Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pasojat e pandemisë në mediat e shkruara

Maj 26, 2020

Situata e krijuar nga Covid-19 u ka pamundësuar katër të përditshmeve kosovare që të botohen. Aktualisht ato po funksionojnë online. Udhëheqësit e këtyre gazetave thonë se janë dëmtuar financiarisht për shkak të ndërprerjes së kontratave të marketingut që i kanë pasur me bizneset. Disa nga ato kanë pushuar një pjesë të punëtorëve nga puna, ndërsa disa ua kanë ulur pagat. Nëse zgjatë kjo situatë e pandemisë, rikthimi i tyre do të jetë sfidues dhe ndoshta për ndonjërën i pamundur.

Viteve të fundit gazetat ditore janë përballur me vështirësi për të funksionuar për shkak të shtimit të mediave online. Për këtë arsye disa nga ato kanë ndërprerë botimin në formë të shkruar, duke kaluar në versionin online.

Por, përveç kësaj, gazetat janë goditur shumë nga pandemia Covid-19. Që nga 16 marsi i këtij viti ato nuk janë duke u botuar. Kjo ka shkaktuar dëme financiare te këto gazeta për shkak se bizneset i kanë ndërprerë kontratat e reklamimit. Në anën tjetër të hyrat u kanë mbetur minimale edhe nga reklamat në portale.

Aktualisht në tregun medial të Kosovës janë katër gazeta: Koha Ditore, Zëri, Bota Sot dhe Epoka e Re.

Sadik Zeqiri, drejtor i gazetës “Epoka e Re” thotë se situata e pandemisë Covid-19 ka ndikuar shumë edhe në mediumin që ai e udhëheq.

Ai thotë se ka qenë një fat i mirë që e kanë pasur edhe portalin online dhe se gazetarët janë angazhuar duke punuar nga shtëpitë e tyre vetëm në portal.

“Disa nga ne po vijmë edhe në punë këtu në zyrat tona, por pandemia na ka goditur në të hyrat tona, sepse ne jetojmë dhe mbijetojmë me shitjen e gazetës, nga reklamat që i botojmë”, thotë Zeqiri.

Pavarësisht situatës së pafavorshme, Zeqiri thotë se kanë arritur që stafin ta paguajnë me rregull dhe pa ua zvogëluar pagat.

“Me vendimin e qeverisë për ndihmë bizneseve në paga, do të thotë është bërë pagesa e një pjese të pagave në vlerë prej 170 eurosh. Edhe ne si medium kemi aplikuar dhe i kemi marrë këto paga, ndërsa pjesën për ta kompletuar pagën sikur kanë qenë në muajin janar e shkurt, e kemi plotësuar ne si medium. Pra gazeta “Epoka e Re” për stafin dhe punëtorët e saj nuk ka bërë ulje të pagave. Edhe pse me shumë vështirësi, pagat i kanë marrë të gjithë të plota”, ka thënë Zeqiri.

Ai thotë se nëse zgjatë kjo situatë edhe disa muaj, për median e shkruar rreziku është i paparashikuar, por shprehet se pavarësisht pasojave që tashmë u ka shkaktuar pandemia, “Epoka e Re” është e gatshme të fillojë punën sërish.

“Jemi duke pritur vendimin e Qeverisë. Po ashtu duhet të kontaktojmë edhe shtypshkronjën se a janë ata të gatshëm, a kanë letër e ngjyrë për të filluar me shtypjen e gazetave. Sapo të marrim sinjalin nga Qeveria, ne jemi të gatshëm të fillojmë”, thotë Zeqiri.

Botimi i sërishëm i gazetave pritet që të mundësohet nga 1 qershori, me aplikimin e fazës së tretë të rikthimit të normalitetit nga qeveria.

Rikthimi i botimit shumë sfidues

Ndryshe nga “Epoka e Re”, e përditshmja tjetër “Zëri” nuk ka mundur të përballojë shpenzimet prej kur është ndalur së botuari. Për shkak të vështirësive financiare, ky medium ka larguar një pjesë të stafit nga puna.

Hekuran Hoxha, menaxher i marketingut në këtë gazetë thotë se deri te kjo situatë kanë ardhur për shkak të rënies së të hyrave pasi që një pjesë e madhe e bizneseve i kanë ndërprerë kontratat e marketingut në gazetë dhe në portal.

“Janë larguar disa punëtorë për shkak se ka qenë e pamundur financiarisht t’i përballojmë si kompani shpenzimet. Pra kemi bërë një ristrukturim të brendshëm. Nëse situata e pandemisë zgjatë, atëherë, rreziku është që të jemi të detyruar të zvogëlojmë përsëri shpenzimet duke përfshirë fondin e pagave. Pra të kalojmë në një situatë mbijetese”, thotë Hoxha.

Ai thotë se aktualisht ky medium ka gjithsej 35 punëtorë dhe se ata i kanë marrë pagat minimale prej 170 euro nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës. Hoxha thotë se kjo ndihmë ka qenë e mirëseardhur, por shpreh shqetësimin se nëse vazhdon situata e pandemisë, do të përballen më vështirësi të shumta për të mbijetuar.

Ai nuk mund të na jep një përgjigje se a do të fillojë sërish të botohet gazeta “Zëri”, pas vështirësive që kanë hasur në këtë periudhë kohore.

“Se kur do të fillojmë me botimin e gazetës, nuk kam përgjigje. Do të mbetët të shihet pas kalimit të pandemisë dhe lejimit nga ana e Qeverisë për shpërndarje të gazetës se çka do të vendosë bordi dhe drejtori gjeneral”, thotë Hoxha.

