Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në një vend të perceptuar si i “meshkujve”, burrat po u dalin krah grave

Gus 27, 2017

Nehat Sadiku nga Mitrovica, i cili veten e sheh si feminist thotë se mosliria, hapësira dhe pamundësia për femrat në Kosovë, e kanë shtyrë atë të jetë një përkrahës i feminizmit.

Ky i ri kosovar, ndryshe aktivist i shoqërisë civile, thotë se dëshiron të sigurohet të jetë një prej atyre që do të vendosin barazi dhe nuk do të lejojnë krijimin e pabarazive të reja, që do të vazhdonin deri në pafundësi.

E vë gjithmonë theksin te liria, hapësira dhe mundësia sepse kam parë që femra nuk është e lirë të jetë ajo që do të jetë vetë. Nuk ka mundësi të bëhet ajo që dëshiron vetë dhe edhe po u bë, nuk ka mundësi ta dëshmojë veten për atë që është. Kam frikën dhe ekziston fakti se feminizmi shpesh po shndërrohet në një homolog të kundërt të maskilizmit, me urrejtje ndaj gjinisë tjetër. Në këtë rast meshkujve, e shpeshherë ndodh që në vend të feminizmit, vetë ‘feministët’ të kultivojnë seksizëm, jo rrallëherë ndaj vetes dhe këtu nuk mund të flasim për feminizëm”, thotë ai.

Sadiku thotë se gjithmonë i ka përkrahur gratë dhe se në të tubime të ndryshme, në shkollë dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, është munduar që të kontribuojë në vetëdijësimin e femrave dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Një tubim i ngjashëm me ato që përmend ai është mbajtur muajin korrik në Prizren, ku Grupi joformal i grave dhe vajzave të Prizrenit “FEMaktiv” organizoi javën e debateve feministe.

Sipas aktivistes në “FEMaktiv”, Tringa Kasemit në Kosovë nuk ka diskutime dhe debate të mjaftueshme për feminizmin, përkundër nevojës së madhe për to.

Rëndësi të vogël i jepet temës së tillë. Kjo edhe ka qenë njëra ndër arsyet e mbajtjes së debateve feministe me qytetarë, me qëllim që të hapet tema e feminizmit dhe të jetë më e përqafuar si temë nga të gjithë ne. Ta shohim si pjesë të hapur të diskutimit dhe të kuptohet qartë thelbi dhe kuptimi i feminizmit në mënyrë të drejtë”, thotë ajo.

Kasemi pranon se ka burra feministë në Kosovë, të cilët kontribuojnë në këtë drejtim dhe janë shumë të përafërt me idenë e krijimit të barazisë gjinore në shoqërinë tonë.

“Qytetarët realisht kanë shprehur interesim mjaft të mirë sa i përket debatimit të temës së feminizmit, duke e parë këtë temë si diçka të rëndësishme në jetën e përditshme dhe duke shprehur ide të tyre se si mund të futet feminizmi në muhabete ditore tonat, të ketë rëndësinë e vet dhe të kuptohet rëndësia e diskutimit të kësaj teme në çdo vend”, thekson ajo.

Si një prej aktivistëve, Nehat Sadiku tregon se ka pasur paragjykime dhe konfrontime me të tjerët në lidhje me këtë çështje.

“Mangësia për nga informacioni, fatkeqësisht duhet të them se është pothuajse në çdo rast shkaktari. Ka raste të shumta kur unë jam ballafaquar me meshkujt për ta mbrojtur femrën në të drejtën e saj dhe mund të them se jemi në rrugën e duhur për të arritur deri te barazia dhe që femra të marrë gjithçka që meriton, pasi që nga ana ekstreme e kundërt mungon argumenti për kundërshtimin e kërkesave tona të drejta për obligimet që ka shoqëria ndaj femrës”, thekson ai.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton bazën ligjore për futjen dhe rregullimin e parimeve të barazisë gjinore në Kosovë dhe përcakton barazinë gjinore si një e drejtë themelore kushtetuese. Sipas nenit 15 të Kushtetutës, shteti duhet të garantojë barazi mes grave dhe burrave dhe të zhvillojë politika për mundësi të barabarta. Kushtetuta gjithashtu parashtron parimin e ndalimit të diskriminimit, duke përfshirë ndër të tjera diskriminimin në baza gjinore.

Besa Shahini, drejtoreshë në organizatën  hulumtuese “Education Plenum”, në një panel diskutimi në KosovaLive, kishte deklaruar se shoqëria jonë ka nevojë për zhvillimin e një feminizmi autentik.

“Patriarkalizmi në Kosovë është specifik edhe ne e ndijmë nën lëkurën tonë edhe ne që jetojmë në qytet edhe gratë në fshatra. Ai është i rrënjosur gjithkund dhe ne nuk e aplikojmë vetëm te burrat, por edhe te gratë, ne kemi nevojë për këtë feminizëm i cili nuk mundet të bëhet pa i marrë parasysh ato. Nëse e marrim një grup të grave dhe dalim të bëjmë protesta për 8 mars ne nuk kemi kapur nevojat që ekzistojnë në Kosovë dhe nuk kemi arritur ta ndërtojmë një agjendë që mundet së paku ta grithë sistemin që ekziston”, tha ajo.

Për aktivisten feministe Rreze Abdullahu gratë në Kosovë nuk trajtohen siç duhet.

Nëse dikujt i shkon në mend të thotë se gratë po i ekzagjerojnë gjërat, se kurrë më mirë nuk janë trajtuar se sot, le t’ia vënë gishtin në kokë vetes, e le ta kujtojnë se si sot në mëngjes e ka trajtuar atë, kush ia ka mbushë gotën e çajit, si e ka shtyrë vajzën me u martu e me u ndi i shliruar, sikur e ka heq gajle. Si i ka thënë asaj se burrin duhet me e duru dhe se ai ka të drejtë me bërtitë, e si e ka mësuar atë me mbyllë gojën, se askush nuk e mban atë kështu, e shumë marëzi të tjera të pafundme që sot na kanë sjellë këtu ku jemi: ‘Në frikën se mos nesër unë jam viktima’ “, thekson ajo.

Në një raport nga viti 2014, të Agjencisë për Barazi Gjinore lidhur me pjesëmarrjen, rolin dhe pozitë e grave në institucionet qendrore, lokale dhe në partitë politike, thuhet se pjesëmarrja e grave në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në ministri ishte 42 % ndërkohë që në administratën e komunave 27 %. Pjesëmarrja e grave në pozita udhëheqëse ishte 27 % në ministri dhe 19 % në komuna ndërsa përfaqësim i ulët i grave vërehej te pozitat vendimmarrëse me 7% dhe 4 % në ministri dhe komuna, respektivisht.

Ndarja e trashëgimisë mbetet pika më e dobët për femrat kosovare. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës 2014-2015, vetëm 5% e grave në Kosovë kishin në pronësi shtëpinë, banesën, ndërsa  4.9% prej tyre ishin bartëse të pronësisë së tokës bujqësore.

Arbresha Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM