Me zhvillimin e teknologjisë informative në Kosovë, po hetohet një rënie e interesimit për t’i vizituar bibliotekat tradicionale, kurse me procesin e bërjes së versionit “online” të librit, me digjitalizimin e bibliotekave parashihen edhe ndryshime.
Edhe pse ka kohë që ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës në njërën anë dhe Bibliotekës Kombëtare në anën tjetër është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për digjitalizim, një proces i tillë ende nuk ka nisur të zbatohet edhe për faktin se ende nuk është gati baza ligjore për botimet digjitale.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Osman D. Gashi, tha se, për vitin 2016, për veprimtarinë botuese – librin, MKRS-ja pat ndarë 160 mijë euro.
“Ministria e Kulturës në këtë fazë është duke punuar në rregullimin e infrastrukturës ligjore për botimet digjitale, kurse procesi i digjitalizimit është në kompetencë të Bibliotekës Kombëtare, jo e ministrisë. Ndaj për këtë qëllim nuk ka pasur ndonjë investim të veçantë nga MKRS-ja”, thotë ai.
Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, thotë se numri i lexuesve të anëtarësuar në këtë bibliotekë, për këtë vit ka qenë shumë i madh, sidomos pas kalimit në objektin e ri, ku kushtet janë më të mira.
“Vetëm brenda tri ditëve të fundit, 300 ulëse, që i posedon biblioteka nuk po mjaftojnë për t’i sistemuar rreth 400 lexues, që e vizitojnë bibliotekën. Nga këta lexues kryesisht dominon mosha e re,” tha Hyseni.
Me zhvillimin e teknologjisë informative, internetit dhe rrjeteve sociale, Hyseni thotë se në bibliotekën e tyre nuk vëren ndonjë ndryshim të madh në lexueshmërinë e librit. Lexuesit e tyre janë kryesisht nxënës dhe studentë, mirëpo as ky institucion, as Kosova nuk i ka shpëtuar këtij ndikimi.
Zhvillimi i teknologjisë informative, sipas tij , ka ndikuar pozitivisht edhe në këtë bibliotekë, sepse ka ndihmuar në procesin e punës. Instalimi i programit Aleph 500 ka ndihmuar në përmirësimin dhe lehtësimin e punës në katalogimin elektronik dhe lexuesi mund të informohet nëse një libër që e kërkon, gjendet në bibliotekë ose jo. Kjo, sipas drejtorit, nuk do të thotë se është ndonjë sukses shumë i madh në kuptimin e digjitalizimit, që po ndodh në botë për arsye se Kosova është ende shumë larg me këtë proces. Mirëpo, pas bisedës që ka pasur me drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare shpreson se gjatë viteve të ardhshme mund të fillohet me procesin e digjitalizimit të gazetave (në kuptimin historik të tyre) si psh. të gazetës “Rilindja”.
Ndërsa sa i përket frikës, që po qarkullon kohëve të fundit se biblioteka tradicionale do të ndalojë së funksionuari, pas fillimit të digjitalizimit dhe me zhvillimin e teknologjisë, drejtori i Bibliotekës, Hyseni thotë se ai e mbështet idenë e dy njerëzve, siç thotë ai, të jashtëzakonshëm, të shkrimtarëve: Milan Kundera dhe Umberto Eco.
“Kundera e ka lënë një lloj testamenti se askush nuk ka të drejtë të bëjë digjitimin e librave të tij, kurse Umberto Eco ka thënë se duhet prekur dhe ndjerë aromën e librit,” citoi Hyseni.
Ai e shpjegon me shumë qasje emocionale dhe të brendshme kur thotë se ka frikë nga humbja e vlerave. Hyseni beson se sado që njerëzimi ka shkuar shumë larg, forma e librit dhe mënyra e funksionimit të bibliotekës në kuptimin e prekjes e ruajtjes së gjendjes fizike të librit do të vazhdojë .
Biblioteka për çdo vit në Ditën e Librit, si formë stimuluese bën shpalljen e lexuesve më të mirë. Altina Kasabaqi, lexuesja e vitit, tha se nuk i pëlqen shumë ideja e digjitalizimit të bibliotekave sepse siç thotë ajo, kështu po i humb edhe rëndësia e librit ( fizik ). Madje, edhe librat të cilët po vizualizohen me pamje në formë të filmit nuk po arrijnë të portretizojnë shumë mirë ngjarjen sikur libri.
Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në takim me anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thënë se biblioteka është duke bërë “planin e krijimit të një Katalogu të përbashkët të bibliotekave në Kosovë. Me krijimin e këtij Katalogu dhe aplikimin e standardeve të përshkrimit bibliografik për të gjitha llojet e materialeve, synohet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, si: WorldCat, Bibliotekën digjitale botërore”, etj.
“Projekti i digjitalizimit të bibliotekës, vazhdon të jetë prioritet në pikat e rendit, aq më tepër kur, është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, qëllimi i të cilit është digjitalizimi i dokumenteve në letër, që janë në fondin e bibliotekës, të cilat janë pjesë e kulturës dhe e dijes në Kosovë”,thotë Gajraku.
Puhiza Bekolli