Inovacioni është një ndër fushat më kryesore të krijimit të ideve të reja, që u lejon të rinjve kudo që janë, përfshirë edhe të rinjtë e Kamenicës, të arrijnë në pikat më të larta që ua drejtojnë rrugën drejt së ardhmes. Kjo përfshirje ndikon në zhvillimin personal jo vetëm të të rinjve që merren me inovacion, por edhe atyre që janë pjesë e të njëjtit komunitet me ta. Ndikimi vërehet edhe në zhvillimin ekonomik, e sidomos kur një produkt inovativ rezulton i suksesshëm.
Komuna e Kamenicës është një ndër komunat e Kosovës që ka një përfshirje të madhe të të rinjve në inovacion. Të rinjtë e Kamenicës janë të interesuar dhe përfshihen në zgjidhjet që i bëjnë vetë ata, por fatkeqësisht nuk është që u ofrohet ndonjë mundësi nga institucionet publike përveç shkollimit që është obligativ.
Ofrimi i kushteve për të rinjtë nuk është aspak i kënaqshëm, ndërsa në aspektin e vet iniciativave themi se ka shumë rezultate të mira. E këtë e konfirmon edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Komuna e Kamenicës ka menduar që për të rinjtë e kësaj komune të ofrojë një mundësi shumë të mirë, e që është qendra inovative BONEVET, që shumë shpejt do të jetë e hapur për të rinjtë e Kamenicës me vendndodhje në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”. Kjo konsiderohet të jetë një punë shumë e mirë nga institucionet komunale, por e cila do jetë një mundësi shumë e mirë edhe për të rinjtë e Kamenicës.
Kastrati thotë se ndërtimi i kësaj qendre është pothuajse në përfundim e sipër, dhe mezi pret që të hapet.
“Ne veç kemi lidhur marrëveshje me ta dhe jemi në proces të kryerjes së obligimeve nga secila palë. Shpresojmë që sa më shpejt ta hapim e t’iu tregojmë prindërve dhe të rinjve për këtë mundësi të mirë në mënyrë që ata të jenë të përfshirë që nga fillimi”, shtoi më tutje kryetari i komunës së Kamenicës.
Në vitet e fundit, mundësitë për përfshirjen e të rinjve në inovacion janë shtuar. Hapësirat si BONEVET dhe qendrat e tjera inovative në Kosovë po u ofrojnë të rinjëve qasje me të lehtë në fushën e inovacionit. Sidoqoftë, ka ende nevojë që këto hapësira të krijohen në më shumë vende të Kosovës ku të gjithë të rinjtë të kenë qasje. Kështu mendon edhe zyrtarja e teknologjisë në BONEVET Prishtina, Rinë Fetahu.
“Unë vetë jam pjesë e BONEVET Prishtina ku edhe kam mundësi të shoh më afër procesin e zhvillimit të ideve dhe krijimin e produkteve të reja, kryesisht nga të rinjtë në Kosovë. Kjo më mundëson të shoh edhe nevojën që hapësirat inovative të shtohen në të gjithë territorin e Kosovës,” ka thënë Fetahu.
Aktualisht, shumë të rinj të Kamenicës përpiqen të përfshihen në inovacion, por në këtë rrugë ata kanë shumë pengesa. Mundi, puna dhe interesimi i tyre i bën ata të pandalshëm dhe të aftë që t’i arrijnë synimet e tyre, ndaj as këto pengesa nuk i ndalojnë të rinjtë të përkushtohen edhe më shumë në këtë fushë.
“Të jesh i përfshirë në inovacion padyshim që kërkon shumë punë, por mbështetja e institucioneve përkatëse ndihmon shumë në këtë drejtim. Unë mendoj se zhvillimi i inovacionit është thelbi i zhvillimit të një vendi dhe këtë mund ta arrijmë vetëm falë ideve të ndryshme që ne mund t’i krijojmë,” thekson Rrezearta Thaqi, studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë.
Sidoqoftë, muajve të fundit në komunën e Kamenicës është ofruar një trajnim nga Open Data Kosovo, i quajtur “Code4Kamenica”. Ky trajnim i ka ndihmuar të rinjtë e moshave 14 deri 18 vjeçare të familjarizohen me kompjuterët dhe përdorimin e tyre.
Mefail Kryeziu, pjesëmarrës i këtij trajnimi, e njëkohësisht nxënës i shkollës “Metush Krasniqi” në Rogaçicë tregon për mësimet që kanë marrë nga ky trajnim.
“Gjatë këtyre orëve që kemi mësuar, kemi fituar aftësi që ndoshta për shumë vite s’do i kishim fituar asnjëherë. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti në trajnim është se trajnerët te ne kanë përcjellur një energji, punë, vullnet e motivim të madh. Mbase edhe pak vite mund të jemi ne ata të cilët do jenë të përfshirë në inovacion,” tha Kryeziu.
Ndërkohë, drejtoresha ekzekutive e Open Data Kosovo, Blerta Thaçi nga komuna e Kamenicës, e cila ndërmerr dhe sistemon të dhënat e hapura në formë digjitale, tregon se përmes një mbledhje të bazave të të dhënave, kanë parë që interesimi i të rinjve për inovacion po rritet dita-ditës. Ajo flet edhe për përfitimet e pjesëmarrjes në këto trajnime.
“Trajnimet që ne i ofrojmë, ose të tjera trajnime nga organizata tjera kanë një rol shumë të dobishëm. Nëse të rinjtë përfshihen në trajnime të tilla, ata kanë mundësi për t’u përgatitur më mirë për të ardhmen dhe për tregun e punës, pasiqë këto mundësi ndikojnë shumë edhe në punë,” thotë ajo.
Duke parë arritjet e mëdha të kompanive që janë në fushën e teknologjisë si Apple, Tesla e Samsung, si dhe trendin e investimeve ekonomike në botë, interesimi në fushën e inovacionit në Kosovë viteve të fundit është rritur eksponencialisht, sidomos nga të rinjtë.
Edison Telaku, student i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës mendon se një nga mundësitë më të mira për të rinjtë që të mirren në inovacion është pjesëmarrja në gara që kanë synim inovacionin.
“Në bazë të përvojës sime mund të them se mundësia më e mirë e të rinjve në Kosovë që të merren me inovacion është përcjellja e garave të ndryshme që shpesh publikohen nga kompanitë e fushës së inovacionit në botë, sepse përveç përvojës së mirë që mund të marrin në këto gara, aty mund të lindin ide të reja për inovacion e po ashtu të krijohen lidhje të reja të komunikimit e të bashkëpunimit,” u shpreh Telaku.
Edisoni po ashtu tregoi se Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike i Universitetit të Prishtinës ka marrë pjesë në kuadër të garës së organizuar nga kompania e prodhimit të mikrokontrollerëve NXP, ku ideja ka qenë programimi dhe montimi elektronik i një veture të vogël e cila do të kalonte një seri sfidash në mënyrë autonome.
Kosova shquhet të jetë një ndër vendet që ka popullsinë më të re. Sipas një ankete të KAS të vitit 2018, përafërsisht rreth 30 përqind e të rinjve mes 15 dhe 24 vjet nuk janë të punësuar apo të përfshirë në inovacion. Ndërkaq, sipas hulumtimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndermarrësisë, konkurrenca e ndërmarrjeve kosovare dhe mirëqenia sociale është rezultat i investimit në kreativitet dhe inovacion. Mirëpo, mungesa e statistikave ka ndikuar në vlerësimin jo të duhur të kapaciteteve dhe angazhimeve në inovacionin në vend.
Për këtë qëllim janë realizuar edhe disa anketa. E fundit anketë është ajo e OECD e vitit 2013 që bën vlerësimin e sistemit inovativ në Kosovë. Në anketë ishte raportuar se shumë firma konsideruan që janë inovative, por koncepti i inovacionit kuptohet më gjerësisht se kaq, kryesisht duke iu referuar inovacionit gradual.
Dardan Isufi me vendbanim në Kanada, bashkëthemelues i programeve të ndryshme softuerike, është i mendimit se nëse krahasojmë zhvillimin e inovacionit në Kosovë me vendet e tjera, shohim se ka një dallim për sa i përket mbështetjes financiare dhe asaj institucionale. Por përveç kësaj, ai tha se në vendet e perëndimit ka një rrjet më të gjerë për zhvillimin e inovacionit dhe përfshirjen e rinisë në të.
“Zhvillimi i inovacionit kërkon një punë të pandalshme pavarësisht se ku jeton, e sidomos zhvillimi i ideve jashtë territorit. Inovacioni fillon nga realizimi i ideve të tua në projekte reale”, shtoi Dardani.
Më tutje Dardani tregon për aplikacionin që ai ka krijuar në bashkëpunim me të tjerët. Ky aplikacion, i quajtur “Eva Coop”, ka marrë një hov shumë të madh dhe synon që të vijë edhe në Kosovë. “Eva Coop” është një aplikacion i bazuar në blockchain që u mundëson njerëzve të udhëtojnë bashkë, njëjtë si me Uber, ku ata që udhëtojnë paguajnë më lirë, ndërsa pagat e vozitësve janë më të larta.
Sipas raportit të Progresit të BE-së për Kosovën për vitin 2016, pengesat kryesore për zhvillim dhe rritje të mëtejme të inovacionit mbeten qasja e kufizuar në financa, zbatimi i dobët ligjor i kontratave dhe rregulloreve të biznesit, korrupsioni si dhe konkurrenca jo e drejtë dhe barrierat administrative. Raporti gjithashtu thekson se është bërë pak progres në këtë fushë, e sidomos në krijimin e një qendre përkrahëse për bizneset.
Raba Mehmeti, një ndër menaxheret e Creative Hub Kosovo mendon se interesimi i të rinjve për t’u përfshirë në inovacion është shumë i madh, ndaj edhe idetë nga ana e tyre nuk mungojnë, e këtë ua mundësojnë edhe qendrat inovative të cilat janë të shumta në Kosovë.
“Falë projekteve që po financohen nga organizatat ndërkombëtare, të rinjtë e kanë shumë më të lehtë edhe më të thjeshtë për t’u përfshirë. Rëndësi ka të kesh një ide, punë të vazhdueshme dhe përkrahje morale e finaciare për këta të rinj”, thotë Raba Mehmeti.
Zahir Maliqi, një tjetër student i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës mendon se të jesh i përfshirë në inovacion në Kosovë nuk është e lehtë, mirëpo ata që interesohen në këtë fushë shumë shpejt mund ta gjejnë veten të përfshirë me idetë e tyre inovative.
“Inovacioni ka një zbatim të madh në jetën e përditshme. Nga ky zbatim rëndësi të madhe kanë shumë ide inovative që janë për të mirën e të gjithëve dhe shumë ndihmuese. Pjesa e përfshirjes në inovacion ka për bazë idetë e tona dhe zbatimin e saj”, shtoi Maliqi.
Inovacioni në Kosovë ka filluar fillimisht nga kompanitë private dhe nga persona të caktuar të cilët nga idetë kanë krijuar kompani të shumta. Edhe gjeneratat më të hershme janë munduar shumë të kyçen në inovacion, por tani të rinjtë e kanë shumë më të lehtë. Këtë e konfirmon edhe Drenusha Imeraj e cila është drejtuese e departamentit të aplikacioneve IOS.
Ajo thekson se të rinjtë duhet të jenë sa më shumë të informuar për mundësitë që ofrohen në mënyrë që të mund të bëhen pjesë e tyre.
“Të kesh idenë ne themi se gjysma e punës mbaroi. Por të rinjtë kanë nevojë që të jenë më të informuar për mundësitë e përfshirjes, sepse ndoshta kjo nganjëherë ndikon në mospërfshirjen e tyre në këto fusha”, tha Imeraj.
Në një vend si Kosova, ku popullsia ka një moshë mesatare 30 vjeçare, padyshim se rinisë nuk i mungojnë idetë. Mbi të gjitha, Artë Retkoceri, menaxhere e projektit KosLift, mendon se përfshirja e të rinjve në inovacion përmirëson edhe pikëpamjet e tyre për të ardhmen.
“Ne si pjesë e RIT japim shumë mundësi për të rinjtë, dhe interesimi i tyre është padyshim i pranishëm. Këto trajnime që ne i ofrojmë kanë shumë përparësi dhe mundësi që u ndihmojnë të rinjve të jenë më se të përgatitur për të ardhmen në sferat që ata zgjedhin,” përfundoi Artë Retkoceri.
Një mundësi shumë e mirë që çdokush mund ta shfrytëzojë është edhe projekti INPROMO i cili është i mbështetur nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Kosovë dhe implementuar nga OJQ “ALO”. Synimi i këtij projekti është që të promovojë ndërmarrësinë dhe inovacionin në Republikën e Kosovës, si dhe të inkurajojë të rinjët që të mirren me biznes dhe inovacion.
Sipas raportit për inovacion për vitin 2020 i Komisionit Evropian, zhvillimi i inovacionit në shtetet e Bashkimit Evropian po vazhdon të rritet në krahasim me vitet e kaluara, ku prej vitit 2012 përformanca e inovacionit është rritur për 8.9%. Përformanca e BE-së për herë të parë po kalon edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku si vendi udhëheqës i inovacionit në Evropë edhe për vitin 2020 vazhdon të jetë Suedia. Në këtë raport gjithashtu tregohet se, duke krahasuar të dhënat e vitit 2011 me ato të vitit 2020, më shumë se 25 vende kanë pasur një rritje në zhvillimin e inovacionit dhe krijmin e mundësive për t’u përfshirë të rinjtë.
Sipas institutit Aspen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë lideri i padiskutueshëm global në inovacion pas Luftës së Dytë Botërore. Nga transistorët në kompjuterët personalë, nga zhvillimi i internetit deri në evolucionin e telefonit inteligjent, Amerika ishte në kufirin e transformimit teknologjik të botës. Faktorë të shumtë e nxitën këtë përparim në epokën e pasluftës: kërkesa e konsumatorit, konkurrenca e Luftës së Ftohtë, ndjekja e pamëshirshme e përparimit dhe udhëheqja e fortë federale.
Ndërsa sipas një raporti nga Instituti Ekonomik i Zonës Bay në Kaliforni, Kina është një ndër shtetet që bëri një kthesë tek inovacioni, ku përmes veprimtarisë me ekonominë e ulët me prodhim të mallërave dhe shërbimeve gjithnjë e më të sofistikuara, arriti të kalojë në grupin e shteteve me inovacion të zhvilluar. Rëndësia e saj shtrihet jo vetëm në tregti, por edhe në investime, pasi kompanitë amerikane vazhdojnë të investojnë në Kinë, dhe kompanitë kineze të teknologjisë investojnë gjithnjë e më shumë në zona të ndryshme në Amerikë.
Më tutje, ky raport shton se nuk ka dyshim se Kina është inovative. Kjo është e dukshme në kompanitë e saj kryesore private, të cilat janë ndër më të mirat në botë në fushat e tyre.
Edhe raporti i Indeksit Global të Inovacionit jep të dhëna që inovacioni vjetor i botës ka rezultate të ndryshueshme me vitet e kaluara, dhe ndër to shtetet e Evropës kanë dhënë rezultate lakmuese dhe mjaft të mëdha në krahasim me vitet e tjera. Sipas këtij raporti, shtetet e Evropës mbizotërojnë në tabelë, ku Zvicra gjendet në vendin e parë, Holanda në vendin e dytë, Suedia në vendin e tretë, Mbretëria e Bashkuar në vendin e katërt, pastaj Singapori e më tutje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që edhe vërehet qartë është fakti se shtetet e Evropës kanë lënë mbrapa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rol të madh kanë pasur edhe shpikjet e bëra ndër vite. Sipas KEMPLER, numri i shpikjeve në njëzetë vitet e fundit ka arritur në 347,642, që tregon se ka një rritje prej 183% krahasuar me vitet e mëhershme, ku numri i shpikjeve ishte deri në 122,975 shpikje.
Alba Thaqi
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.