Ndërkaq, gazeta “Bota Sot” ka vendosur që të ulë pagat e punëtorëve, e jo t’i largojë ata nga puna.

Mimozë Lakna, kryeredaktore e kësaj gazete thotë prej kur është ndalur botimi i gazetës, kanë vazhduar punën vetëm në portal dhe me orar më të shkurtër. Sipas saj, rrjedhimisht kjo ka ndikuar edhe në uljen e pagave, por njëkohësisht edhe është mundësuar mbajtja e tërë stafit.

“Nëse kjo situatë zgjatë, natyrisht se mund të çojë në zvogëlimin e numrit të punëtorëve. Por, fatmirësisht po marrim lajme të mira sa i përket zvogëlimit të përhapjes së pandemisë dhe kjo është një shpresë për punëtorët se do të vazhdojnë punën në mënyrë të rregullt”, thotë Lakna.

Ajo thotë se i kanë marrë subvencionet nga Qeveria për pagën minimale të punëtorëve, por që nuk janë të mjaftueshme për t’u rimëkëmbur, pasi që pandemia ka lënë pasoja financiare edhe te portali.

“Kur këto lidhen me njëra-tjetrën, situata bëhet mjaft e vështirë. Kjo e rritë nevojën që të kemi përkrahje edhe më të madhe nga shteti. Fundja, mediat janë pushteti i katërt i një vendi, andaj meritojnë ta kenë përkrahjen e duhur”, thotë Lakna.

Ajo thotë se pavarësisht vullnetit të madh, do të jetë sfidues rikthimi në botim i gazetës.

“Ndalja e shtypit të gazetave është bërë me vendim të shtetit, andaj besoj se do t`i presim udhëzimet e rekomandimet lidhur me këtë. Gjithashtu do të ndjekim hapat dhe veprimet e gazetave që deri para dy muajve shtypeshin dhe dilnin në treg dhe besoj se do të veprojmë njësoj. Kjo pasi kemi qenë tri gazeta që kemi shfrytëzuar të njëjtën shtypshkronjë për të dalë në shtyp”, theksoi Lakna.

KosovaLive ka kontaktuar dhe me drejtoreshën e “Grupit Koha”, Flaka Surroi për të biseduar lidhur me pasojat dhe sfidat që ka krijuar pandemia Covid-19 në gazetën “Koha Ditore, por ajo nuk ka dashur të prononcohet për këtë çështje.

Edhe kjo gazetë, si tri të tjerat, e ka ndalur botimin. Ndërkaq, lexuesve u ka mundësuar që përmes abonimit të qasen online në gazetë.

Mediat e shkruara kanë shërbyer si shkolla të gazetarisë

Imer Mushkolaj, njohës i fushës së mediave thotë se është shumë e rëndësishme që mediat e shkruara të mund të rikthehen në treg, jo vetëm për shkak të traditës së krijuar. Megjithatë, sipas tij, mbijetesa e tyre në treg është e vështirë dhe për fat të keq, pas pandemisë mund të përballemi me situatën kur disa nga ato nuk do të vazhdojnë të printohen.

“Para pandemisë mediat e shkruara përballeshin me probleme të mëdha financiare dhe jozyrtarisht, thuajse të gjitha paralajmëronin se nuk mund të jenë në treg pas disa muajsh. Pandemia për to erdhi si një “exit strategy”, respektivisht si një rast për të provuar se si mund të funksionojnë vetëm online”, thotë Mushkolaj.

Ai thotë se mediat e shkruara kanë një rëndësi në tregun medial dhe do të ishte mirë që ato të vazhdojnë të botohen.

Mushkolaj që është edhe kryetar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), thotë se mediat e shkruara përgjithësisht janë profesionale dhe të kujdesshme në raportim.

Ai thotë se në KMShK (që është institucion vetërregullues e që si fokus kryesor të punës e ka trajtimin e ankesave nga palë të ndryshme se a është respektuar kodi i etikës së gazetarisë), vijnë më pak ankesa ndaj mediave të shkruara.

“Marrë parasysh se edhe numerikisht numri i mediave online në Kosovë është shumë më i madh se sa i mediave të printuara, ankesa më shumë vijnë për mediat online. Por, mediat kryesore të shkruara për vite në Kosovë kanë shërbyer si shkolla më vete të gazetarisë, andaj shkeljet etike të tyre janë më të pakta. Kjo për shkak se ende në disa nga këto media ekziston një filtër më i rreptë i shkrimit dhe publikimit të lajmit”, thotë Mushkolaj.

Duke pasur parasysh pasojat financiare që ka krijuar pandemia tek mediat dhe rolin esencial të gazetarisë së pavarur në situata të emergjencës si dhe nevojën për raportim të drejtë në këtë kohë, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka përpiluar një skemë grantesh emergjente për të ndihmuar mediat e pavarura të regjistruara në Kosovë.
Për këtë grant mund të aplikojnë edhe gazetat. Në njoftimin e këtij fondacioni ftohen të gjitha mediat të aplikojnë, ndërkaq shuma që do të mund të përfitojnë është nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

Për autorin/en:

Besnik Boletini ka mbaruar studimet master në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Sociologjisë. Kryesisht shkruan për çështje shoqërore, ekonominë dhe fushën e shëndetësisë – shkrime për të cilat është shpërblyer me disa çmime viteve të fundit në Kosovë. Aktualisht punon në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese, Preportr.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM