Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në postimin e tij në Facebook ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.
Ai ka thënë se marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri, nga Qeveria Kurti, në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë në javë vdesin, kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.
Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.
“Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!
Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.
Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!