Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, priti sot në takimin e parë koordinues ndërinstitucional kryeministrin Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Presidentja Osmani diskutoi me kryeministrin Kurti nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete.
Presidentja Osmani dhe kyeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare. Ata po ashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia COVID-19, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentit.