Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, József Bencze.
Ambasadori Bencze i uroi fillim të mbarë dhe suksese kryeministrit Kurti në punën e re. Ai tha se Kosova ka një partner shumë të rëndësishëm te Hungaria dhe që mund të llogarisë në mbështetjen e saj në qëllimet e përbashkëta, sidomos në synimet e Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, Hungaria përkrah fuqishëm liberalizimin e vizave për Kosovën dhe e bën këtë aktivisht në secilin institucion vendimmarrës të BE-së.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Bencze për urimet e tij si dhe për urimet e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán. Hungaria ka qenë një mbështetëse e hershme dhe e vazhdueshme e Kosovës edhe para edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, tha Kryeministri Kurti. Ai veçoi mbështetjen e Hungarisë në vitet e fundit në dy fusha, atë të infrastrukturës dhe arsimit. Në infrastrukturë përmes realizimit të projektit të rrjetit të kanalizimit, i cili përkon me nevojat e qytetarëve dhe planin e Qeverisë për shtrirjen e plotë të këtij rrjeti në të gjithë vendin deri në vitin 2025. Kurse në arsim përmes programit të bursave të studimit në Hungari për studentët tanë, nga i cili vetëm këtë vit do të përfitojnë 75 studentë.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Bencze do të vazhdojnë të jenë në kontakt të vazhdueshëm me qëllim përparimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.