Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra.
Përmes kësaj letre publike, RrGK, si rrjet që përfaqëson interesat e 158 organizatave anëtare, zotohet se do të monitorojë të gjithë procesin e dialogut, duke kërkuar vazhdimisht që ekipi negociues të jetë gjithëpërfshirës dhe që prioritetet e grave të jenë pjesë e agjendës. RrGK kërkon përfshirjen e grave në ekipin dialogues, si dhe përfshirjen e prioriteve të grave në temat që do të diskutohen. Po ashtu, kujtojmë se RrGK në të kaluarën ka kërkuar përfshirjen në dialog të së paku një gruaje me përvojë nga shoqëria civile, ashtu siç përcaktohet edhe nga Rezoluta 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po ashtu, edhe Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim të barabartë të grave në pozita të tilla vendimmarrëse.
Kështu, RrGK rithekson se jemi të gatshëm të ofrojmë emra të grave të kualifikuara, si dhe mbështetje në organizimin e konsultimeve publike drejt arritjes së një procesi demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili është qenësor për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
Gjatë vitit që lamë pas, i cili shënoi 20 vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325, RrGK u dërgoi letër të hapur Qeverisë së atëhershme të Kosovës dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčák. RrGK shprehu shqetësimin për mos përfshirje të grave në ekipe negociuese si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për të propozuar emra të grave me përvojë në këtë fushë, duke listuar po ashtu nevojat e identifikuara në raportin tonë të fundit “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”.
Ky raport ka identifikuar se nevojat e grave dhe vajzave ndaj këtij procesi mbesin të ngjashme me ato që gratë kanë ngritur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ky raport, poashtu theksoi faktin se një paqe e qëndrueshme arrihet vetëm atëherë kur ka përfshirje të barabartë të grave dhe burrave. Gjithashtu gratë nuk priren të nënshkruajnë marrëveshje të cilat ato nuk do të mund t’i zbatonin.
Si e tillë, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në agjendën e dialogut të përfshijë nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave të ndryshme në Kosovë, të identifikuara rishtazi në këtë raport:
• Të sigurojë pjesëmarrje përmbajtësore të grave në vendimmarrje në lidhje me negociatat dhe dialogun, si përmes përfshirjes në ekipin zyrtar të negociatave ashtu edhe në konsultime publike;
• Të kërkojë njohje të Kosovës nga Serbia dhe kërkim falje publike nga shteti serb për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë;
• Të sigurojë kthimin e personave të pagjetur;
• Të sigurojë ndjekjen penale ndaj personave që kanë kryer krime lufte në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale të kryer gjatë luftës, duke arritur kështu drejtësinë; dhe
• Të sigurojë kompensim dhe dëmshpërblim për shkatërrimet materiale, duke përfshirë kthimin e pensioneve.
Që nga viti 2006, RrGK ka qenë aktiv duke përcjellur dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke përfshirë këtu temat dhe përbërjen e ekipit negociues, dhe do të vazhdojmë të jemi zë aktiv në këtë fushë, derisa gratë dhe nevojat e tyre të jenë të përfshira barabartë në dialog, thuhet në komunikatën për media e RrGK-së.