Rasti i A.SH. të cilës i ka vdekur burri para luftës, që ka mbetur me pesë fëmijë jetimë dhe është përjashtuar nga familja e bashkëshortit pa marrë as një pëllëmbë tokë nga pjesa e trashëgimisë së tij, ka prekur tërë komunën e Deçanit.
Fakti se ajo nuk e ka kërkuar këtë të drejtë për shfrytëzim për ndonjë interes personal, por për ta gëzuar të drejtën që u takon anëtarëve të familjes së të ndjerit, nuk është marrë parasysh nga familjarët e bashkëshortit.
Ajo tani jeton në një banesë bashkë me fëmijët e saj, dhe duhet të sigurojë të ardhura për mirëqenien e familjes, pa asfarë ndihme, dhe sidomos jo nga familja e bashkëshortit të ndjerë.
Nga mbi 40 mijë banorë sa ka komuna e Deçanit, vetëm një femër ka marrë trashëgiminë nga familja e saj. Mbi gjysma e popullsisë së përgjithshme të Kosovës – 51% janë femra dhe vetëm 3.8% e tyre e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë. Aktualisht vetëm 16% e pronave të përgjithshme janë të regjistruara në emër të femrave.
Në një tentim për ngritjen e vetëdijes rreth të drejtës për trashëgimi, shumë organizata joqeveritare, ndër to shoqata e gruas “Jeta” me seli në Deçan, kanë marrë iniciativa të ndryshme.
Kjo shoqatë ka filluar një projekt nëntë muajsh që fokus kryesor ka respektimin dhe njohjen e të drejtave të femrave në trashëgimi.
Safete Gacaferi, themeluese dhe drejtuese e shoqatës, thotë se shkak kryesor që femrave u mohohet e drejta në trashëgimi është Kanuni dhe mentaliteti i trashëguar nga kohërat e mëhershme.
“Meshkujt nuk janë ‘plotësisht të vetëdijshëm’ për të drejtat e femrave në trashëgimi dhe në momentin që kjo të arrihet, edhe femrat do ta njohin të drejtën e tyre,” thotë ajo.
E vetëdijshme se me këtë projekt nuk mund të ndryshohet rrënjësisht mentaliteti, ajo e konsideron këtë “vetëm një hap i hedhur në këtë drejtim.”
Nga hulumtimi i kryer nga shoqata “Jeta” në shtator të këtij viti, del se shumica e grave nuk e ndjejnë veten të barabarta, sidomos në ato familje ku janë vetëm vajza dhe nuk kanë vëllezër, dhe pasuria ende u takon meshkujve të familjes, e jo atyre.
Antoneta Avdimetaj nga “Jeta” tregon se në hulumtim u përfshinë 561 femra.
“Çdo e treta femër ka thënë që nuk ka njohuri për ligjin mbi trashëgiminë: 70% e tyre kanë thënë se nëse e kërkojnë pronën e tyre do të kenë pasoja dhe vetëm 30% e tyre njohin dikë që ka pronë në emër të vet,” rrumbullakëson ajo të gjeturat e hulumtimit.
Musa Berisha, ish kryetar i Këshillit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Deçan, thotë se Kanuni i Lekë Dukagjinit i trajton të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë në aspektin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Por kjo drejtësi nuk zbatohet në aspektin e trashëgimisë, ku femrat janë më të privuara se meshkujt dhe ky është një mentalitet i cili është trashëguar që prej asaj kohe”, thotë ai.
Megjithatë, sipas tij, kohëve të fundit po shënohet një drejtësi çfare edhe duhet të ishte në të vërtetë, dhe femrat kanë filluar të trajtohen në mënyrë më të barabrtë me meshkujt, dhe kështu “po bëhet një kapërcim i atij mentaliteti.”
Drejtoresha e QKSGJ (Qendra Kosovare për Studime Gjinore), Luljeta Demolli konsideron se në realizimin e të drejtës së trashëgimisë së femrave, ekziston një zinxhir pengesash.
“Lëndët që nuk u vije radha, që nuk lajmërohen familjarët pasi që të vdesin, që nuk lajmërohen familjarët kur bëhet ndarja e pasurisë,” rendit ajo disa nga këto pengesa, duke fajësuar për këtë kulturën patriarkale që ende mbretëron në Kosovë.
Ajo rrëfen se që nga 2006, kur u themelua kjo qendër, në vazhdimësi është trajtuar çështja e trashëgimisë me anë të hulumtimeve, por përkundër përpjekjeve, shumë pak ka ndryshuar.
Liridona Berisha