Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur në takim nga Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim.
Në takim u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave dhe kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kryeministri Kurti theksoi angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.
Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill. Kryeministri Kurti tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.