Ishte viti 2008 kur A.M ishte pranuar në një universitet jashtë vendit dhe kishte vendosur që me miket e saj të dilte për të festuar në njërin nga lokalet e kryeqendrës. Festa për të ishte kthyer në frikë dhe që nga ai rast ajo nuk del asnjëherë natën vonë dhe pa përcjellje.
“Në një lokal në Prishtinë, rreth orës 20:30 një person tenton të më afrohet me forcë. Unë nuk pranoj dhe ai nervozohet. Mundohem ta kontaktoj policinë, por pa sukses. E lënë pa opsione tjera kur afrohet përsëri e godas dhe pas këtij veprimi vjen një shok i tij dhe më godet më shuplakë”, thotë A.M.
Ngacmimi për të kishte vazhduar edhe pasi kishte dalur nga lokali, por për fat kishte përfunduar për shkak se u “bëra kinse po e thërras policinë dhe ata u frikësuan.”
Raste të tilla kanë zgjuar vëmendjen e organizatave si Open Data Kosovo dhe Girls Code in Kosovo, së bashku me Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës. Këto organizata, bashkë me 30 vajza të tjera, kanë krijuar aplikacionin për raportimin e ngacmimeve seksuale “EC SHLIRË” ose “Walk Freely.”
Blerta Thaqi, ideatore e projektit thotë se gjithsej nëntë punëtori ishin organizuar për krijimin e këtij aplikacioni i cili, tani për tani, mund të përdoret vetëm në platformën Android, por që shumë shpejtë do ta ketë në dispozicion edhe në platformën IOS.
“Qëllim kryesor kemi ngritjen e vetëdijes kundër këtij fenomeni, nxjerrjen e të dhënave që pastaj, në bashkëpunim me organet kompetente, të merren masa që lagje të caktuara të ndriçohen apo edhe të shtohen patrullat e sigurisë”, thotë Thaqi.
Kosovare Sahatqiu, një nga 30 vajzat pjesëmarrëse në krijimin e aplikacionit dhe promovuese e tij, thotë se ai ishte paraqitur në treg më 24 shkurt të vitit të kaluar, dhe se deri tani ka rreth 1.000 shkarkime dhe, rrjedhimisht edhe rreth 400 raportime të ngacmimeve të ndryshme seksuale.
“Aplikacioni përdoret nga të gjitha gjinitë, është anonim por përdoren infromatat vetëm për të nxjerrur të dhëna demografike. Ofrohet në 5 gjuhë dhe mundëson që secili përdorues të shoh cilat kanë qenë llojet e ngacmimeve, në cilat vende ka ndodhur më shumë dhe në çfarë rrethanash”, ka thënë Sahatqiu.
Adelina Tërshani, e cila edhe vet është përballur me ngacmimet në rrugë, thotë se ky aplikacion ka funksione që ndihmojnë mjaft.
“Ky aplikacion, të cilin edhe unë e kam shkarkuar, është i dobishëm për faktin se mund të matet numri i ngacmimeve në vendet ku ndodhin ato. Në njëfarë forme është një hap në vetëdijësimin kundër ngacmimeve seksuale,” thotë ajo.
Organizatat Girls Code in Kosovo, Open Data Kosovo dhe RrGGK nuk është aktiviteti primar parandalimi i ngacmimeve, dhe sipas Kosovare Sahatqiut, rastet më të rrezikshme i adresojnë tek Policia e Kosovës.
Sipas raportit të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK) të publikuar vitin e kaluar, rezulton se 48.5% e kosovarëve gjatë jetës së tyre kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual.
Gjinia femërore, po sipas këtij raporti, përjetojnë më shumë ngacmim seksual sesa meshkujt: 64.1% e grave raportojnë se kanë përjetuar ngacmim seksual, përballë 32.5% të meshkujve. Po ashtu, individët e moshës 18-25 vjeç kanë më shumë të ngjarë të raportojnë se kanë përjetuar ngacmim seksual, ndërsa personat e moshës 46 vjeçare e sipër kanë më pak të ngjarë të raportojnë të njëjtën gjë.
Doruntina Stojkaj