Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, nënshkruan sot memorandum mirëkuptimi në një ceremoni të organizuar në kryeministri.
Ky memorandum mirëkuptimi ka për qëllim mbështetjen për qeverinë e Kosovës, kryeministrin, zyrën e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, në kornizë të “agjendës për mbështetje të paqes dhe shtetndërtimit, si dhe avancimit të agjendës evropiane për Kosovën”.
Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë, përfaqësuar nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze, si dhe Grupi për Ballkan (BPRG), ndajnë objektiva të njëjta dhe konfirmojnë bashkëpunimin në mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës për paqe dhe prosperitet.
Në emër të Grupit për Ballkan (BPRG), memorandumin e nënshkroi drejtori ekzekutiv, Naim Rashiti, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.