Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, uroi kryeparlamentarin Konjufca për detyrën e re në krye të Kuvendit të Kosovës, sidomos rëndësinë e konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në takim është biseduar për përpjekjet e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë, me ç’rast të dyja palët kanë theksuar nevojën e zbatimit të masave mbrojtëse dhe se kjo situatë kërkon solidaritet, ndaj ka shfaqur shpresën edhe në ndihmën e shteteve mike.
Kryetari i Kuvendit,Konjufca, ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, gjithashtu ka shfaqur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Konjufca ka falënderuar ambasadorin Kolly për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës, që nga periudha e paraluftës e në vazhdimësi si dhe ka theksuar se shteti zviceran është një vend mik dhe partner strategjik i Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.