Ajshe Lushtaku, studente e vitit të dytë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës thotë se mbulesa nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e drejtimit të cilin ajo e studion. Mirëpo, ka dyshime se punësimi pas diplomimit do të jetë i vështirë.
“Mund të rastisë që punëdhënësit t’i pengojë mbulesa ime dhe ndoshta do të perzgjedhë dikë me kualifikime më të ulta se të miat”, thotë Lushtaku, me bindjen se kjo nuk është e drejtë pasi mënyrën dhe stilin e veshjes e përcakton individi.
Sipas saj, një gjë e tillë s’do të duhej të shihej si përparësi apo pengesë në punësim.
Ajshja ka shumë shoqëri dhe kolegë në fakultet. Ajo thotë se nuk ka problem në bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë. Nganjëherë ata dalin së bashku edhe për shëtitje. Pa problem edhe me kolegë.
Drin Hajredini, student i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës , shok i Ajshës thotë se mbulesa nuk ka qenë asnjëherë pengesë në shoqërinë e tij me atë apo vajzat e tjera të mbulara.
“Mbulesa është vetëm stil i veshjes nuk ndikon se si është një person, andaj shoqëria ime përbëhet edhe prej tyre,” thotë Hajredini.
Edhe Jonida Hajraj, studente e vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik në Univerisitetin e Prishtinës, thotë se nuk e ka problem të shoqërohet me vajzat e mbuluara.
“Më pëlqen të kem shoqëri të ndryshme pasi mund të mësoj më shumë gjëra andaj asnjëherë nuk më kanë penguar femrat e mbuluara, madje kemi ndarë dhomën në konvikt vitin e kaluar”, thotë ajo.
Edhe pse Ajshja me shoqet e saj të mbuluara zakonisht janë pranuar në shoqërinë e kolegëve, prap se prap për disa vajza ekziston frika nga paragjykimet e mundshme të kolegëve tjerë. E edhe më shumë frika se pas mbarimit të fakultetit do të kenë shumë vështirësi të gjejnë punë.
Ajshja thotë se pranimi në shoqëri lidhet ngushtë me punësimin e vajzave të mbuluara si ajo. Paragjykimet e mundshme kanë bërë që disa studente të vendosin që studimet t’i vazhdojnë në Turqi.
Albulena Hajraj nga Skenderaj, studente e psikologjisë në nivelin master në Turqi, thotë se mbulesa atje është shumë e përhapur dhe nuk ka pengesa, mirëpo e ka frikën e punësimit pasi të kthehet në Kosovë.
“Mendoj që në Kosovë kam me e pas problem punësimin”, thotë Albulena duke përmendur se në Kosovë nuk e kanë pranuar as për praktikë gjatë studimeve bachelor.
Disa nga vajzat e mbuluara, Shehrije Gucati, e shohin studimin e shkencave islame dhe punësimin në ndonjë degë të kësaj natyre, si zgjedhje.
”Mbulesa nuk është pengesë, pasi është në një rreth ku mbulesa është kusht i studimeve. As nga rrethi, e as nga puna nuk kam pengesa. Në drejtimin tim nuk do të kem pengesa, por ndoshta do të kisha vështirësi me ndonjë drejtim tjetër,” thotë ajo.
Besa Ismaili Ahmedi, profesoreshë e gjuhës angleze në Fakultetin e Shkencave Islame thotë se mediat janë ndikuesi kryesor i krijimit të paragjykimeve dhe diskriminimit për femrat e mbuluara.
“Unë mendoj që ka ndikuar raportimi i medias në mospunësim të femrave me mbulesë pasi bëjnë ndarje ‘ne dhe ata, fetarët dhe jo fetarët’… Ndonëse në Fakultetin e Shkencave Islame studiojnë dhe janë diplomuar një numër i madh vajzash, vetëm një numër i vogël i tyre kanë arritur të kenë një vend pune,” thotë ajo.
Mundësia e vetme për punësim si teologe mbetet në këtë fakultet, i cili aktualisht ka vetëm një profesoreshë me orar të plotë dhe dy me orar të shkurtuar, pjesa e tjetër e stafit akademik janë meshkuj. Shifër të njëjtë me diplomë kanë edhe meshkujt, por shumica nga 300 të diplomuar meshkuj kanë gjetur punë.
Ajo shpreh edhe shqetësimin se këto paragjykime nga shoqëria dhe preokupimi për gjetjen e një vendi të punës ndikojnë negativisht në gjendjen emocionale të vajzave.
“Këto paragjykime dhe diskriminime nga shoqëria, vajzat e reja i thyejnë emocionalisht”, thotë ajo.
Xhenete Hasani