Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosovarët po kthehen edhe nga Kroacia si një zgjidhje punësimi

Mar 4, 2020

Në Restaurant “Konaku” në Kamenicë aktualisht punojnë 8 kamarierë, por 5 prej tyre tashmë janë në pritje të marrin viza të punës – për t’u larguar në Gjermani.

Thonë se në Gjermani kanë gjetur punë, dhe presin vetem përgjigje nga Ambasada.

Egzon Arifi, 24 vjeçar. thotë se për “në Kamenicë po mbarojnë arsyet që të qëndroj”, sepse mungon perspektiva dhe pagat e tij nuk janë të mjaftueshme për nevojat elementare.

Arifi ankohet se mbi dy vjet po pret thirrje nga Ambasada Gjermane, për të marrë përgjigje a është aprovuar viza ose jo.

Këto pritje të gjata për aprovimin e vizave të punës për në shtetet e zonës Shengen, kanë ndikuar tek shumë kosovarë të rinj, por jo vetëm edhe te ata, që kohëve të fundit të shtojnë interesimin për punësim të përkohshëm gjetkë, një numër e madh syresh me sytë e kthyer nga Kroacia.

A.L, 28 vjeçar, ka një vit që punon në sektorin e ndërtimtarisë në Zagreb, të Kroacisë. Ai është i kënaqur me kushtet e ofruara nga kompania ku punon, sepse i është siguruar ushqimi dhe banimi dhe fitimi prej rreth 5 euro në orë.

“Unë paguhem si profesionist. Këtu nuk ka punëtorë që paguhen më pak se 4 euro për orë. Jemi rreth 50 punëtorë me prejardhje nga Kroacia dhe Kosova, një numër i konsiderueshëm nga qyteti i Kamenicës”, thotë ai.

Arsya pse ka zgjedhur pikërisht shtetin e Kroacisë si treg të punës, është se pritjet për aprovimin e vizës rëndom zgjasin më pak se 3 javë.

“E para më ka ardhë ftesa nga kompania… pastaj, në Ambasadë i kam dorëzuar dokumentet për vizën. Leje-qëndrimin e kam për një 1 vit, pastaj mundem me vazhdu vizën prapë”, tregon ai.

Procedurat e aprovimit të vizës për në Kroaci, sipas Ambasadës së Kroacisë në Prishtinë, zgjatin 10-15 ditë, ndërkohë që kërkohen edhe afër 90 euro për shërbimet e Ambasadës.

“Ambasada Kroate lëshon viza me një hyrje për personat që tashmë kanë lejen e punës dhe të qëndrimit të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Kroacisë. Këto viza lëshohen me qëllim të rregullimit të punës dhe qëndrimit pas mbërritjes në Kroaci. Aplikuesit duhet të shkojnë sa më shpejt të jetë e mundur në komisariatin kompetent për të rregulluar qëndrimin e tyre. Pastaj ata pajisen me një kartë qëndrimi biometrike”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Ambasada e Kroacisë.

Vetëm në vitin 2018 sipas Eurostat, rreth 15,800 kroatë kanë emigruar në shtetet e Europës Perëndimore. Në mungesë të punëtorëve, Kroacia për vitin 2020 ka rritur kuotën e shtetasve të huaj për punësim në këtë shtet.

“Kuota totale vjetore e punësimit për të huajt në vitin 2020 është 78,470 persona, nga të gjitha shtetet e huaja”, thotë Ambasada Kroate në Kosovë.

Sipas tyre, vetëm në vitin 2019, Ministria e Brendshme e Kroacisë për qytetarët e Kosovës ka lëshuar 8,454 leje për punë dhe qëndrim. Vetëm nga Komuna e Kamenicës, vitet e fundit për të punuar në Kroaci kanë shkuar mbi një mijë qytetarë.

Kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, thotë se trendi i shkuarjes në Kroaci, është i theksuar vitet fundit.

“Zyrtarja për Riatdhesim (në kuadër të Komunës) ka komunikuar me këshillat lokale dhe me udhëheqësit fetarë e komunitetet e ndryshme… Nga ato vlerësime ka dalë se 3-4 vitet e fundit rreth 800 qytetarë nga Kamenica janë larguar në Kroaci… “, thotë Kastrati duke shtuar se një numër prej tyrë janë kthyer sepse nuk kanë mundur të ambientohen.

Në bazë të indikatorëve në dispozicion, Agjencia e Statistikave të Kosovës, supozon se në vitin 2018, në Komunës e Kamenicës kanë jetuar 31,023 banorë, 4,688 banorë më pak, në krahasim me vitin 2012.

Vitin e kaluar në Zyrën Komunale për Punësim janë të regjistruar 1,369 qytetarë të interesuar për punësim.

Kastrati beson se aktualisht shkalla e papunësisë në Kamenicë është mbi 50%.

“Nëse e shohim me statistika sa janë paraqitur se janë të papunë, del një shifër rreth 30%. Por sipas hulumtimeve që ne i kemi bërë, edhe pse nuk jemi të thirrur për to, unë mendoj se papunësia në komunën tonë shkon në 2/3, do të thotë rreth 70%. Analiza ka qenë në vitin 2018-2019”, thotë ai.

Kastrati thotë se duhet të shihen edhe anët pozitive të punësimit të përkohshëm në shtetet e Europës Perëndimore ose të regjionit, si në Kroaci, sepse ka mundësi që në një të ardhme “ata edhe të investojnë” në Kamenicë.

Jeton Xhelili, gjithashtu nga Kamenica, mbi një vit punon në Llabin, qytet në Kroaci, si punëtor i kualifikuar, por nuk është edhe gjithaq i kënaqur me kushtet e banimit.

“Paga në këtë kompani sillet rreth 3,50 euro (në orë) për punëtorët e krahut, ndërsa 5,50 euro për profesionistët. Kushtet e banimit nuk janë të mira. Ne nuk e paguajmë banimin, por ushqimin po”, shprehet Xhelili.

Ai thotë se kohën e fundit kriteret për punësim janë ashpërsuar për disa arsye.

“Shumë aplikues janë deklaruar se njohin profesionin, ndërsa kjo nuk është dëshmuar me punën e tyre. Kjo ka bërë që testi i pranimit në këto kompani për kosovarët të jetë më ‘strikt’ dhe të kemi kontrolle gjatë tërë ditës së punës”, shprehet ai.

Sipas Xhelilit, në Labin punojnë mbi 100 kosovarë, ndërkohë që supozohet se në mbarë Kroaci aktualisht punojnë mbi 30,000 qytetarë nga Kosova.

Asllan Karavidaj, pronar i kompanisë turistike “Vector” në Prizren, që tash tetë vjet mban linjat e rregullta me autobusë në relacion Kosovë-Kroaci,  thotë se vitin e fundit është rritur dukshëm kërkesa nga të gjitha qytetet e Kosovës për të udhëtuar drejt Kroacisë.

“Kur kemi filluar linjën brenda një viti numri i udhëtarëve që kanë udhëtuar në drejtim të Kroacisë ka qenë 2,000–3,000 udhëtarë. Vitin e kaluar ka një rritje prej 30%, numër ky që po rritet në vazhdim. Ne nuk ndërmjetësojmë për punësim, ne vetëm transportojmë udhëtarët të cilët janë të pajisur me viza pune”, thotë Karavidaj.

Autobusi i “Vector-it” nga Prizreni ndalet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, prej ku më pas niset direkt për në Zagreb. Udhëtimet janë katër herë në javë në Kroaci, ditën e hënë, të mërkurën, të premten dhe të shtunën. Nisja nga Prizreni bëhet në orën 19:00, e nga Prishtina në orën 20:30, ndërkohë që në Zagreb autobusi mbërrin të nesërmen në ora 9:00. Çmimi i udhëtimit për në Kroaci është 50 euro në një drejtim ndërsa 80 euro paguhet për biletë kthyese. 

Sipas hulumtimit nga organizata joqeveritare, Demokracia për Zhvillim (D4D), të realizuar vitin e kaluar, rreth 60% e qytetarëve të Kosovës e shohin emigrimin si mundësi reale, ndërsa 40% janë deklaruar se nuk do të largoheshin asnjëherë. Shumica e atyre që kanë deklaruar se nuk do ta lëshojnë Kosovën janë të moshës mbi 35 vjet.

Gersi Gashi, hulumtues në D4D, tregon se në hulumtim janë intervistuar 1,065 qytetarë të moshave nga rajonet e ndryshme të Kosovës, dhe se rezultatet mund të kenë margjinë gabimi rreth 3%.

Shumica e të intervistuarve kanë deklaruar se arsyeja kryesore për të kërkuar zgjidhje për punësim jasht Kosovës ishte pamunjdëisa e gjetjes së punës këtu: 

Sipas Eurostat, prej vitit 2013 deri më 2018 nga Kosova kanë imigruar rreth 106,000 qytetarë. Sipas të njëjti burim vetëm në vitin 2019 mbi 15,000 qytetarë janë larguar nga Kosova.

Liridon Llozani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM