Rritja e përditshme e numrit të qytetarëve të infektuar të Kosovës me Covid-19 e rrit edhe rolin e gazetarëve dhe mediave të tyre që t’i informojnë qytetarët me përgjegjësi lidhur me rreziqet që mund t’iu kushtojnë me jetë në rast të papërgjegjësisë personale.
Sipas hulumtimit që gjatë muajit prill e ka realizuar UNDP në bashkëpunim me UN Women dhe UNFPA, në mostrën prej 412 familjeve në shtatë komuna të Kosovës (Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë), 89 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se informacionet për Covid-19 i kanë marrë nga mediat (TV, radio, gazetat), ndërsa 79 për qind kanë deklaruar se krahas mediave ata janë informuar edhe nëpërmjet Internetit dhe rrjeteve sociale.
Edhe pse rëndësia e mediave në informimin e qytetarëve për ndërmarrjen e masave personale për mbrojtje nga virusi dhe transmetimin e informacioneve të rëndësishme nëpërmjet intervistave të epidemiologëve të Kosovës është e madhe, është një e dhënë zhgënjyese se sipas një hulumtimi joformal, madje 30 për qind e qytetarëve nuk beson në ekzistencën e virusit.
Sidoqoftë, ashtu si zyrtarët e institucioneve të Kosovës që nuk janë imunë ndaj Covid-19, sepse një numër i konsiderueshëm i tyre e ka kaluar krizën e virusit ose aktualisht gjenden nën mbikëqyrjen e mjekëve, respektivisht në vetizolim, nuk janë imunë as punëtorët e mediave kosovare.
Duke iu falënderuar përgjegjësisë së tyre profesionale, gazetarët që në testin për Covid-19 kanë rezultuar pozitivë e kanë informuar opinionin për një gjë të tillë, por edhe pas përfundimit me sukses të terapisë.
Me punën e tyre të përditshme në terren – kontaktet me punëtorët shëndetësorë në qendrat spitalore dhe anëtarët e familjeve të të infektuarve, me qëllim të informimit sa më të saktë lidhur me problematikat e kësaj sëmundjeje, brengat dhe rekomandimet e profesionistëve, edhe vetë gazetarët i janë ekspozuar rrezikut që të infektohen me Covid-19.
Për këtë arsye edhe nuk duhet lënë anash rolin e gazetarëve, të cilët me raportimin profesional e kanë edhe një mision të rëndësishëm, luftën kundër të ashtuquajturave lajme të rrejshme.
Megjithatë, edhe gazetarët edhe mediat e tyre i kanë ndjerë pasojat negative të pandemisë, posaçërisht në aspektin financiar, e që në disa raste ka rezultuar edhe me mbylljen e mediave ose me ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Nga mesi i marsit është ndërprerë shtypi i gazetave të përditshme (Epoka e Re, Koha Ditore, Zëri, Bota Sot), të cilat kanë kaluar në versionin online, që përsëri ka ndikuar në situatën e tyre financiare edhe për shkak të zvogëlimit drastik të numrit të reklamave. Gazeta Zëri ishte e detyruar që t’ua ndërpresë kontratat e punës 22 punëtorëve medialë.
Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në një intervistë ka deklaruar se gazetarët për këtë arsye i janë ekspozuar një presioni të fortë financiar, fizik dhe psikologjik gjatë kësaj pandemie, sepse “këto elemente janë shkaktuar nga kufizimet në kryerjen e punës si dhe dëmet në ekonominë e mediave, gjë që pastaj ka ndikuar në transformimin e gazetarisë në vend”.
“Gjithashtu, meqenëse pandemia ka pasur impakt në gjendjen ekonomike të mediave, ka raste ku gazetarët janë paguar pjesërisht nga mediumi dhe paga është kombinuar me të ardhurat nga Pakoja Emergjente e Qeverisë; gazetarët megjithëse kanë punuar (madje edhe jashtë orarit të tyre), janë paguar vetëm nga pakoja, apo ka edhe nga ato raste ku mediumet janë detyruar të largojnë nga puna gazetarët, qoftë vetëm me pushim pa pagesë, apo edhe me ndërprerje të kontratës. Covid-19 ka ndikuar në të gjitha sferat publike, por vlerësojmë se te gazetarët ka pasur më shumë impakt, duke pasur parasysh faktin se hyjnë në top 5 profesionet më të rrezikuara gjatë pandemisë”, ka deklaruar Begolli.
Në pakon e parë të masave të Qeverisë së Kosovës për ndihmë në kohë pandemie janë përfshirë edhe mediat, por në kategorinë e “biznesit”. Edhe pse nuk ka të dhëna të publikuara në ç’masë janë ndihmuar mediat me këtë pako, dihet vetëm që punëtorët medialë janë trajtuar si punëtorët e bizneseve të tjera, çka do të thotë se nga kjo pako do të marrin (ose tashmë i kanë marrë) 170 euro.
Në kushtet e rënda në të cilat gjenden sot mediat dhe gazetarët, kjo shumë është vërtet simbolike dhe nëse pandemia do të zgjerohet në mënyrë drastike, kjo gjithsesi do të ndikojë jo vetëm në rritjen e rreziqeve për shëndetin e vet gazetarëve, por për pasojë do të ketë edhe zvogëlimin e stafit profesionist, respektivisht edhe të kualitetit të raportimit nga terreni, më pak raportim në kohë reale dhe sensibilizim të opinionit kur bëhet fjalë për Covid-19.
Dr. Muhamet Jahiri, pedagog i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për këtë arsye në një tekst autorial e ka shtruar edhe nevojën e krijimit të një trupe që do t’i ndihmonte mediat në këtë dhe situata të ngjashme.
“Medieve dhe gazetarëve iu ka munguar në këtë kohë edhe një përfaqësim sindikal, që do të kërkonte dhe përfaqësonte interesat e tyre për mbështetje emergjente financiare nga institucionet, do të kërkonte nga po këto institucione, mbështetje të sigurisë në punë, sepse gazetarët e kanë të garantuar lirinë e shprehjes, por, nuk janë të garantuar që nuk do të preken nga virusi korona”, ka konstatuar Jahiri.
Edhe përpjekjet e Komisionit të Pavaruar të Mediave për t’u dalë në ndihmë mediave nuk kanë rezultuar të suksesshme. Ai, në të vërtetë, me qëlim të lehtësimit të punës së mediave dhe gazetarëve, ka kërkuar që ata të përjashtohen nga obligimi i pagesës së taksës vjetore, e cila për TV-të nacionale është 10 mijë euro, ndërsa për TV-të kabllovike 500 euro. Mirëpo, ky institucion që edhe vetë financohet nga buxheti i Kosovës ka marrë përgjigje negative nga Ministria e Financave me arsyetimin se për një gjë të tillë është i domosdoshëm ndryshimi i Ligjit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka ndihmuar mediat deri tani ashtu që gjatë muajit prill ka arritur, thuaja në fillim të shpalljes së pandemisë, që në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) t’i sigurojë 313 maska respiratorë FFP2, 313 pako dorëza latex dhe 313 dezinfektues 500 ml.
Pakoja për një person ka kushtuar 17.5 euro, ndërsa AGK ka qenë i detyruar të insistojë që për shkak të numrit të kufizuar të këtyre pakove mediet t’i dërgojnë vetëm emrat e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që raportojnë nga terreni dhe të cilët i janë ekspozuar rrezikut nga infektimi i mundshëm me virusin Covid-19.
Është më se e qartë se bëhet fjalë për mjete shpenzuese për mbrojtje nga virusi, që nënkupton se kjo organizatë e gazetarëve që merret me çështjet e mediave dhe gazetarëve do të duhej që të paktën të vazhdonte në këtë mënyrë t’u ofrojë ndihmë kolegëve të vet.
Në ndihmë mediave u kanë dalë edhe disa organizata donatorësh dhe ambasada, të cilat me programet e tyre të donacioneve u kanë mundësuar mediave që nëpërmjet projekteve të caktuara ta lehtësojnë punën kur bëhet fjalë për informimin e mediave lidhur me pandeminë.
Kështu, për shembull, me programin e tij të veçantë KFOS gjatë muajit maj ua ka bërë të mundshme mediave që të konkurrojnë për kostot operacionale të organizatës, kompenzim të stafit, kompenzim të kontributorëve të jashtëm, blerjen e pajisjeve dhe softuerëve (teknologjive të reja) ndihmëse për punë, në shumën prej 5,000 deri në 10,000 euro.
Edhe pse në shikim të parë donacionet e këtilla duken të vogla, ato luajnë një rol të rëndësishëm në mbijetesën e medieve, posaçërisht për faktin se të ardhurat e tyre janë më të vogla për shkak të reduktimit të madh të reklamave nga të cilat mediat kryesisht financohen.
Përkundër faktit se në kontekstin e ndihmës për mediat ka patur reagime pozitive në muajt e parë pas shpalljes së pandemisë, megjithatë shtrohet pyetja, nëse situata përkeqësohet, se a do ta kenë ndihmën ndaj mediave dhe punëtorëve medialë të paktën në planet e tyre afatmesme para së gjithash Qeveria e Kosovës, por edhe organizatat donatore.
Mediat dhe organizatat mediale në këtë kontekst do të duhej t’i konceptojnë nevojat e veta dhe t’i vlerësojnë realisht mundësitë, financiare e kadrovike, se si do të funksionojnë në rastin e një vale të dytë të pandemisë në vjeshtë, ashtu siç e parashikojnë epidemiologët, dhe që tani ta përgatisin një plan reagimi, respektivisht të mundësisë së sigurimit të mbijetesës financiare.
Për autorin/en:
(Violeta Oroshi Berishaj është gazetare dhe redaktore në KosovaLive, gjithashtu është korrespodente nga Kosova në Radio WDR (Këln, Gjermani). Violeta më parë ka qenë e angazhuar si këshilltare në ngritjen e kapaciteteve të mediave serbe dhe shqiptare. Ajo ka implementuar një projekt trajnimi për të rinjtë e interesuar në karrierën e gazetarisë në Paris, Francë, dhe ka qenë Kryeredaktore e byrosë së Kosovës. Ajo ishte autore e disa analizave të mediave në Kosovë dhe pjesëmarrëse në një numër debatesh në media në lidhje me zgjedhjet në Kosovë.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.