Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, zZëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, sot kanë vizituar ushtarët të cilët kanë marr pjesë në Ushtrimin “DEFENDER – Europe 21”, i cili u mbajt në kampin në Babaj Bokes dhe në kampin në Deve në Gjakovë.
Osmani ka thënë se është ditë e krenarisë së madhe për secilin qytetar të Kosovës që për dekada me radhë ka ëndërruar që ta ketë ushtrinë e Kosovës krah për krah me ushtrinë më të fuqishme në botë, me aleatin tonë më të fuqishëm e strategjik, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi tepër krenarë, mburremi me secilin ushtar, me gra e burra të këtij vendi të cilët qe një kohë të gjatë kanë ushtruar që sot të na bëjnë krenarë gjithsecilin, por po ashtu dita e sotme është rikonfirmim i një aleance të fortë sa guri, një aleance ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Osmani.
E para e vendit ka theksuar se së bashku me shumë vende të tjera e rikonfirmuam sot orientimin tonë strategjik, e rikonfirmuam sot rrugën tonë të përbashkët përpara drejt integrimeve euroatlantike, dhe rikonfirmuam sot se gjaku i derdhur për këtë vend nuk ka shkuar huq.
“Me suksesin e jashtëzakonshëm të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të ushtrisë sonë, e cila është ndërtuar me shumë mund u konfirmua sot se themelet e Kosovës qëndrojnë të forta dhe nuk ka kush se i lëkund ato”, ka theksuar Presidentja.
Ajo më tej ka thënë se “22 vite më parë në këtë tokë që e shkelim sot derdhej gjak, por në qiellin që është mbi ne fluturonin aeroplanët dhe aty ishin shpëtimtarët tanë kurse sot i shohim bashkë me ne, me ushtrinë tonë vërtetë është një ndjenjë dhe emocion i veçantë dhe asnjëherë nuk është mjaftueshëm t’u themi faleminderit nga thellësia e zemrës”.
Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin e saj për gjithsecilin për punën e jashtëzakonshme Ministrin e Mbrojtjes, Komandantin e Forcës së Sigurisë, por edhe secilin ushtarak që sipas Presidentes, kanë bërë çmos që në ditën e sotme ne të dalim faqebardhë jo vetëm para qytetarëve tanë, por mbi të gjitha edhe para aleatëve tanë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.