Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti në promovimin e katalogut të ekspozitës arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës

Qer 25, 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e Katalogut të Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Në këtë ceremoni kryeministri Kurti vlerësoi repertorin e pasur arkeologjik të artefakteve dhe eko-fakteve të Muzeut Kombëtar.

Ai theksoi faktin që ky thesar vazhdon të jetë i paplotë dhe se mbase pjesa më e rëndësishme e koleksionit tonë arkeologjik, sot nuk gjendet as në Muzeun Kombëtar, as në muzetë e tjera publike të Kosovës. Qindra artefakte të koleksionit tonë arkeologjik e qindra të tjera të koleksionit etnografik vazhdojnë të mbahen në muzetë e Beogradit.

“Ndonëse kanë kaluar 23 vjet, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi. Artefaktet tona janë marrë me qëllim ekspozimi të përkohshëm, por në rrethana të luftës. Reversët e nënshkruara nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë, ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare“, tha kryeministri Kurti.

Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike” me autor Milot Berishën dhe Arben Hajdarin, paraqet një repertor të pasur arkeologjik të artefakteve dhe eko-fakteve që datojnë nga epoka e neolitit, e deri te mesjeta e vonë, kohë kjo rreth tetë mijë vjeçare, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.

 

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot bashkë me ju në këtë ngjarje të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore, në veçanti për atë arkeologjike.

 

Duke e mbrojtur trashëgiminë kulturore, ne mirëmbajmë kujtesën kolektive, forcojmë ndjenjën e përkatësisë, konsolidojmë rrjetet e solidaritetit dhe ndihmojmë zhvillimin e vendit. Trashëgimia kulturore është ndër burimet më të fuqishme formative të identitetit. Ajo fuqizon lidhjen tonë me historinë, zhvillon ndjenjën e pronësisë dhe kujdesit ndaj vlerave dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh.

 

Ruajtja e pasurisë kulturore mijëvjeçare, si detyrim i përbashkët i shoqërisë bashkëkohore për brezat pasardhës është përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Sipas përcaktimit ligjor, potenciali i trashëgimisë kulturore përfshinë të gjitha dëshmitë materiale dhe jomateriale të veprimtarisë njerëzore të krijuara nga parahistoria dhe deri më sot, të cilat përmbajnë edhe veçori të dallueshme dhe me rëndësi në aspektin e zhvillimit historik, shoqëror, kulturor, shkencor, teknologjik, ekologjik, politik dhe ekonomik.

 

Sot po promovojmë një pjesë tejet të rëndësishme të kësaj pasurie kulturore të shtetit tonë. Trashëgimia jonë arkeologjike paraqet tërësinë e kulturës materiale të krijuar nga njerëzimi në të kaluarën, e cila rrit të kuptuarit tonë për njohjen, strukturën, veprimtarinë dhe kulturën e shoqërive të lashta. Ajo si e tillë ka vlera të çmueshme dhe është e papërsëritshme. Trashëgimia e pasur arkeologjike dëshmon vlerën e civilizimit dhe kulturës së vendit tonë, duke pasqyruar vlerat e kujtesës, lashtësisë, origjinalitetit, rrallësisë dhe veçantisë.

Ekspozita arkeologjike “Dardania Antike” në Muzeun Kombëtar të Kosovës paraqet një repertor të pasur arkeologjik të artefakteve dhe eko-fakteve që datojnë nga epoka e neolitit, e deri te mesjeta e vonë, kohë kjo rreth tetë mijë vjeçare.

 

Megjithatë e për fat të keq, ky thesar vazhdon të jetë i paplotë. Mbase pjesa më e rëndësishme e koleksionit tonë arkeologjik, sot nuk gjendet këtu, as në Muzeun Kombëtar, e as në muzetë e tjera publike. Qindra artefakte të koleksionit tonë arkeologjik e qindra të tjera të koleksionit etnografik sot gjenden në muzetë e Beogradit.

 

Ndonëse kanë kaluar 23 vjet, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi. Artefaktet tona janë marrë me qëllim ekspozimi të përkohshëm, por në rrethana të luftës. Reversët e nënshkruara nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë, ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare. Prandaj, këtë çështje po e bartim në forume ndërkombëtare, si në ato profesionale e ndër-qeveritare, poashtu edhe në ato gjyqësore po qe nevoja.

 

Dhe kjo nuk është shkelja e vetme. Në kohën kur po zhvillohej procesi për marrjen dhe transportimin e artefakteve nga Prishtina në Beograd, Serbia vazhdonte të shkatërronte pamëshirshëm monumentet tona. Në gjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qindra monumenteve të Kosovës gjatë luftës është cilësuar si krim kundër njerëzimit. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Kërkesa jonë për drejtësi përmes dëmshpërblimit së shpejti do të marrë formë konkrete.

 

Për trashëgiminë kulturore dhe në veçanti për kishat ortodokse në Kosovë, shteti ynë dhe qytetarët tanë kanë bërë shumë, kanë dhënë shumë. Kemi investuar miliona euro në restaurimin e kishave të dëmtuara, për sigurinë e të cilave sot kujdeset njësiti i veçantë i Policisë së Kosovës për trashëgimi kulturore. Po bëhen 15 vjet që nuk ka incidente me motive etnike ose fetare në institucionet e kultit. Ato që ndodhin janë raste të vjedhjeve, me përqindje më së paku në kishat ortodokse. Kosova ka një nga sistemet më të përparuara në botë sa i përket mbrojtjes së të drejtave kulturore të komuniteteve.

 

Por, jemi të përkushtuar të bëjmë edhe me shumë. Sepse besojmë në univerzalitetin e trashëgimisë sonë kulturore. Xhamitë, kishat, shtëpitë tradicionale, kalatë e zonat historike janë burim identiteti e krenarie për shoqërinë tonë. Trashëgimia jonë materiale dhe shpirtërore është mundësia jonë e artë për paqe të qëndrueshme dhe rritje ekonomike. Prandaj, jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për qëllime politike. Ne besojmë se rruga e dialogut të brendshëm është e duhura. Veprimet e pamatura që synojnë të nxisin konflikt e urrejtje do të marrin përgjigjen e merituar.

 

Qeveria që unë drejtoj ka vullnetin dhe dijen, kapacitetet dhe vizionin për të mbrojtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore. Pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie është edhe ajo fetare, mirëpo angazhimi ynë është edhe zotimi ynë për mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e balancuar të kishave ortodokse, të cilat besojmë që duhet të jenë të hapura e të qasshme në mënyrë që të shfrytëzohet edhe potenciali turistik i tyre.

 

Në fund, më lejoni t’i përgëzoj autorët e botimit, Milot Berishën dhe Arben Hajdarin. Sa më profesionale puna e institucioneve tona të dijes e kulturës, aq më të fuqishëm do të jemi në betejat tona si shtet e si shoqëri.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM