Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mësueset nëna dhe mësimi nga shtëpia

Qer 26, 2017

Gjithçka në botë do të përmbysej në marsin e këtij viti, kur shtetet një e nga një vendosën masat e izolimit duke mbyllur pothuajse tërësisht jetën publike, pas përhapjes së pandemisë COVID-19.  Shumë nga ne, prindërit u gjendem para aktit të kryer, na duhej të ishim edhe mësues të fëmijëve tanë. Të bllokuar brenda shtëpive ne morëm edhe obligime që deri më tash as nuk i kishim imagjinuar që dinim ta bënim, atë të mësimdhënies. Derisa shumë njerëz në botë po punonin nga shtëpitë e tyre, ne gazetarët si njëra ndër ta paktët sektorë që po vazhdonim punën u desh ta organizonim jetën mes punëve në shtëpi, kujdesit dhe mësimit të fëmijëve dhe asaj profesionale.

Izolimi ndikoi negativisht edhe në performancën profesionale të pothuajse secilit nga ne. Pamundësia për të dalë dhe për t’i takuar njerëzit ndikoi në kualitetin e informacioneve që po jepnim. E po ashtu nuk mund të themi se ia kemi arritur t’i mësojmë fëmijët ashtu siç duhet.

Ani pse që të gjithë u përfshimë në mësimin në distancë, nuk është që mund të llogarisim këtë 3-mujor si të suksesshëm për shkak se jo në të gjitha lëndët ishim të gatshëm t’i ndihmonim ata. E shto këtu faktin se shumë prej nesh na mungonin njohuritë për lëndët ekzakte, si matematika, fizika, biologjia apo edhe gjuhët e huaja.

Por si u zhvillua mësimi në distancë në Kosovë?

Zana Nasufi është njëra nga nënat që është dashur që këta 3 muaj ta luajë rolin e arsimtares për dy vajzat e saj, njëra në klasën e tretë e tjetra në parafillore.

Për të dhe vajzat këta muaj ishin sfidues e me shumë stres. Ajo thotë se nuk ishte e lehtë edhe për faktin se për herën e parë është dashur ta sfidojë veten në mësimdhënie.

“Mësimi në distancë ka pasur përparësitë, po them kushtimisht, dhe të metat e veta. Për ne prindërit është më vështirë, sepse duhet të luajmë rolin e mësimdhënësit, ndërkohë që mungon autoriteti i mësuesit, mungon atmosfera e shkollës, mungon vullneti për mësim kur nuk ka kontakte me fëmijët e tjerë, mungojnë bisedat, qoftë për shkollë apo ato të lira. Njërin fëmijë e kam në klasën e tretë, kurse tjetrin në parashkollor”, ka rrëfyer Nasufi.

Problem tjetër ka qenë edhe sigurimi i materialeve shpenzuese shkollore, kjo pasi me vendim të Qeverisë ka qenë e ndaluar shitja e librave, fletoreve dhe gjërave të tjera shkollore.

Prindërit janë detyruar të gjejnë mënyra alternative për to.

Ajo tregon se problemi më i madh ishte tek lënda e punëdorës, kur prindërit janë detyruar të improvizonin gjëra për të përfunduar detyrat e dhëna nga televizori.

Derisa shumë prindër janë ballafaquar me problemet e bërjes së detyrave, pasi mësimi online nuk e ka dhënë mundësinë e sqarimit të tyre, Nasufi thotë se me detyra nuk kanë pasur problem.

“Me detyrat nuk kemi pasur problem, meqë unë e njoh gjuhën, kurse bashkëshorti matematikën. Por është dashur t’ua rikujtojmë gati gjithmonë kryerjen e detyrave”.

Nga ana tjetër, e mira e mësimit në distancë ose në shtëpi ishte përshtatja e orarit të mësimit për fëmijët atëherë kur atyre u konvenonte.

“ Për fëmijët që janë në qëndrime ditore, ka qenë një lloj luksi – nuk janë zgjuar herët, kurse mësimin kanë mundur ta ndjekin në shtëpi ose më vonë në Youtube, sepse e kanë shijuar qëndrimin në shtëpi me familje dhe nuk e kanë pasur presionin e kohës dhe respektimin e orareve”, ka thënë Nasufi.

Për njohësin e çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja,  mësimi nga distanca dhe ai online i organizuar nga MASHT-i, paraqesin një reagim të organizuar spontan si kundërpërgjigje ndaj një situate të pazakontë.

Rinor Qehaja

“Nuk vlerësoj që me kapacitetet aktuale MASHTI do të mund të bënte më mirë, pra kufizimet e shfaqura në mësimin online janë produkt i sistemit, jo si mangësi e procesit – shumë të meta në arsimin parauniversitar u vunë në pah gjatë kësaj periudhe. Vlerësoj që tendenca për të mbuluar të gjithë planprogramin ka mbingarkuar nxënësit. Është krijuar bindja sikur qëllimi i mësimit nga distanca u kthye në transmetim vetëm, pa u siguruar në përfshirje dhe interaktivitet të nxënësve”, është shprehur Qehaja.

Ai thotë se të mësuarit nga distanca dhe ai online kërkon investim në metodologji dhe vetëdijesim, gjë që kërkon kohë, për çka beson se institucionet do të investojnë tash e tutje në këtë strategji.

“Të mësuarit nga distanca dhe ai online kërkon investim në metodologji dhe vetëdijesim, gjë që kërkon kohë andaj edhe shpresoj që pandemia t’ua ketë rikujtuar institucioneve rëndësinë e investimeve në të mësuarit digjital si mjet ideal për të rritur llogaridhënien dhe ringjall cilësinë e arsimit”, ka thënë Qehaja.

Në kryeqytet 90 për qind e nxënësve ndoqën mësimin online

Komunës së Prishtinës i kishte rënë barra kryesore e organizimit të mësimit online që u organizua nga Ministria e Arsimit. Dhe kjo duket të mos ketë qenë e lehtë për Drejtorinë e Arsimit të kësaj komune.

Drejtoresha e arsimit, Shpresa Shala ka thënë se koha e pandemisë u kishte sjellë  plot risi dhe vështirësi mbi të cilat u është dashur që të  adaptohen në mënyrë që të vazhdohet puna me nxënës edhe nga distanca.

Shpresa Shala

“Komuna e Prishtinës ka bartur barrën edhe të jetë pjesë e rëndësishme e organizimit të mësimit online të kërkuar nga MASHTI, duke bërë përzgjedhjen e mësimdhënësve, planet mësimore, objektin e shkollës “Qamil Batalli” për xhirimin e njësive mësimore dhe gjithashtu caktimin e auditorëve për njësitë mësimore”.

Shala ka thënë se kjo nuk ishte një detyrë e lehtë dhe më vete përmbante shumë rreziqe.

Derisa ka sqaruar se pasi kishte filluar transmetimi i mësimit online ne RTK, është parë se nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm ky transmetim për të përçuar te nxënësit njësitë mësimore dhe për të marrë nga ta rezultatet e kërkuar.

“Ne vlerësuam se vetëm kjo nuk mjafton për të arritur suksese me nxënësit dhe u organizuam me shkollat për të realizuar edhe pjesën e komunikimit online te nxënësit me mësimdhënës. Filluan takimet konsultative të mësimdhënësve me nxënës, detyrat e shtëpisë dhe vlerësimet për to. Duke i parë vështirësitë në komunikim në mes prindërve-shkollës dhe nxënësve, sidomos tek klasat 6-9, filluam edhe me e-shkollorin, platformë e cila ua mundësoi mësimdhënësve të kenë një komunikim edhe më të mirë në mes vete”, thotë Shpresa Shala-drejtoreshë e DKA-së, Prishtinë.

Ajo ka thënë se shumica e nxënësve dhe prindërve janë duke e përdorur këtë platformë, e cila ua lehtëson punën jo vetëm nxënësve, por edhe prindërve e mësimdhënësve.

“Tani shumica e nxënësve dhe prindërve e përdorin këtë platformë, e cila ua lehtëson punën nxënësve, ua mundëson prindërve përmes një klikimi të kenë qasje në aktivitetet e përditshme të fëmijëve të tyre dhe gjithashtu ua mundëson mësimdhënësve që të vendosin materiale shtesë për nxënës, të hapin tema diskutimi me nxënës në dhomat e diskutimit dhe mbi të gjitha të kemi transparencë më të madhe në mes të gjithë akterëve të shkollës”, ka rrëfyer drejtoresha e Arsimit për Komunën e Prishtinës.

Megjithatë kjo platformë nuk është duke u zbatuar në tërësi, pasi mbajtja e testeve online ka dështuar.

Disa prindër kanë treguar se serveri nuk i ka njohur përgjigjet edhe kur kanë qenë të  sakta,  andaj edhe është vendosur që të anulohet në tërësi mbajtja e tyre.

Prindër të shkollave të Prishtinës kanë treguar në kushte anonimiteti se u është dashur të ballafaqohen me shumë vështirësi e të mësojnë shumë platforma online për të dërguar detyrat dhe për të ndjekur mësimet me fëmijët e tyre.

“Rreth 5 platforma të ndryshme më është dashur t’i instaloj në pajisjet elektronike. Njëra për dërgimin e detyrave, njëra për komunikim me kujdestaren, e tjetra për takime online me arsimtarë të ndryshëm”, ka thënë një prind që ka dashur të mbetet anonime.

Sipas saj, fëmijët e saj problemin kryesor e kanë pasur me detyrat e lëndëve shkencore, të cilat kanë kërkuar më shumë sqarime e të cilat në transmetimin online në televizionin publik ishin të mangëta.

“Vajza ime që është në klasën e 6 kishte problem me detyrat e matematikës, unë me profesion nuk jam matematikane dhe e kisha problem t’i ndihmoja. Shpesh kërkonim sqarime shtesë nga arsimtarët, por jo çdoherë merrnim përgjigje kthyese. Unë nuk jam e sigurt që të gjitha mësimet e marra përmes televizionit i kam mësuar”.

Ndërkohë sipas një raporti të Bankës Botërore[1], që ka vlerësuar situatën e arsimit pas mbylljes së shkollave, pandemia mund të ndikojë në rritjen e numrit të analfabetëve në Kosovë.

Studimi është bërë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe flet për humbjet e regresin në arsim që kanë ndodhur shkaku i pandemisë, për çka ngrenë shqetësimet se këtyre shteteve do t’u duhen vite për ta rimarrë veten.

Raporti thotë se përqindja e personave të këtyre shteteve që nuk e zotërojnë nivelin elementar në lexim mund rritet nga 53% në 61 për qind.

Në këtë studim është përfshirë edhe Kosova, kur theksohet se 78% e 15-vjeçarëve në Kosovë janë analfabetë funksionalë, derisa në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mali të Zi kjo shkallë është më e ulët 50%, kurse më mirë qëndron Serbia me 38 për qind.

Për autorin/en:

Ardiana Thaçi Mehmeti është gazetare hulumtuese në KTV, ku punon prej vitit 2005. Aktualisht është hulumtuese edhe në Institutin Columbus dhe ka qenë anëtare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.  Ka  të përfunduar Fakulteti i Filologjik – Departamenti i Letërsi Shqipe   në Universitetin e Prishtinës. Në 2019 është shpallur gazetarja me e mirë në luftën kundër Korrupsionit nga UNDP-ja, po këtë vit ka marrë edhe shpërblimin për  Gazetarisë Investigative të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, vendi i tretë.  Si dhe çmimi Rexha Surroi për gazetari të shkruar -2019.  Më parë ka marrë edhe çmimin  e parë për raportimin e varfërisë të ndarë nga UNDP dhe AGK  në viti 2009 dhe në 2016, si dhe është fituese e çmimi  e dytë për raportimin në fushën e të drejtave të njëriut  të ndarë nga BIRN, ACDC, Avokati i Popullit dhe Ambasada e Holandës 2018.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM