Jehona dhe Agron Dabiqaj nga fshati Prilep, komuna Deçan, ka gati tre vite që kanë hyrë në treg me produkte të mjaltit. Ata jetojnë me të ardhurat e siguruara nga kjo punë. Edhe pse sivjet kushtet klimatike nuk kanë qenë në favor të bletëve, ata janë kujdesur që ta nxjerrin me kohë sasinë e mjaltit të prodhuar nga to.
Por jo të gjithë kishin fatin e tyre. Shumë bletarë, duke shpresuar në përmirësimin e kushteve atmosferike, nuk e kanë nxjerrë mjaltin me kohë dhe si pasojë kanë dalë në humbje.
Jehona ka punuar në fabrikën e majltit “Golden Honey”, financuar nga Komisini Evropian, në Deçan ku ishte zyrtare e lartë e marketingut. Sot në këtë fabrikë janë vetëm rojet. Kjo si pasojë e mbylljes së saj pas aprovimit të propozimit krerëve të komunës për dhënie me qira. Ky veprim u pasua me shumë ankesa të qytetarëve, të shqetësuar se ky projekt që nga fillimi kishte natyrë politike dhe ia hodhën fajin edhe bashkësisë ndërkombëtare duke thënë se projekti ishte bërë në koordinim me personelin e manastirit me qëllim të njohjes së pronësisë së këtij manastiri mbi pronat e ish ndërmarrjes bletare “APIKO”.
Në mungesë të punës në fabrikë, Jehona filloi të merrej me biznesin e familjes. Një ndihmesë e madhe për të ishte fakti familja ku është martuar bletarinë e ka trashëgimi të kahmotshme. Jehona e mësoi praktikën nga i shoqi i saj, pasi teorinë e njihte mirë nga puna e saj e mëhershme në “Golden Honey”.
Kur më 2014 filloi të merrej në mënyrë aktive me bletari, ajo dhe Agroni kishin 34 koshere bletësh. Brenda dy viteve ata çuan numrin e koshereve në 400. Një numër të koshereve i mbajnë në shtëpi, në Prilep, e në mungesë të tokës, disa në Gllogjan, në Shaptej dhe në Suharekë.
Prej 127 llojeve të bimëve mjaltëdhënëse, ata prodhojnë mjaltë lulesh, livadhesh, bjeshke, akacie, gështenje dhe mjaltë nga lulja e rrallë e Trumzës.
Edhe pse ky vit nuk ka qenë shumë frytdhënës për degën e bletarisë, Jehona thotë se krahasuar me vitin e kaluar ku nga 130 koshere kanë nxjerrë 700 kg mjaltë, këtë vit kanë nxjerrë 250 kg nga 70 koshere sa përbëheshin nga bleta punëtore, pasi të tjerat ishin në procesin e shumimit.
Ka gati një vit që kanë themeluar shoqatën e bletarëve “ALDI” në kuadër të së cilës Jehona ka fituar dy grante nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Ajo dhe Agroni e themeluan shoqatën në mënyrë vullnetare, ku u ndihmojnë bletarëve dhe u japin këshilla lidhur me kultivimin e bletëve.
Jehona thekson se ka pasur edhe kompani amerikane, gjermane dhe arabe që kanë shprehur dëshirën për bashkëpunim, pasi majti është konsideruar shumë cilësor. Megjithëkëtë, një gjë e tillë ishte e pamundur të bëhej sivjet pasi kushtet klimatike nuk ishin në favor të bletëve, shtoi ajo.Tash për tash ata shesin mjaltë vetëm brenda Kosovës.
Përveç bletarisë, Jehona ndjek edhe trajnimet në MBPZHR për trajnere në sektorin e aplikimit të granteve në fushën e bujqësisë. Librin e saj “Roli i femrës në bletari” e kanë marrë si dhuratë 100 gra që duan të merren me këtë veprimtari.
Tash për tash nuk ekzistojnë statistika sa familje merren në mënyrë individuale me bletari në Deçan.
Safete Gacaferi, drejtoreshë e shoqatës së gruas “JETA” thotë se para 10 vitesh shoqata kishte organizuar kurse të bletarisë ku 30 femra ishin pjesëmarrëse. Ajo tregon se vetëm dy prej tyre edhe sot e vazhdojnë këtë veprimtari.
Liridona Berisha