaje që planifikon të ketë fëmijë dhe asaj që nuk planifikon një gjë të tillë.

Në bazë të një hulumtimi tjetër të kryer nga Instituti Gap, në vitin 2011, bizneset kanë filluar të rishqyrtojnë pozitat e femrave dhe politikat për punësim, duke qenë më selektiv gjatë procesit të përzgjedhjes së stafit. Atëbotë, në sektorin privat punonin mbi 33.000 femra, e rreth 30% e prej tyre ishin nën moshën 30 vjeçare dhe potencialisht do të mund të kërkonin pushimin e lehonisë gjatë një viti.

A.Q (e njohur për redaksinë) tregon se si javët e para e kishte mbajtur shtatëzaninë e fshehur nga punëdhënësit sepse nuk ishte e sigurtë se si do të reagonin.

”Ju tregova që jam shtatëzënë dhe çuditërisht e kanë pritur shumë mirë lajmin edhe menjëherë më kanë thënë që ‘do të kujdesemi për ty, do ta lehtësojmë punën dhe pushimin e lehonisë do ta kesh sipas ligjit”, thotë ajo.

Asaj i kishin premtuar se vendi i punës do t’i ruhet deri pas përfundimit të pushimit të lehonisë, por ajo thotë se në rast se ata e ndryshojnë premtimin, patjetër do të luftojë për të drejtat që janë të përcaktuara me ligj.

Gjithsej 14.7% të punëdhënësve të anketuar gjatë hulumtimit të RRGGK-së kishin deklaruar se preferojnë të punësojnë gra që nuk duan të kenë fëmijë, 17% se preferojnë gratë që duan fëmijë,  e 27.5% ishin të papërcaktuar. Të pyetur drejtpërdrejtë nëse ndonjëherë nuk e kanë punësuar ndonjë grua për shkak se nuk mund ta përballonin pagesën e pushimit të lehonisë, 14.2%  të punëdhënësve u përgjigjën pozitivisht, përderisa 85.8% të tjerë e mohuan këtë.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), iniciativa për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Punës nga viti 2010, që ka filluar qysh para tri viteve, ende nuk është proceduar në Qeverinë e Kosovës.  Në ndërkohë, MPMS në planin e punës për vitin 2017 ka paraparë hartimin e Koncept Dokumentit për rregullimin e fushës së marrëdhënies së punës.

 “Të gjitha takimet apo punëtoritë të mbajtura përkitazi me çështjen  e pushimit të lehonisë, MPMS, ka ftuar, informuar dhe konsultuar përfaqësueset e këtij rrjeti (RRGGK), dhe ky bashkëpunim do të vazhdon edhe në të ardhmen”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Media e MPMS.

Ligji i punës i vitit 2010, përcakton se femra e punësuar mund të ketë dymbëdhjetë muaj pushimi të lehonisë. Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë, ndërkaq tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë. Po ashtu femra e punësuar ka të drejtë me këtë ligj që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjera pa pagesë.

Me prezentimin e certificatës mjekësore femra e punësuar mund ta fillojë pushimin e lehonisë deri në 45 ditë para datës kur pritet të lindë. Në periudhën prej 28 ditëve para datës kur pritet të lindë, punëdhënësi me pëlqimin e femrës shtatzënë, mund të kërkojë që ajo ta fillojë pushimin e lehonisë, nëse punëdhënësi mendon se femra e punësuar nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat e saj.

Punëdhënësit janë të obliguar të zbatojnë rregullat e përcaktuara me ligj dhe në rast të shkeljes, dënimet sillen prej 500 € deri në 35,000 €.

Adelina Gjergji

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM