Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në takimin virtual të ministrave të Punëve të Brendshme të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Me këtë rast në kuadër të këtij takimi ministri Sveçla shpalosi veprimet konkrete të Republikës së Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit, përfshirë bashkëpunimin rajonal në këtë drejtim.
Ministri Sveçla theksoi në veçanti prioritetin e udhërrëfyesit rajonal kundër korrupsionit që fokusohet tek prokurimet publike.
“Lufta kundër korrupsionit mbetet sfida më e madhe jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin. Rrjedhimisht, që nga dita e parë e marrjes së mandatit jemi duke punuar me të gjitha kapacitetet tona për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen në gjitha nivelet shtetërore dhe shoqërore” theksoi ministri Sveçla.
Në këtë takim ministri Sveçla ka folur edhe për sfidat e migrimit në kohë pandemie. Ai tha se pandemia ka ndikuar shumë në uljen e migrimit të parregullt, si rezultat i masave të ndërmarra nga shtetet e ndryshme, thuhet në komunikatën për media e MPB-së.
“Trendet rreth emigrimit të parregullt dhe numri i aplikuesve nga Republika e Kosovës, tregojnë një rënie të konsiderueshme në vazhdimësi (2015-2020)”, theksoi ndër të tjera ministri Sveçla.